Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: ‘Banaliteti i së keqes’ në Shqipëri nuk ka të ndalur

Të martën në Tiranë gjendej për vizitë ministri i Jashtëm grek, z. Nikos Dendias, për takime me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Ndër të tjerë, kryediplomati grek pati takim me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili u pasua me një konferencë për mediat të zyrtarëve të lartë të dy vendeve fqinje.

Kryeministri i Shqipërisë, z. Rama e ka zakon që në raste të tilla publike të komunikojë jo vetëm, nëpërmjet fjalëve e deklaratave, por përdor edhe simbole, sipas nevojës dhe rrethanave. Disa javë më parë, në foltoren e Parlamentit të Shqipërisë, ai deklaroi se “komunizmi dhe komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, një deklaratë kjo që 2-3 javë më vonë u pasua nga një deklaratë e Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, e cila ishte e të njëjtës frymë dhe domethënie, në mbrojtje të komunizmit. “Jemi ndarë komunistë dhe ballistë, që në vitin 1944…”, tha z, Ruçi me krenari.

Unë jetoj dhe kam punuar në Shtetet e Bashkuara Amerikës për 50-vjet dhe falemnderit Zotit nuk kam asgjë të përbashkët me ballistët, kurse me komunistët jo se jo. Prandaj, nuk dëshiroj t’i futem ndonjë debati  për të mbrojtur as njërin e as tjetrin, por, si shqiptaro-amerikan, më shqetësojnë prirjet e kohëve të fundit të udhëheqësve më të lartë të Shqipërisë që të mbrojnë një ndër periudhat më të zeza të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve – komunizmin sllavo-aziatik — madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit.

Sipas fotografive dhe disa portaleve, në takimin me ministrin e Jashtëm grek, Kryeministri i Shqipërisë, kësaj radhe, nuk bëri ndonjë deklaratë në mbështetje të komunizmit enverist, por dërgoi një mesazh të qartë, realisht dhe simbolikisht, me veshjen e tij — me një kollare me flamurin kuqezi, simbolin më të shenjtë dhe përbashkues të të gjithë shqiptarëve pa dallim, dhe me shqiponjën dykrenore, të përdhosur me yllin komunist, simbol i një ideologjie kriminale sllavo-aziatike, të hedhur tanimë në koshin e plehrave të historisë, siç thonte dikur ish-presidenti i Amerikës, Ronald Reagan  nga mbarë bota e qytetëruar, por, siç duket, jo nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga Kryetari i Kuvendit të këtij vendi.  Kishim menduar dhe shpresuar se ky yll që nuk shëndriti kurrë për askënd, të cilit ia pau sherrin mbarë bota, për krimet që u bënë në emër të tij, sidomos Shqipëria dhe shqiptarët – ishte shlyer një herë e mirë nga simbolet kombëtare të shqiptarëve.

Por, jo. Paskemi qenë gabim dhe vazhdojmë të jemi gabim. Banaliteti i së keqes së komunizmit shqiptar vazhdon me shfaqjen zyrtare të mjeteve, deklaratave dhe simboleve të tjera të komunizmit. “Banaliteti i së keqes…” dhe “Banaliteti burokratik…”, siç do t’a quante Hannah Arendt, ndoshta filozofja më me influencë dhe ndër shkrimtarët më të njohur të shekullit të kaluar, edhe sot, në 45-vjetorin e vdekjes së saj, 30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri.

Kështu e ka përcaktuar Hannah Arendt bashkëpunimin e kategorisë së këtyre njerzëve duke përshkruar të keqen e nazizmit dhe të komunizmit në periudhën e jetës dhe të veprimtarisë së saj:  “Subjekti ideal i sundimit totalitar nuk është nazisti i bindur ose komunisti i bindur, por njerëzit për të cilët dallimi midis faktit dhe trillimit dhe dallimi midis të vërtetës dhe gënjeshtrës nuk ekzistojnë më.” (Hannah Arendt, Origjinat e Totalitarizmit).

Më habit tepër fakti që përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë nuk reagojnë ndaj këtyre dukurive dhe prirjece, por edhe deklaratave publike pro-komuniste të autoriteteve më të larta të Shqipërisë, vendit që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Të nderuar ambasadorë, duhet të jeni të sinqertë me shqiptarët. Me Enver Hoxhën dhe me nostlagjikët e komunizmit, sidomos atij të llojit enverist, nuk shkohet në Evropë.  Ambasadori i nderuar i Gjermanisë në Tiranë, z. Peter Zingraf, deklaroi në Shkodër se “Shqipëria ka shumë për të bërë…”.  Një ndër ato kushte që duhet të plotësojë Shqipëria është përballja e saj me të kaluarën e saj komuniste dhe me krimet e regjimit të Enver Hoxhës. Kjo kërkesë është në përputhje të plotë me vendimet që kanë marrë vite më parë shumë prej vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, e cila është shembull i përballjes me nazizmin dhe me komunizmin.

Thuhet se diplomatët e Perëndimit në Tiranë nuk reagojnë ndaj këtyre dukurive në Shqipëri sepse janë të interesuar më shumë për stabilitetin e vendit se sa për zhvillimin e demokracisë.  Hannah Arendt do të këshillonte që “Hitleri e Stalini i mbajtën premtimet për stabilitet, për të fshehur qëllimin e tyre të vërtetë, për të krijuar një gjendje paqëndrueshmërie të përhershme”. Tash 30 vjet ju flisni dhe shpenzoni fonde për vendosjen e drejtësisë në atë vend. Për çfarë drejtësie e keni fjalën, kur Kryeministri i vendit marshon para kamerave televizive me kollare kuqezi me yll të kuq, simbolin e regjimit më kriminal komunist në Evropë.

Të nderuar diplomatë perëndimorë, në qoftë se vazhdoni të heshtni ndaj këtyre dukurive pro-komuniste në Shqipëri, ndaj këtyre prirjeve nostalgjike të autoriteteve shqiptare ndaj komunizmit, atëherë ju e keni arritur qëllimin për krijimin e një paqëndrueshmërie politike të përhershme në Shqipëri dhe jo objektivin e proklamuar për forcimin e një demokracie perëndimore, ashtu si në vendet tuaja. Me ndihmën tuaj, të na rrojë jo vetëm i ashtuquajturi “stabilitet”, por dhe përjetësimi i frymës komuniste në Shqipëri! Ju lumtë! Efkaristo dhe ejvalla, u qoftë të gjithëve!

“Banaliteti i së keqes” në Shqipëri nuk ka të ndalur

Please follow and like us: