Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: Poeti më i famshëm i shqiptarëve në shekullin XIX! 

S’kam qenë as nëntëmbëdhjetë vjeç kur isha i bindur se shkruaja më bukur se Naim Frashëri (për të mos u thënë gjëma të tjera). E megjithatë, kjo bindje që nuk u qortua brënda meje asnjëherë, nuk më bëri kurrë ta përçmoja e aq më pak ta shaja poetin, përkundrazi. Të hysh me dashuri në tempullin e letërsisë nuk do të thotë të mos guxosh, të synosh e madje të kalosh krenajat e saj. S’ka të bëjë me moralin, s’ka të bëjë me dashurinë kristiane. Dashuria në letërsi është pjesë e një mjeshtërie të shenjtë. Ajo është njëherësh pjellë e trurit dhe shenjim i fatit.

..Ja, poeti më i famshëm i shqiptarëve në shekullin XIX, Naim Frashëri, një përzierje profeti e prijsi, pasi ka shkruar mijëra vargje e himne për lirinë, për shpatën që do ta sillte atë, për atdheun e robëruar, për Kastriotin-Skënderbe, për dritën që do të vinte nga Perëndimi, shkurt, për Shqipërinë madhështore e po aq të hyjnueshme. një ditë i shkrepet t’i kushtojë një poemë femrës me të cilën ka rënë dashuri.
Ështe e vetmja në veprën e tij të pafundme, atë që shpesh është quajtur “naimiania”.

Do të shkrihem të venitem
Si kandili kur s’ka vaj,
Baltë e pluhur do të bëhem
Të më shkelë këmbë e saj
Dhe të prehem duke puthur
Atë këmbë pasandaj.

Gjithkush që do të ndeshej për herë të parë me këtë pjese të poemës, do të mbetej i çmeritur. Poeti sipëran, apostulli, idhulli, prijsi, shpata dhe rrufeja e kombit, jo vetëm thyhej prej një gruaje, por ishte gati të bëhej baltë e pluhur përpara saj, e si të mos mjaftonte kjo, të shkelej prej këmbëve (takave të larta, do thoshim sot), të saj, e si të mos mjaftonte edhe kjo, të dehej nga kjo shkelje e t’i puthte ato kembë (takat) etj.
“Bukuria” nuk është ndonjë krijim rastësor i Frashërit. As e botuar në ndonjë album intim, me përhapje te kufizuar. Pérkundrazi, është poema e vetme erotike e kryeveprës së poetit “Lulet e verës”, e pamungueshme në asnjë botim apo studim shkollor. Dhe pikërisht këtu mund të kërkohet vazhdimi i atij misteri që lidhet me pyetjen: ishte mposhtur apo jo femra shqiptare prej territ osman?

Naim Frashëri, poeti që nuk dremiste asnjë grimë kohe kur ishte fjala për Shqipërinë, shpallte të kundërtën: Gruaja jo vetëm nuk ishte mposhtur, por, në një ndeshje të hamendësuar, ajo mund ta vinte kundershtarin e saj në giunjë! E në qofte se ky antinom i saj e kapërcente burrin, terrin, vetë poetin, kjo do të thoshte se ajo vetë, gruaja, duke kapërcyer vetveten, i afrohej trajtës dhe simbolikës së lirisë.

—————–
*Naim bej Frashëri i njohur më së shumti si Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900) ka qenë poet dhe shkrimtar shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe figura qendrore e letërsisë së Rilindjes. Për së gjalli u pagëzua “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”.

Please follow and like us: