Albspirit

Media/News/Publishing

‘Qerbelaja’ e Naim Frashërit, aspekti historiko-simbolik i poemës

 

“Qerbelaja”, vepër e Naim Frashërit, botuar në Bukuresht më 1889, është një poemë epike me subjekt nga historia e Kalifatit arab. Poema shtjellon ngjarje që ndodhin në shekullin e IX-XV. Ngjarjet kryesore zhvillohen në luginën e Qerbelasë, në Irak.
Treva e Qerbelasë si gjeografi shtrihet në një largësi prej 100 kilometrash në veri të Bagdadit, në kufi të shkretëtirës arabe, buzë lumit Eufrat.
Aty, në tetor të vitit 680 nipi i Profetit Muhamed, Imam Huseni , u vra bashkë me 72 meshkuj luftëtarë të Familjes së Profetit, ndërsa femrat e tyre, të mbetura gjallë, u robëruan dhe u keqtrajtuan nga ushtria e Jezidit, kundërshtarit fitimtar. Një gjakderdhje e përmasave të tilla, therorizimi i kaq burrave të një familjeje, flijimi i fëmijëve dhe i grave, i bënë ngjarjet e fushës së Qerbelasë tërheqëse për poetët me frymëzim tragjik. Fusha e Qerbelasë tej e përtej e përgjakur jepte dorë për të thurur vepra epike të mbrujtura me frymë sublime.
Si temë e zymtë dhe e madhërishme, kjo do t’i shkonte përshtat talentit të një poeti siç ishte Naim Frashëri, poet i dimensioneve tragjike dhe universale. Naimi e mori këtë ngjarje të ikonave themelore historiko-fetare të myslimanëve arabë, e mori këtë histori të largët Lindore e ktheu në poemë epike që fliste shqip, fliste dhe për shqiptarët.
Për të hyrë në thelbin e ngjarjeve, le të shohim ç’thonë kronikat e lashta për motivet që çuan në tragjedinë e Qerbelasë.
Historia e trazuar e Kalifatit arab merr një kthesë të papritur pas vdekjes së Profetit Muhamed më 632.
Udhëheqësit që e zëvendësuan Profetin pas vdekjes së tij, u quajtën Kalifë, do me thënë mëkëmbës të Profetit, ndërsa pushteti perandorak arab i ushtruar prej tyre, u quajt Kalifat.
Me ardhjen si Kalif i kësaj perandorie të imam Aliut, dhëndërrit të Muhamedit, Kalif që sundoi nga viti 665 deri më 661, filloi lufta civile, përleshja me armë me Mavijen, guvernatorin e Sirisë, pinjollin nga familja e rëndësishme e Umajadëve. Nga kjo luftë për pushtet Aliu mbetet i vrarë. Mavijes, fitimtarit, i mbeti barra e stabilizimit të Perandorisë arabe. Dhe ai ia arriti.
Historia vijon me dinastinë e Umajadëve me qëndër në Damask, me dinastinë e Abasidëve me qendër në Bagdad, familje që kryesuan Kalifatin arab, e shtrinë sundimin e tij deri në Spanjë dhe nën udhëheqjen e tyre, qytetërimi i veçantë arab arriti kulmet e lulëzimit të tij.
Nga ana tjetër, kjo periudhë do të shoqërohej me revoltat e kundërshtarëve të Umajadëve, të cilët ishin përqendruar në Iran, Irak etj. Këta mendonin se Kalifati i takonte Aliut dhe pasardhësve të tij si trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Profetit. Umajadët, sipas tyre, ishin uzurpatorë. Kjo ndarje jo vetëm politike, por edhe teologjike, fetare vazhdon deri më sot.
Familja e Aliut e mëtonte trashëgiminë e Kalifatit si zgjedhje të dhënë nga ana e Zotit dhe e Profetit Muhamed. Sipas tyre, Profeti para se të ndërronte jetë, në Luginën e Gadirit takoi krerët që e pasonin dhe u la porosi që pas tij të vinte në krye Imam Aliu, i emëruar prej tij si Imam i gjithë umetit musliman.
Me që kjo nuk ndodhi, palsën luftërat shekullore për pushtet, luftëra për kryesimin e Kalifatit.

Këtu e merr lëndën poema e Naim Frashërit.
Përtej lëvozhgës historike të luftërave civile për pushtet, realiteti i miliona viktimave të dhunës çnjerëzore, flijimi i të pafajshmëve, i të pafuqishmëve, i të pambrojturve, u dhanë ngarjeve të Qerbelasë një përmbajtje të lartë ideologjike, përmbajtje fetare, frymëzim hyjnor të luftës mes të mirës dhe të së keqese, të luftës mes Zotit dhe djallit, pra, u gatua një lëndë e së madhërishmes, e tragjikes, lëndë që ushqeu dhe ushqen ndarjet përçarëse fetare të përmasave të tilla që vazhdojnë edhe sot.
Në këto motiveve të therorive të përgjakshme e ngjyeu penën për të shkruar poemën e tij Naim Frashëri. “Qerbelaja”, si vepër artistike formëson poetikisht këtë brumë të përzishëm tragjik me burim nga historia.
Qerbelaja, shkretëtira e mbuluar nga përgjakja e të flijuarëve njerëzorë, me ndërhyrjen e poezisë, nga një lëndë e gjallë, konkrete, shndërrohet në materie artistike, kthehet në simbol të së përzishmes, në metaforë therorije, ngjashëm me vende të rrënuara, vende të kthyera në hi, vende të shfarosura me rrënjë nga luftërat çnjerëzore, vende që historikisht e përjetësisht simbolizojnë fatkeqësi, miozori, katastrofa si Troja, Kartagjena, Vaterloja…
Qerbelaja në poemë nuk është më toka… është idealiteti, frymorja, hyjnorja.
Vende si Troja, Kartagjena, Qerbelaja… nuk janë vetëm shenja në histori, por dhe topikë në simbolikë, në idolatri.

“Qerbelaja” e N. Frashërit nuk është vepër historike, është poemë epike himnizuese me mesazhe metafizike që nuk njohin hapësirë dhe kohë konkrete. Ajo u flet të shtypurve të çdo kohe dhe të çdo hapësire, u thotë se si duhet vepruar nën dhunën dhe nën mizoritë e tiranëve. U thotë të shtypurve se ju, duke paguar me heroizëm, me gjak dhe me sakrifica sublime për një ideal të lartë, do të krijoni një kuazë të shenjtë që nuk do të harrohet kurrë ndër shekuj.
Pse Naim Frashëri në vitin 1889, një vit para se të vdiste, botoi “Historinë e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë”, dy poema epike, njëra me ngjarje dallueshëm kombëtare, tjetra me frymëzim fetar dhe me temë ndërkombëtare?
Për “Historinë e Skënderbeut” dihen shtysat. Ai ishte poeti misionar i popullit të vet. Ishte mësuesi, ideologu kombëtar. Figura e Skënderbeut ishte në përputhje me idealet e Rilindjes Kombëtare.
Po “Qerbelaja” përse duhej shkruar?
Studiuesit kanë dhënë shumë shpjegime, që nuk i përjashtoj.
Naimi ishte i frymëzuar nga kulura persiane, ishte ndikuar nga paraardhësit e vendlindjes që shkruanin poema të gjata me tema historiko-fetare. Naimi ishte filozof i bektashizmit. Ishte panteist, ishte mistik. Po. Këto dhe të tjera shpjegime kësisoj, janë të pranueshme. Të gjithta.
Veç me një ndryshim… Mbase është koha të themi dhe diçka tjetër. Poeti është poet. Si poet me talent ai i shpërthen kufinjtë, del jashtë kohës dhe jashtë vendit të vet. Bëhet qytetar i botës.
Poezia, materia poetike me cilësitë saj universale, e bëjnë poetin qytetar të botës. Jo tjetër gjë. Poeti i mirë nuk mbetet vetëm apostull në altarin e kohës së tij e të kombit të tij.
Temat ngjethëse, temat tragjike, universale, madhështitë pa kohë e pa vend, që nga poet Bajroni edhe më përpara tij, ishin të parapëlqyera nga gjithë poetët, në veçanti nga romatikët. Ata i gjuanin gjëmat, tragjeditë botërore.
Kështu dhe Naimi ynë me “Qerbelanë”.
Si poezi me lëndë tragike ajo i përket gjithë njerëzimit, si frymëzim fetar u flet vetëm besimtarëve bektashinj.
Ësthtë një poemë që sot mund t’i flasë më afër një lexuesi që adhuron tarikatet e Islamit. Kjo nga që himnizon gjakun e dëshmorëve të Qerbelasë, vajton flijimin e pjesëtarëve nga Familja e Profetit.
Poema “ Qerbelaja” është ndarë në 25 këngë. Në secilën këngë ka heronj që nuk veprojnë në këngët më pas. Poema shqyrton ndodhi, vuajte, sakrifica, trimëri dhe përcjell mesazhe humane dhe hyjnore.
Lënda e marrë nga historia fetare arabe shtrihet prej shekullit IX deri në shekullin XVII. Lufta fillimisht zhvillohet ndërmjet Profetit Muhamed dhe Sufjanit, pastaj mes Imam Aliut dhe Mavijes, mes Imam Husenit dhe Jezidit si edhe mes Muhtarit me Mervanin (birin e Jezidit), pra, luftëra të pandërprera mes dy fiseve që shkojnë nga një brez në tjetrin.
Poema fillon me lajmërimin e ardhjes së një feje të re me misionar Profetin Muhamed. Vazhdon me flijimin e nipit të tij Imam Husenit, me hakmarrjen e Muhtarit, stërnip i brezit të katërt, dhe përmbyllet në këngën XXV me një mesazh për popullin shqiptar, për të krishterët dhe për myslimanët. Naimi do të edukojë te bashkatdhetarët ndjenjat e larta të fisnikërisë, të humanitetit, të besimit në hyjnoren.
Për lexuesin e sotëm një poemë si “Qerbelaja”, përtej mesazheve fetare, ia vlen të lexohet për shijen e tragjikes, për madhështinë e flijimit njerëzor, për bukurinë e gjuhës, për rrjedhën muzikore të vargjeve, për arkitekturën mjeshtërore të strukturës së saj, për cilësitë artistike të një vepre të periudhës së pjekurisë të një poeti si Naim Frashëri.
(Tiranë, 20.10. 2020, temë e mbajtur me rastin e vitit të Naimit në Kryegjyshatë bektashiane, Tiranë).

Please follow and like us: