Albspirit

Media/News/Publishing

 Sabina Darova: Profesionet lindin duke luajtur…

Moda, e quajtur ndryshe historikisht, kostume, lindi pjesërisht si nevojë e njeriut e lidhur me mbijetesën për t‘u mbuluar me veshje, lëkurë apo materiale të përpunuara për t‘u veshur. Mbas lashtësisë, veshja fitoi edhe nje funksion të saktë social, akt që vendoste në dallim klasat shoqërore, fetare, administrative dhe ato ushtarake.
Në Pesëqintën, filluan të shpërndaheshin kukulla me përmasa të vogla me veshje të modës së fundit, të kuruara në detaje. Mbreti i Francës Francesco i Parë, i shkruan një letër Isabella d‘Este, dukeshës së Mantovës, e cila ishte mjeshtre e modës, për t‘i dërguar atij një kukull. Nga shek XVI edhe në Venecia ekspozohej në rrobaqepsi një kukull që quhej “Piavola de Franza” (shprehje në gjuhën veneciane dhe që kishte parasysh një kullull marramendëse, që kishte përmasat e një manekini dhe vihej në dukje me veshjet e qepura sipas modës në ato kohë e që çudiste të gjithë). Më pas filluan të qarkullojnë parfumet italiane në Paris dhe gdhendja e metaleve. Të gjitha këto i hapën rrugë zhvillimit të modës në kryeqytetet më të rëndësishme të botës.
Por, le të ndalemi tek kukullat, aty ku filluan provat e para të veshjeve.
Siç e dimë, një nga lojrat më të dashura për vajzat janë kukullat, me të cilat kalohet një pjesë e mirë e fëmijërisë. Dhe bashkë me to, vogëlushet apasionohen me veshjet e këtyre kukullave duke i modeluar sipas dëshirës të influencuara nga programet e panumërta në net dhe në tv. Kjo lojë ju shërben atyre si lojë edukative sepse zhvillon fantazinë krijuese dhe stimulon sekuencat llogjike.
Nganjëherë ndonjë nga vogëlushet, këtë pasion e kultivon dhe nga një pasion i kalimit të kohës bëhet një nevojë e brendshme që nxit vullnetin dhe punën për të modeluar dhe qepur një garderobë veshjesh të pasur. Sikur merr format e një profesioni.
Një nga këto, është vogëlushja 9- vjeçare, Ester Ndreu e cila ndjek klasën e katërt.
Ester, pasionin e saj për modën dhe jo vetëm (kuzhinën), ka filluar t’i ndjejë kur ishte 3-4 vjeç, ndërsa luante me motrën e saj, Ilirida, pak vite më e madhe se ajo, e cila studjon piano dhe shkruan në mënyrë perfekte në gjuhën angleze.
Por, aftësitë krijuese të Esterit filluan të buisin në një periudhë pak të veçantë, atëherë kur familja e saj dhe bashkëqytetarët u mbyllën në shtëpi për t’u mbrojtur nga virusi i tmerrshëm Covid-19, i cili kushtëzoi të gjithë botën. Në ditët e gjata të pranverës së kaluar, Ester kalonte orët e përqëndruar mbi copat shumëngjyrshe për t’i modeluar dhe dhënë formë mbi trupat e kukullave të saja.
Filloi të përdori gërshërën, metrin, penjtë dhe gjilpërën.
Kjo punë me ngulm e pasion nuk kaloi e pa venë re. Familjarët dhe shoqet mbetën të befasuar nga veshjet e bukura që ajo modelonte për kukullat e saj. Dhe filluan të arrijnë porositë si tek një disegner e vërtetë për të modeluar veshje për kukullat e shoqeve, por edhe nga vogëlueshe të panjohura. Filloi të bëhej e njohur në qytetin e saj të gurtë, në Krujën e Skëndërbeut.
Edhe pse shkolla ka filluar, motrat gjejnë kohë si për të modeluar fustane, ashtu edhe për piano dhe për të shkruar.
Në kulturën kineze, fati i një fëmije caktohet në moshën 5-vjeçare. Në kopështin e fëmijëve, mësueset vërejnë aftësitë dhe pasionet e fëmijëve dhe përcaktojnë se cilën shkollë duhet të vazhdojnë në të ardhmen.
Duke i uruar suksese Esterit në krijimet e saj si modeliste dhe një të ardhme në fushën e modës, ftojmë prindërit e vogëlushëve t’iu qëndrojnë më pranë pasioneve të tyre dhe t’ua ushqejnë duke lënë prapa krahëve paragjykimet dhe neglizhencën.
Please follow and like us: