Albspirit

Media/News/Publishing

Rikonstruktohet shtëpia e At Gjergj Fishtës

Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është rindërtuar duke u shndërruar në atraksion turistik që nxit potencialin e të gjithë zonës.

Shtëpia e rinovuar u përurua ditën e sotme gjatë një vizite të Kryeministrit Edi Rama në Fishtë të Lezhës.

Shtëpia e rindërtuar e At Gjergj Fishtës çeli dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, në Fishtën e bukur, që sipas Kryeministrit Edi Rama, “prej sot ka një arsye më shumë për t’u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare”.

“Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenurit “Homerë të Shqipërisë”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima”, tha Rama.

“Të dy të ngjizur me mistikë e të përkryer në politikë, në politikën e shërbimit të kombit të vuajtur e të paepur, jo në atë të “vagabondave e shakllabanve, që rrin tash sa mot tu’u talle npër ne, me na qelb fis e atdhe””, vijoi ai.

Rama tha se “At Gjergji ishte ëndërrimtar e ishte usta”. “Prej oratorisë s’krështenë, formue pranë De Martinos dhe Mihaçeviqit dhe nën hijen e “cathedra Petri”, në një kohë lulëzimi të literaturës katolike, françeskani sqimatar përftoi nji t’ligjëruem plot tharm e forcë që mbas vedit tërhiqte gjithkënd”, tha ai.

Sipas Ramës, “Zoti i Shqiptarëve e begatoi me ndjesitë e dhuntitë më depërtuese në shpirtin shqiptar”. “Stoicizmi i tij ishte sa diellor aq dhe hënor. Për ne shqiptarët, ai është një zgjidhës nyjesh gordiane, nga ajo e alfabetit dhe paqtimit mes elitës katolike e shtetit modern shqiptar, tek ruajtja e kufijve të jashtëm të këtij vendi e naltësimi në vendin që i takonte të “universitas” gegë në të larmishmen Shqipëri. Sa ishte një Homer shqiptar i thellësive shpirtërore, Gjergj Fishta ishte edhe një Perikli i betejave madhore”.

“Si një françeskan i mirë përpara sulltanit të Egjiptit, trubaduri i Lahutës së Malcis u bë mburojë e së drejtës dhe e drejtpeshimit; këtu duke marrë në mbrojtje Shqypnin e mesme, që ca intelektualë me poture e quanin djep të anadollakëve, aty tue lshue anatemën mbi ksenofobinë me guzhinjeta. Ky frat që kishtë bredhur botën e në gjoks mbante dekoratat e shteteve fqinj, ishte një patriot i kulluar dhe një antinacionalist i bekuar; frymëzuesi i më të mirëve të këtij vatani dhe tmerri i mediokërve të çdo sahani.
Meshtari që kremtonte veç në gjuhën e Horacit e të Shën Jeronimit, e që në atë rang e nivel ngriti gjuhën e shqiptarëve të maleve, është përnjimend një Judas Makabe i shekullit XX. Heroit të madh biblik judeas që aq shumë e frymëzonte, Gjergj Fishta i përngjan për nga ideali, martiri shpirtëror, përkushtimi ndaj tempullit të Zotit e altarit të atdheut dhe fjala që kocka s’ka po kocka thyen. U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë! “Ave Reverende Pater ac summe magister, morituri te salutant”, tha Kryeministri.

Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe Rilindasve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria kaloi vitet e tij të rinisë.

“Për herë të parë, shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008, por asnjëherë në të nuk ishte vënë dorë, duke bërë që ajo të degradonte deri në pikën që të rrezikonte shkatërrimin e plotë. Për fat të keq, shtëpia ku Ati lindi tashmë nuk ekziston më. Godina u shpall monument kulture në vitin 1991, por në 1994-n u shemb përfundimisht. Në atë vend mendohet të ngrihet një shesh dhe një monument përkujtimor për veprën dhe jetën e Gjergj Fishtës.

Rindërtimi i shtëpisë ku Fishta kaloi fëmijërinë e tij, sipas Ramës, është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij.

Midis ndërhyrjeve të studiuara, sipas Kryeministrit, është famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua në moshën 6-vjeçare talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe shkolla françeskane në Shkodër, aty ku Gjergji mori formimin e tij të parë.

“Një fond i posaçëm pritet t’i dedikohet restaurimit dhe pasurimit të bibliotekës brenda Kuvendit dedikuar figurës së Fishtës. Një tjetër gjurmë fishtiane është Kuvendi i Troshanit, i inaguruar në vitin 1882, vendi ku Ati kthye në vendlindje si mësimdhënës. Brenda Kuvendi të Troshanit, i shpallur monument kulture shumë vonë, vetëm në vitin 2017, mendohet të krijohet një kënd unik dedikuar Fishtës. Një tjetër propozim i përket restaurimit dhe muzealizimit të selisë së shoqërisë “Bashkimi”, që bashkoi së bashku me Fishtën edhe personalitete të shkëlqyera si Luigj Gurakuqi, Dom Ndoc Nikaj, Atë Ambroz Marlaska, Franc Baron Nopça, etj. Në shoqërinë “Bashkimi”, Fishta mori pjesë aktivisht në të gjithë botimet e shoqërisë, duke nisur nga Abetarja, librat e këndimit dhe deri tek përpilimi i një fjalori të vyer të gjuhës shqipe”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “shndërrimi në muze i kësaj godine, aktualisht gjysmë të rrënuar, në lagjen Sarreq të Shkodrës do t’i shtonte pas Marubit një tjetër muzeum me shumë vlera Shkodrës”.

“Të tjerë objekte ku mendohet të ndërhyhet për t’u përkujtuar jeta dhe vepra e Gjergj Fishtës janë Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë si dhe Kisha famullitare e Gomsiqes. Ekziston gjithashtu një propozim për të krijuar një kënd të ri dedikuar Fishtës edhe në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, në Maqedoni dhe ku Fishta, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” ligjëroi në mbështetje të një alfabeti latin”, tha ai.

Paralelisht, Rama tha se “Ministria e Kulturës ka parashtruar edhe disa propozime të tjera, si ai për ngritjen e një faqe dixhitale që të përkujtojë jetën dhe krijmtarinë e At Gjergj Fishtës, nritja e një memoriali të bashkëjetesës fetare në Shkodër dhe në Tiranë, ku të citohen fjalët e Papa Françeskut në vizitën e tij në Shqipëri, kur tha se: “Në Shqipëri nuk ka bashkëjetesë fetare, por vëllazëri fetare” dhe ngritja e një busti në “Villa Borghese” në Romë, krahas autorëve të tjerë të famshëm si Gëte”.

Fshati Fishtë është gjithashtu një ndër përfituesit e programit të “100 fshatrave” turistikë.

Rama tha se “këto do të ishin të paplota, nëse edhe fshati Fishtë nuk do t’i nënshtrohej një ndërhyrje të plotë dhe të gjithanshme, si pjesë e projektit të “100 fshatrave””.

Ndërkohë Rama tha se duke mos mundur t’ia shkatërronin Lahutën edhe pse ia kyçën dhe e bënë shumë të vështirë për ne, Fishtës i përdhosën varrin dhe eshtrat.

“Fatkeqësisht për Fishtën gjërat nuk shkuan aq mirë as kur ndryshoi regjimi dhe emri i tij u mor dhe u përdor si dekoratat që u shpërndanë, të cilat thuhet se janë për ata të cilëve u jepen, por në fakt janë dekoratat për ata që japin. Ia japin vetes për të dhënë një fuqi imagjinare për të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “Fishta u fut në të gjitha gojët e çliruara deri në shthurje për ata që u sollën si krijuesit e lirisë dhe demokracisë dhe në fakt gurët e shtëpisë së tij u morën pikërisht kur emri i tij u rikthye në skenë si një pikë referimi”.

Parafytyroni, tha Rama, që “në 1991 kjo banesë u shpall Monument Kulture dhe në 1994 u shkatërrua”.

“Jam i bindur që edhe tani që flasim ata që na ndjekin dhe kanë mundësi të bëjnë komentet e tyre, ka ndër ta që po shkruajnë ne s’kemi bukë ju merreni me Fishtën, me shtëpi, kalldrëme, zbukurime, kulturë etj. Por në fakt e vërteta është që shqiptarët, nga koha e Skënderbeut nuk kanë regjistruar asnjë të vdekur për bukë. Ato ndodhin në kontinente dhe zona të tjera, ndërsa shqiptarët kurrë nuk e kanë pasur rrezikun e vdekjes për bukë, as në komunizëm, as para dhe as mbrapa”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ajo që shqiptarëve u është mohuar vijimësisht ka qenë buka shpirtërore e kulturës, e dijes dhe ndërkohë që varfëria ka qenë dhe mbetet një armik për t’u shpartalluar hap pas hapi, ajo që vjen dhe rivjen si reflektim nëse duam të shohim burimin e problemeve tona, është një varfëri tjetër, ajo e aspiratave, që është nëna e të gjitha varfërive”.

“Kjo banesë këtu është realizimi i një aspirate jo thjesht për të vënë në vend gurët e shtëpisë së Fishtës, por një aspiratë për të shtuar bukën e kulturës në një vend ku kjo nevojë është e jashtëzakonshme. Ajo që i ndodhi pasurive tona kulturore qoftë më parë, qoftë më pas, në kohën e dy gishtave, është arsyeja themelore e shumë pasojave të tjera që ne vazhdojmë t’i vuajmë sot e gjithë ditën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “u shkatërrua varri i Skënderbeut, u vendosëm në listën e zezë të UNESCO-s, Berati e Gjirokastra, u rrënuam sa sa monumente të tjera kulture dhe u la gjithë pasuria në dorë të Zotit dhe fatit”.

‘Ne nuk kemi bërë ndonjë mrekulli, por kemi bërë për të gjithë këtë pasuri më shumë aktualisht se sa të gjithë të tjerët të marrë së bashku me dekada. Na doli papritur një shpirt revolte për një godine mes Tiranës që nuk ishte as monument kulture, as kishte lidhje me kulturën e trashëgiminë kulturore. Edhe ajo ishte tregues i devijimit në drejtim të paditur për shkak të mosushqimit për shumë vite e dekada me bukën e kulturës”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi veçanërisht iniciativat private në drejtim të zhvillimit të agroturizmit dhe gjithë zonës.

“Kam bindjen se zona e Fishtës i ka të gjitha mundësitë që të kthehet në një destinacion të hatashëm jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt”, tha Rama.

Ai theksoi se “kjo nuk do të kishte ndodhur nëse vetë fshati Fishtë nuk do t’i nënshtrohej një procesi rijetëzimi dhe restaurimi hap pas hapi që e gjithë zona të fuqizohet”.

Please follow and like us: