Albspirit

Media/News/Publishing

Almira Emiri, pianistja që na krenon në Budapest

Pianistja e njohur shqiptare Almira Emiri nga Gjirokastra ka nisur të merret me muzikë që në moshën 9-vjeçare. Ka kryer vetem 5 vite shkollë fillore në Shqipëri e më pas jeta e saj është zhvendosur në Hungari. E ftuar në emisionin “Boeing 104.6” në Premium Channel dhe Radio Travel, ajo rrëfeu karrierën e saj artistike në Budapest. Që në vitin 1995 e deri sot, për të rruga profesionale nuk ka qenë e lehtë, por falë talentit dhe përkushtimit, ajo ia ka dalë. Aktualisht Almira gjendet në Berlin ku është bllokuar për shkak të pandemisë, por nuk i ka lënë koncertet sapo gjen mundësi. Në Budapest promovon shumë kulturën dhe artin shqiptar, ku nuk lë pa përmendur Çesk Zadenë, Vaso Tolen e shumë të tjerë.

ALMIRA EMIRI ËSHTË KONCERT PIANISTE NDËRKOMBËTARE!

E lindur në Shqipëri ajo filloi edukimin muzikor në Shkollën e Muzikës “Jakov Xoxa”, Fier, (Shqipëri). Pasi fitoi Konkursin Kombëtar të Pianos në moshën 9 vjeçare (C.I.C.A.L.-Durrës) ajo dha recitalin e saj të parë dhe shkoi në një koncert turne në Itali për një muaj rresht.

Prej moshës 12-vjeçare ajo vazhdoi edukimin dhe karrierën pianistike në Hungari, ku u shpall fituesja e Konkursit Kombëtar të Pianos disa herë. Ajo u diplomua në Konservatorin “Bela Bartok” dhe në Universitetin e Muzikës “Franc Liszt” në Budapest, si dhe në Universitetin e Muzikës dhe Arteve në Grac, Austri. Gjatë viteve të arsimimit Almira fitoi disa çmime në Konkurset Ndërkombëtare për Piano.

Është diplomuar:   “Master Koncert Pianiste”  “Pedagogji” dhe “Muzikë Dhome”.

Në Grac, Almira themeloi trion e saj “Babameto Trio” dhe grupin unik pianistik “Degustation Pianistic”, më vonë dhe “Isralb Duo” dhe grupe të ndryshme të muzikës së dhomës që performonin në Austri, Hungari, Izrael etj. nëpër Europë. Në përsosjen e cilësive interpretuese të pianistes kanë kontribut pianistë të shquar si Maria Rafaeli, Larisza Bornemissza, Mariann Ábrahám, Lehel Both, Annamaria Bodoky-Krause, Milana Chernyavska dhe Eugen Jakab. Është e vlerësuar gjithashtu me diploma në master klasat me Dimitri Bashkirov, Rudolf Kehrer, Vitaly Margulis, Alexander Satz, Imre Rohmann dhe Livia Rév.

E ftuar,  mori pjesë si anëtare e jurisë dy vjet rresht, 2014/15, në konkursin ndërkombëtar të pianos, “Concours-Festival” në Konservatorin e Parisit, ku inkurajohen talentet e reja për të interpretuar muzikën moderne dhe atë bashkëkohore.

Me repertor gjithpërfshirës të muzikës klasike, si soliste dhe në muzikë dhome ajo ka luajtur në sallat të koncerteve dhe festivaleve ne Hungari, Austri, Itali, Francë, Kroaci, Izrael, Portugali, Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Kosovë etj…Seriali i koncerteve nën siglën “Almira Emiri & Friends” ka marrë mjaft vlerësime nga kritika… Koncertet janë regjistruar dhe transmetuar në kanale televizive dhe radio të ndryshme.

Tani ajo i është dedikuar serisë koncertale:

“Koncerti rus”, ku paraqet kompozitorë të ndryshëm nga koha e Bashkimit Sovjetik, si Aleksandër Mosolov, Viktor Kosenko, Boris Lyatoshinsky dhe Boris Pigovat, (kompozitorë të mëdhenj, lënë në hije nga politika…)

“Hungarissimo” ku prezantohen vepra të kompozitorëve hungarezë.

“Isralb Fest” një platformë që sjell ne bashkpunim artin Izraelit dhe atë Shqiptar me artistë të të dy vendeve.

https://almiraemiri.de/

Please follow and like us: