Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Dibra e Madhe, Elbasani, Peja… mbijetesa e teatrit në kohë pandemie

Edhe kur duket çdo gjë si e pamundur, do të gjendet një “shteg”, një zgjidhje mbijetese, aq më tepër kur shpirti i njeriut e ka përcjell në mijëra vite këtë “shtjellim jete” që quhet Teatër. E kanë dëshmuar shekujt ndër ato shkallare gjysmërrethore prej gurësh, të cilat kanë mbetur edhe sot në Greqi, Romë, Shqipëri e gjetkë, si vlerë e një arti të pavdekshëm. Po, e pamë edhe në këto dy muajt e fundit në Dibrën e Madhe, në Elbasan dhe tani së fundi në Pejë, ku mbijeton Teatri Shqiptar në kushte të tjera, bëhen shfaqje përsëri, në rrethana të jashtzakonëshme. Covidi-19 nuk e pati të mundur ta nënshtronte e ta mbyllte teatrin përgjithmonë. U gjendën trajta e forma që, gjithsesi Teatri ta vazhdojë veprimtarinë e vet, duke  i lëvizur maskat e dikurshme nga skena në sallën e spektatorëve, duke ruajtur distancat e tyre dhe duke e zhvendosur spektaklin në vënde e mizanskena më të hapëta , jo pak herë me më pak personazhe e spektatorë. Doemos që është cenuar së shumti bukuria, madhështia e vlera universale e këtij arti të madh, në marrëdhënie të drejtpërdrejta me publikun. E megjithatë, në këtë kohë të ndërmjeme, midis Pandemisë e normalitetit, u pa si më efikase dhe më e manovrueshme Mono Drama, Dia Drama, Teatri i një aktori, si edhe Performanca Artistike Skenike. Se është e pamundur ta mbyllësh e ta ndrydhësh aktorin e regjisorin “brenda mureve” të shtëpisë së tij, kur gjithkushi nga artistët e skenës duhet të punojë e te krijojë, për t’i dhënë publikut kënaqesinë e madhe të këtij arti të mrekullueshëm.

Pejë 2020

Kjo dëshmi e veçantë pati përqasje edhe në Pejë të Kosovës këto ditë, ku në pesë ditë u zhvillua Festivali Ndërkombëtar i Monodramës, nën siglën “MONO AKT-Edicioni 12” (23-27 tetor 2020), me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria. U bashkuan me këtë veprimtari edhe studentët e aktrimit në Fakultetin e Arteve, me performancat e tyre interesante të krijimtarisë skenike. Me spektatorë më të paktë doemos, duke ruajtur distancat e qëndrimit, me maskën që rekomandohet kurdoherë, deri në shmangien e flamës kërcënuese. Gjithsesi bëhet teatër edhe këtu në Pejën e freskët e të bukur, që e tejshkon Lumi i Bardhë, rrethuar nga kodrinat e blerta, në një mot të pëlqyeshëm për ata spektatorë Pejanë që ndoqën shfaqjet e trevave shqiptare, ku nuk mundën dot të vinin edhe kolegët e tyre nga Shqipëria e Kroacia, po prej murtajës kërcënuese… Gjethet e vjeshtës kanë krijuar tashmë tablonë më të përsosur të natyrës, nuk duken më muret e nxira e çatitë e rrëzuara që nga koha e luftës, që shtriheshin në të gjitha udhët e Kosovës dhe, në sytë e kalimtarëve nëpër rrugët e qeta, në sheshet e pastërta e me plotë drita, si edhe para Teatrit “Istref Begolli” ndrisin sytë mbi maskat e zeza, nga agimet e një jete tjetër, megjithatë. Tërheq vëmëndjen fasada e zbukuruar e Teatrit, posteri gjigand i piktorit Zeni Ballazhi, si edhe programacioni që i fton ata nëpër mjedise të ndyshme për të parë shfaqjet. Midis të dyja urave ku gurgullojnë ujërat shpërthyese nga “Gryka e Rugovës” dhe që varen mëtëposhtë, shtrihet parku  i madh i qytetit ku bien në sy shtatorja e poetit Jusuf Gërvalla nga njeri krah dhe ai i Ibrahim Rugovës nga krahu tjetër, mbuluar nga pemët e larta e rrethuar prej qiparizeve të dëndura e të përkulua nga era e buzëlumit.

Dikur këtu, në Teatrin “Istref Begolli”, ka patur një jetë të gjallë artistike, shfaqje me vlere dhe janë evidentur aktorë të mëdhenjë të Kosovës. Pranë kësaj skene, përveç figurës madhore të Istref Begollit, kanë interpretuar edhe artistë të tjerë me emër nga Peja si: Faruk Begolli, Krist Berisha, Çun Lajçi e Mentor Zymberaj. Stafetën, tashmë e ka marrë ky i findit, me një energji potenciale, si aktor, regjisor, pedagog, si edhe ideator e organizator e këtij Festivali të profilizuar të “Mono-Aktit”.

Mentori

Si pjesëmarrës i dy edicioneve të para të festivalit në fjalë, më duhej të bindesha që Teatri, si vatër krijuese potenciale dhe e vazhdueshme, ka nevojë të përhershme për artistë të tillë të përkushtuar dhe poliedrikë, që të bashkojnë në vetvete të gjitha vlerat e qënësishme të artit skenik, kundër përgjumjes, gjendjes inaktive, apatisë edhe në kohë normale, gjithmonë në pritje nga regjisori, drejtuesi e pushtetari që ndodhet mbi kryen tande e që e ka e s’e ka ,”qeskën me para”! Mentori shkruan edhe vetë, interpreton e bënë edhe regjisurën e vetvetes, lexon, studion, jepë edhe lëndën e “Lëvizjeve Skenike” ne Fakultetin e Arteve , si edhe atë të “Mjeshtërisë së Aktorit”, kryen aktrim e regji filmi dhe është i pranishm në shume festivale filmi e teatri në disa vënde të botës, nga ku, jo pak herë “ka rrëmbyer” shumë çmime ndërkombëtare.

Me ka mbetur në kujtesën time pjesa taetrore, në këtë gjini, me titullin “Kronisti i të vrarëve”, ku ai është: autor-aktor e regjisor njëherësh, me skenografinë shprehëse të kolegut, piktorit të talentuar Zeni Ballazi dhe jep frikshëm këtu atmosferën e një jete të vdekur, nëpërmjet një peme tërësisht të zhveshur, si vetë edhe jeta e tyre e shkrumbuar dhe e dhunuar, nën të cilën shtrihen kufomat e të vrarëve nga militaristët serbë dhe ku, Kronisti Serb, i interpretuar nga Mentor Zymberaj në rolin e tij më cinik, gjatë kontrollit të kufomave, arrin deri në shkallëzimin kafshëror për të bërë seks me një të vdekur që akoma s’i kishte dalë shpirti! Një monstruozitet lebetitës! Dhe, kur e dha Mentori këtë monodramë tronditëse në një Festival të kësaj natyre ne qytetin e Korçës, pas kulisave të skenës, do ta ndiqte aktrimin e jashtëzakonshëm, të aktorit nga Kosova, me plotë ankth të elektrizuar, një aktore Serbe e Teatrit të Beogradit, mike e Milosheviçit, në po ato ditë, kur ai jepte llogari në Hagë për krimet e tij të luftës. Teatri, me forcën e vet të jashtëzakonshme, po e shkëndiste dhe e përmendte, edhe këtë artiste, e cila kishte përjetuar deri atëhere të kundërtën, ndërkohë që raportet  e jetës dhe të vrasjeve të dhunshme, të luftës e të politikës, si edhe të vetë egzistencës se teatrit, po ndryshonin nëper vite e dekada anormaliteti!

Pra, Festivale të tilla të profilizuara e me vizione bahkëkohëse mund të drejtohen prej artistësh të tillë, si Menor Zymberaj,si edhe nga personalitete të zëshme, sikundër kishte arrdhur në Festivalin e Elbasanit Regjisori Mustafa Kurti nga Turqia, duke qenë njëherësh edhe Drejtor i disa teatrove të Ankarasë, si edhe Drejtor i një Festivali Teatror Ndërkombëtar me traditë, i cili se kishte për gjë të punonte edhe si puntor skene për ngritjen e montimin e skenografisë, si edhe ndrrimin apo çmontimin e saj! Por, edhe ky Mentor Zymberaj, Drejtor i Festivalit të Pejës, Pedagogu i Fakultetit të Dramës,interpretuesi i disa roleve të rëndësishme në Teatrin Kombëter dhe në filmat e rinjë të Kosovës, përgatit si i pavarur edhe spektakle të monodramës, për t’i shfaqur ato edhe jashtë shtetit, nga ku eshtë kthyer me disa çmime kryesore, si nga nga Izraeli, Gjermania, Kili, Ukraina etj, pa u larguar nga detyra honorifike që i është ngarkuar nga Forumi Ndërkombëtar i Monodramës, si edhe nga Drejtimi i  Shtëpise Teatrore e Filmike “ART” të Kosovës, të themeluar nga vetë ai.

Artistët e rinj të Kosovës

Në kuadrin e këtij Festivali po ndiqja edhe punët e pavarura të studentëve të aktrimit në Fakultetin e Arteve dhe mbushem me ajrin e kënaqësinë që ka hapësira skenike brënda procesit krijues. Etyde te Mono Spritit e te Mono Performancës, të cilat shpehnin forma e koncepte bashkëkohore, direkt nga jeta e tyre, me plotë fantazi krijuese. Ndër ta ne pamë që të gjitha elementët e “Mjeshtërisë së Aktorit”, të “Teknikës së Lëvizjeve Skenike” të të vepruarit me objekt e pa objekt, me organicitetin e natyrshmërinë e duhur, brenda rrethanave konkrete e atyre imagjinare. Këto elemente bazë ishin baza e përgatitjeve të tyre mësimore, si artistë, ku përsëri pedagogu i tyre Zymberaj  kishte rolin e drejtuesit artistik. Për tematikën jetësore, për mesazhet njerëzore e nivelin artistik të këtyre performancave, ato u paraqitën edhe si pjesë organike të ketij festivali, bile duke i dhënë atij edhe një shtrirje vizionare bashkëkohëse. Midis tyre evidentoheshin edhe studentë-aktorë fortë mirë të përgatitur si Donika Zeqiri , ku performanca e saj pati nivelin artistik të profesionalizmës, me organicitetin, saktësinë e të vepruarit, po edhe me anën lirike. Me admirim u ndoq edhe studentja tjetër e aktrimit Flaka Latifi në Mono Stripin e saj, me lirshmërinë, vëmendjen dhe fantazinë e veçantë  që rrëfeu e që i shtynë të dyjave natyrshëm, drejt vlerësimit nga Juria e Festivalit me Diploma Nderi.

Vendasit dhe mysafirët

Polya Yordanova 

 

Pjesëmarrja e artistëve të tjerë nga profesionistë tanë, ndonëse linte për të dëshiruar, si përzgjedhje e nivel aristik, ndryshe nga vitet e tjera, kur prurjet ishin shumë më të mëdha, më  të zgjedhura e të interpretuara, shënonte thjesht një përkujdesje të paktë në repertorin kombëtar të monodramës, ndërsa ajo e fqinjëve nge Mali i Zi dhe Bullgaria, pasqyroi një seriozitet më të ndjeshëm, aktrim e regji të nivelit pofesional. Për të theksuar e evidentuar posaçërisht interpretuesen Polya Yordanova nga Teatri i Dramës të qytetit Gabrovë të Bullgarisë, me regji të Ana Batevës, ku shpehet me forcë artistike fati dramatik i një vajze të thjeshtë e të braktisur nga i fejuari i saj, në pragun e martesës. Ajo hyn në skenën bosh, ku ka vetëm një karrige, me një torbë në krahë, e dërmuar, tok me  brengën e braktisjes, fshehur aq bukur në vetëdije. Me një vërtetësi të jashtëzakonëshme, ashtu thjesht e me dhimbje, ajo arriti të shprehë me finesë, jo vetëm vuajtjen e braktisjes, po edhe protestën e saj individuale, kundër moralit të rremë e cenimin e dinjitetit njerëzor. Duke arritur kulminacionin e vet disa herë dhe kur, në atë gjëndje të mjerueshme do të zhvishte për të provuar fustanin e nusërisë, si të ishte në ëndërr dhe lotët i varen në fytyrën e tretur, ashtu natyrshëm sa më s’ka! Edhe monodrama quhet “Ëndërra e Natashës”, po ajo nuk ishte thjesht një ëndërr, po një realitet i hidhur njerëzor që takohet jo pak herë në radhët e të rinjëve e të  rejave. Po kaq edhe në seancat e shumta të gjykatave… Aq sa kjo “vepër e vogël” e përmasave të mëdha e dramturges Yrosllava Pulinovich është luajtur në 80 vende të botës…

Slobodan Marunovic

Shfaqja më e mirë e cilësuar si e tillë u dha nga Teatri Kombëtar i Podgoricës i Malit të Zi, në mbyllje të festivalit. Ajo quhet “Ora e fundit e jetës së Njegoshit” në kuadrin e një legjende të lashtë, mbi raportet e egzistencës e të mosegzistencës, me një interpretim klasik nga aktori i mirënjohur i këtij Teatri Slobodan Marunovic. Gjithçka u zhvillua pranë një qiriri të ndezur e librit të lutjeve, shoqëruar prej një liturgjie plot jehone dhe të gjëmimeve qiellore që duken si të dërguara nga vet Zeusi, Perendia e gjithësisë Pagane. Aktori mjeshtëror i jep gjithë kësaj tabloje fundore të jetës së tij një ngjyrim mistiçizmi, enkas, midis jetës e vdekjes, me një dramatizm të thellë, ku bie në sy e në vesh, diksioni i tij i pastër e zëri fondamental, Ndaj, i gjithe spektakëi i tij u vlerësua si shfaqja më e mirë e këtij festivali të rëndësishm në profilin e vet, për t’i mbajtur të ndezura “dritat jeshile” të skenës!

Please follow and like us: