Albspirit

Media/News/Publishing

Luljeta Lleshanaku: Nuk është koha…

Nuk është koha për ndryshime
dhe, me sa mbaj mend unë,
asnjëherë nuk ka qenë një kohë e tillë.

Shtëpia frenon. Mbase gjithçka është kaq e rreme.
Gorricat, unazat, makina e qumështit, fëmijët e ngecur
si gjilpërat me kokë
në një xhaketë pa jakë te rrobaqepësi,
që pret për një tjetër provë…

Zakonisht, hemofilia dhe nevoja për ndryshim
trashëgohet në linjë mashkullore.
Burrat mund t’i njohësh vetëm në profil
(si monedhën romake me kokën e Çezarit),
me shikim të ngulur drejt humbjes.

Kurse gratë janë ato
që nuk harrojnë të ndezin llambën e verandës në mbrëmje,
rrethuar nga mushkonjat,
me bindjen se, pavarësisht se si,
çfarë është shkruar për të ndodhur, do të ndodhë.

Please follow and like us: