Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: KRISHTLINDJE 2020

E ç’lesh Krishtlindjesh do festojmë,
kur s’mund të dalim, të gëzojmë,
të hedhim vallen si dikur,
të lidhim besën: – për flamur!
As në kishë nuk vemi dot,
u bëmë për t’u qarë me lot,
mbyllur brenda si gaforre,
pa lekë, pa një notë gazmore?!
Fill i vetëm dhe beqar,
të rri brenda si zuzar?
Le që jam dhe ortodoks,
fenë në shpirt, kryqin mbi gjoks!
Të rri mbyllur? – Jo or gaz!
Mbahet ujku në kafaz?!
Rri luani në zinxhir?
Ashtu thua? – Mirë o mirë!…
Dhe vras trurin ditë e natë,
të gjej shteg, për pak gallatë,
për pak festë, për pak shamatë.
Të dal këtu në gjitoni?
– Pa mblidhe mendjen, o njeri!
K‘tu janë mbledhur tërë spiunët,
tërë kopracët dhe majmunët,
parazitët, të papunët
ca sarhoshë antipatikë,
vulëhumbur, pasanikë,
të mërzitshëm, rakitikë,
që merren me politikë.
***
Or po nuk pyes njeri
karantinë a polici,
do nisem si div e trim,
ta shtroj me kumbarin tim!
Është ca larg, në lagjen tjetër,
porse unë jam stekë e vjetër…
E mendova e vendosa,
vura firmën dhe vulosa!
Sepse Tasua, kumbari,
Është azgan, djalë për së mbari,
i mbledh lekët me luhare:
– Dhe gruan, e ka Korçare!
Bën ca meze, more shokë,
që të lenë pa mend në kokë!
Por gjë tjetër ta lexosh,
dhe krejt tjetër t’i shijosh.
Dhe e ka kumbari im,
yll mbi kokë, me plot shkëlqim.
Kjo hap gojën, ai: – Merre!
Vdes, si ta gëzojë me ndere!
Sepse Tasua more djem,
është i kamur. Po, ju them!
Biznesmen me një barrë hije,
me fabrika dhe anije!
Tregëtar nga më të zotët,
afarist, nga më të fortët…
Hiç, nuk kam për ta njoftuar,
do t’ i shkoj krejt i pa ftuar,
po, po, do t’i bëj surprizë,
t’i ha byrekun me gjizë…
të bërë nga kumbarja ime,
dhe s’do le kokërr, thërrime…
***
Pres të bjerë ca mugëtira,
edhe dal. – Më priftë e mira!
Pa marr rrugën nëpër natë,
sipër kroit, ndën lofatë.
Përballë kishës kur kaloj,
kryqin bëj dhe belbëzoj:
– Të falem i madhi Zot,
bëj një mrekulli dhe sot!
I ngjitem bregut përjetë,
shkas, rrëzohem nëpër fletë,
nxehem keq, pështyj dhe shaj,
por nuk tutem, ferrat çaj!
Më poshtë, sa kaloj hendekun,
nis dhe ëndërroj byrekun,
ëndërroj mezet e skarës,
bërë nga duart e kumbarës!
***
Mbërrij dhe i bie ziles,
fshihem me cep të mandiles,
pres në ngricë e në të ftohtë,
të më hapet ajo portë…
një dekik, një tjetër, dy,
or, po ka njeri aty?
Zgjatem që të shoh më mirë,
a ka dritë, a errësirë,
a mos vallë i ka zënë gjumi,
dhe mua po më merr lumi?!
Or, po si ka mundësi,
s’po marr vesh se qysh e si.
***
Shtyj pak derën. Ajo hapet.
Si meiti zvarris çapet…
Eci drejt, me gjak të ngrirë,
dhe me tmerrin në fytyrë…
Kur ç’ të shoh? Vatrën të shuar
dhe kumbaren flokëlëshuar,
të mërzitur, të dërmuar,
të pashpresë, të dëshpëruar.
– Kumbare, çfarë ju ka gjetur?
Më hedh një vështrim të tretur.
– Ku është Tasua, kumbari?
– Më njoftuan aty pari,
se ka mbetur në Athinë,
i sëmurë, në karantinë…
– Bo, bo, ç’e gjeti të zinë!
Ngrihet edhe më zhbiron,
më ngul sytë dhe më heton:
– Më thuaj, ti e beson?
– Pse mos ta besoj, ç’më thua?
– Them se është me tjetër grua!
Ai kumbari yt, zorzop,
që u fry dhe kurrë s’u ngop,
ka dashnore malukati!
– Joooo!
– Këtu buçet gjithë fshati!
Është e nxehur, e kuptoj…
Ka të drejtë?! Nuk e besoj!
Por ul kokën, e mendoj
dhe vendos ta këshilloj:
– Ec tani, mos fol teprime,
merre shtruar mikja ime!
Bota flasin me zili,
për kumbarin dhe për ti…
– Atë po! Po ç’kanë me mua?
– Je e bukur, goxha grua!
– Jam e bukur? – Një peri!
– Po kumbari yt e di?!
– Pooo, të do edhe ai!
– Pa rri urtë, mos i mbaj anë,
është një lolo, zabërhan,
mashtrues, murdar, hajvan,
përherë i njëjti avaz,
matrahul dhe matrapaz!
***
Them me vete: – si t’ ja bëj,
në udhë të Zotit ta kthej?
Ulem në oxhak, ndez zjarrin,
marr një gotë dhe hedh “Kamparin”,
i mbush një edhe asaj,
e ftoj të ulet. Pastaj,
i nis shtruar muhabetin,
që t’ia ndjej dhe unë lezetin…
Edhe nis që ta qetoj,
ta kënaq dhe ta gëzoj,
ta sajdis, ta ngushëlloj.
Unë i them, ajo më thotë,
herë me gaz dhe herë me lot,
duke pirë dhe nga një gotë,
i tregoj qyfyre plot,
i kujtoj kohën e vjetër,
nis i vjen një çehre tjetër,
unë rrëfej ajo nis qesh,
kthehet dhe më puth nën vesh
eh, kjo rrugë po merr për lesh
po ma bën mendjen, përshesh…
puth ajo, ia kthej dhe unë,
– e mori dreqi k’të punë –
mallukrepsemi pranë zjarrit:
– bëji të fala kumbarit
atij koqes së kandarit! –
Një çikë unë, më shumë ajo,
e po, dihet, domosdo,
po hodhe benzinë në flakë,
ç’është ai që s’ra në lak?!
– Hajt mor, mos u bëj merak,
se kumbari e ka hak!
– Atij le t’ i bëhet mirë,
i hante koka për brirë…
***
Ra kambana, dingi – danga,
unë me brekë, ajo me tanga,
kthyem fytyrat drejt lindjes,
bëmë adetet e Krishtlindjes…
dhe u nisem drejt krevatit,
që t’ i japim dum inatit!
Ma thosh i ziu kumbar
fort i dhjerë po dhe krenar:
– Mos rënç në inat Korçar! –
Ndërsa unë porsi Naimi,
Mendje – Madhi e Zemër Trimi,
them: “Të lumtë Korçarkë, oj nure,
q’i le pas shoqet e tua,
trimëreshë, në ballë u turre,
ta paça për jetë hua”!
Rroftë pra Korça dhe Bilishti,
Voskopoja e Tushemishti!
Rroftë Zemblaku dhe Ziçishti,
Ballabani dhe Vranishti,
Dhe Devolli rroftë e qoftë!
Inatin më shumë ia shtoftë!
***
Vjen Viti i Ri, gdhin një janari,
unë jam akoma tek kumbari,
dhe siç përtoj të heq jorganin,
këtu do ta festoj Shën Janin
e paskëtaj Shën Theofanin…
Të shtyj shkurtin, të pres marsin,
– të vrasë Çeçua bimbashin, –
t’ia marr këngës si tenor:
– O rrapi në Mashkullorë! –
Të shkojë marsi të vijë prilli,
ta ul festen si bandilli
dhe siç vemi të dy bashkë,
them të rri deri në Pashkë…
Me kumbaren përqafuar,
si zogj duke cicëruar,
si pëllumbat vidi – vidi,
dashuri në kohë kovidi!
Të pi verën kumbarore,
të thith puthje dashurore,
ta lëvdoj, t’i bëj hyzmetin,
t’i shtoj sojin, bereqetin,
ta shijoj drekën dhe darkën,
përqafuar me kumbarkën,
të shullëhem rrëzë një are,
të gëzoj ledhka korçare,
të ha meze nga tepsiçka:
– Kumbare, të lumtë… syçka! –
***
Ç’kuvendoj dhe unë truthari?
Do vë mend sa nuk është vonë!
Po sikur të vijë kumbari?!
“ – Lumi që mori Vunonë!… – ”
Eh, ma thosh gjyshe mavria:
– Ka telashe Kumbaria! –
25 dhjetor 2020.
Please follow and like us: