Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Gjarpër

Kam qenë gjarpër.
Nënat e Mëdha në Eufrat e Gaza
më mbanin në krah, në gishta
shtërpi të përdredhur në unaza.
Plakat e fshatit besonin,
se gjarpri s’ lind as vdes si trualli,
se gjarpri ka brirë, bishtra, flatra.
Labirintin e gjarprit kutullaç
në samar kërrmilli e shëtit mbi barëra.
Kam qenë gjarpër, hajmali,
litar i mbledhur shiu rënë mbi tokë,
shembëllim frike të shenjtë nëndheu
të një shpirti nga tjetër botë.
Nga Koha e Nënave
gjarpër kam qenë, vëlla me gur,
me shiun, me akullin vëlla,
me bar e lule i ngjeshur në lëkurë.
Në gjumë më ndodh të rrëzohem,
te hyjneshat Nëna në Eufrat a Hebron,
në fund labirinti kokëposhtë,
nëpër grykë pusi thëthitës që mbyllet kon.
Ndërroj shtatë herë lëkurë,
shtatë e shtatëdhjetë si shkurrja
për një gjeth vere, për një bilbil
prej lëkurave të gjarpërit njeri kam dalë,
labirint i vizatuar mbi kërmill.
Vitore në mur, thithkë nusesh, unazë qumështi
gjarpër- labirint – njeri,
nga gishta gjyshesh
mbij prapë me gurin me barin e ri./albspirit
Nga libri “Psalm per atin”
Please follow and like us: