Albspirit

Media/News/Publishing

Fahri Xharra: Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë

Edhe nëse është ditë ndeze qiriun që të gjesh njeriun e ndershëm” – Diogjeni (412- 323 prk)

 

Ligj kundër gjuhës shqipe. Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe ka lëshuar sulltani i Perandorisë osmane më 31 maj 1779, Abdul Hamiti II, ku përcaktohej saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqve e kulturës dhe gjuhës greke dhe se duhej luftuar gjuha shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki” (14 korrik 1999).

Ku jemi? Çka jemi? Për kend jemi? E duam ne vetvetën? Për shekuj me radhë turqit qëllimisht dhe sistematikisht kishin përçarë popullsinë shqiptare në grupe rivalësh, armiqësive fetare dhe zëvendësimin e gjuhës amtare shqipe me gjuhë të huaja. Ndonëse trashëgimia e panumërt e poemave, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta ishin përcjellë gojarisht brez pas brezi, qeveria turke i kishte ndaluar rreptësisht botimet në gjuhën shqipe.

Çfarë janë arësyet qe ne jemi tkurrur territorialisht dhe numerikisht si komb ne vazhdimësi?

“….kërcënimet telefonike dhe pëshpëritjet që kam dëgjuar nga disa anonimë dhe bashkëvendas: “Ja ky tradhtari që thotë se është shqiptar…”. Këto pëshpëritje dhe përbuzje i përjetova më së rëndi para pak ditësh, në drekën pas varrimit të bashkëvendasit tim, Jordan Llazarevski, ndjesë pastë, në fshatin Beliqica të Rekës së Epërme. Në atë drekë vetëm ndonjëri më përshëndeti, asnjëri nuk u ul në tavolinën time. Prifti, sapo më pa, më përshëndeti dhe më përqafoi. Shumë vetë u befasuan, ndoshta edhe u hidhëruan, sepse ngrysën fytyrat e tyre. Pastaj erdhi një zonjë te tavolina, ku isha i ulur vetëm. Ajo qe mbesa e një ish-funksionari të madh politik të RM-së. M’u drejtua: “Mund të ju pyes diç?”. “Urdhëroni, uluni”,- ia ktheva. Sapo u ul më foli paksa e egërsuar: “Vërtet, ke thënë se je shqiptar ortodoks, se në RMV jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë ortodoksë?”. “Po”,- iu gjegja, duke dhënë sqarimet vijuese: “E dini Ju, zonjë, se 95 për qind e pjesëmarrësve në këtë drekë varrimi flasin gjuhën shqipe, por ende detyrohen ta mbajnë fshehur…”. “Po, edhe unë di shqip, meqë gjyshja ma ka mësuar…”,- ndërhyri ajo. “Atëherë çfarë ishin nënat dhe gjyshet tona, që nuk dinin asnjë gjuhë tjetër pos shqipes…!?”.

Ajo nuk dëgjoi më gjatë arsyetimet e mia, e inatosur iku nga tavolina pa u përshëndetur dhe shkoi në tryezën, ku ishte më parë. Më nervozizëm po u rrëfente për bisedën tonë zotërinjve që i kishte në tavolinë…” ( nga shkrimi i Branko Manojllovskit).

Udhëpërshkruesi anglez H. N. Brailsfort, në librin e tij me titull: “Maqedonia, racat e saj dhe ardhmëria e tyre” të botuar në Londër (1906), ka vërejtur: “Nga racat që jetojnë sot në Maqedoni, vetëm shqiptarët mund të thuhet se janë autoktonë. Shqiptarët ortodoksë ishin të pranishëm njëlloj në krahasim me shqiptarët e besimeve të tjera, afërsisht njëlloj në gjithë Shqipërinë e Mesme sa ishin të pranishëm në Durrës, Tiranë, Elbasan, Librazhd, Pogradec, aq ishin edhe në Strugë, Prespë, Dibër, Gostivar, Krushevë, Manastir këto janë veneriket shkencore të kohës. Në këtë rrugë të asimilimit mbetën të paprekur për një kohë shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme të Dibrës me fshatrat Duf dhe Jellovicë të Gostivarit, pastaj të fshtatrave Labinishtë afër Shën Naumit (Ohër) e ndonjë tjetër dhe pjesa tjetër nëpër qytete”.
Pra, fjalën e kam për shqiptarë ortodoksë të Maqedonisë dhe me ta dhe çështjen e tyre do të merremi në këtë shkrim. Njerëzit këtu ende nuk janë të vetëdijshëm, jo nga mosdija, por nga frika se Historia do ta bëjë të vetën dhe të thuhet e vërteta dhe se është e vërtetë që Reka e Epërme me të gjitha fshatrat, e gjetiu kanë folur shqip deri në vitin 1960. Normalisht, gjithkush ndjehet ashtu si dëshiron, por gjenerata e re duhet ta dijë të vërtetën. Vetëm, nëse iu tregohet e vërteta ata do të shkunden nga errësira që iu është imponuar.

“Dua vetëm të tregojë një ngjarje. Ndoshta do të tingllojnë mirë, dhe disi po më lidhet me këta njerëz (shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë). Në një bisedë që e kisha para dy tri vjetësh me një të njohur në Gjermani ai s’pari më pyeti se nga jeni dhe une i tregova se jam shqiptar, kurse ai m’u përgjigj që qenkemi t’afërt dhe unë i thashë si ka mundesi, kurse ai më tha: Unë gjyshen e kam shqiptare t’Maqedonisë. Bile më tha se e kam të inçizuar në telefon se si flet shqip dhe unë nga kureshtja që të bindesha i thashë se a bën ta dëgjoj? Por, kur e lëshoi ajo nuk fliste “shqip”, por një gjuhë disi të përzier me maqedonishten dhe i thashë se kjo nuk flet shqip, kurse ai mu përgjegj se gjyshja ime nuk pranon asgjë tjetër vetëm se është shqiptare dhe më tha që nuk e kam ndegjuar t’ketë thënë ndonjëherë se ka ndonjë komb tjetër (Xhavit Ramadani, Gjermani).

Pra?

Sa janë në numër këto gjyshe dhe këta nipër të tillë që nuk guxojnë të tregojnë se janë shqiptarë dhe jetojnë në Maqedoni?

Pikërisht, mungesa e një platforme kombëtare shqiptare na bëri që të jemi jo unikë dhe e pësuam shumë keq në histori. Platforma sllave e ka zanafillën që në shekullin XVI, kur Rusia i përktheu veprat kishtare të Bizantit e përkthyesi kryesor ishte Mihail Artioti me origjine shqiptare. Sllavët e krijuan strategjinë dhe unitetin fetar dhe në shekullin XIX dolën me platformë për formimin e shteteve kombëtare sllave.

Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besimit fetar myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Madje, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Porse, përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e përdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoksë i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë. Edhe Jugosllavia e Titos, kur e krijoj Maqedoninë si republikë e vazhdoi në të njëjtën mënyrë me shqiptarët ortodoksë. Po këta të sotit çka bëjnë më pak?

Janë shumë shqiptarë të Maqedonisë që janë ortodoks e që nuk guxojnë të flasin se çka janë. Kalaja e Shkupit e fshehë të heshturën e shekujve. Edhe aty kishte kishë ortodokse shqiptare. Ajo apo ato u rrënuan, kurse tani sllavishtfolësit e duan ta përvetësojnë historinë tonë e të mbjellin një kishë të tyre. Ortodoksët shqiptarë nuk guxojnë të flasin, nuk guxojnë të shfaqen e lëre më të kërkojnë kishën e tyre ortodokse shqiptare. Historia jonë ende duhet t’i ruhet forcave centripetale që me ngulm e shtyjnë kombin tonë drejt vrimës së zezë të përpirjes.

“Të tjetërsuarit në Maqedoni janë shqiptarë dhe duhet të bëjmë çdo përpjekje pa u lodhur kurrë që ata shqiptarë ortodoksë të rikthehen në identitetin e tyre të parë shqiptarë. Që të na thonë se vetëm muslimanët janë shqiptarë në Maqedoni e s’ka të tjerë është e pa pranueshme. Sllavët e kanë planin e tyre: shqiptarët ortodoksë janë sllavë, shqiptarët muslimanë janë turq, kurse ata katolikë janë zhdukur (të mos harrojmë që Nënë Tereza ka lindur në një lagje katolike të Shkupit)! (Ilir Taraj).
“Zhdukja” ishte e mundur në sajë të platformës pansllaviste të inicuar nga Rusia, e cila filloi të zbatohet në dëm të çështjes shqiptare e sidomos pas vitit 1814 dhe Aleancës së shenjtë, e cila u realizua me inicim të Rusisë. Si rrjedhim i kësaj u shuan të gjitha lëvizjet shqiptare që synonin pavarësi dhe autonomi nga Turqia dhe kryengritjet që i inicuan shqiptarët i shfrytzuan grekët dhe sllavët të i bëjnë shtetet e tyre nacionale. Teoria e Ëikelmanit e shekullit XVIII për të bërë shtetin modern grek, si dhe teoritë e Homajkovit dhe Danillevskit për të formuar shtetet sllave në Ballkan, të cilat ishin po tërësisht nën kontrollin rus ndikuan në tkurrjen e territoreve shqiptare, asimilimin e shqiptarëve duke e lënë popullin shqiptar pa asnjë të drejtë kombëtare, të varfër, të perçarë dhe në proces te vazhdueshëm të asimilimit dhe dëbimit nga tokat e tyre. Kurse turku vetë iu ndihmonte në këto qëllime satanike. (Qazim Namani)

Duhet bërë shumë në ndriçimin e të vërtetës rreth asimilimit të popullatës shqiptare ortodokse ne Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Greqi. Të rikujtojmë edhe një herë se shumica e manastireve ortodokse në Maqedoni ishin shqiptare dhe se në Manastirin e Shën Gërgurit, sot Jovan Bigorskit deri më 1945 liturgjia kryhej në gjuhën shqipe; manastir i cili u dogj për të humbur gjurmët shqiptare. Pushteti dhe kisha ortodokse sllavo-serbe e shtynë që për këtë manastir të doktorojë Julia Trickovska, me qëllim të falsifikimit të fakteve historike dhe të njëjtën përmes Këshillit të Evropës e sollën në Kosovë që të drejton Trashëgiminë Kulturore. Po e njëjta është bashkëautore e Enciklopedisë së Maqedonisë dhe të katër librave tjerë që e falsifikojnë kulturën dhe traditën shqiptare në Maqedoni. Julia bashkëpunon me arkeologun Pasko Kuzmanin, të cilit ju besuan shumë vepra dhe publikime për përvetësim të kulturës materiale shqiptare në Maqedoni.

Dhe një ditë ata, shqiptarët ortodoksë mund ta thonë të vërtetën e tyre të lashtë e të tashme, njëherësh pa frikë…, sepse ata janë rrënjët e lashta të gjakut tonë iliro-arbëror-shqiptar… rrethanat ua kanë diktuar shumë gjëra të rënda… Në fakt në Maqedoni kanë filluar të shfaqen haptazi disa persona në deklarimin e tyre si shqiptarë, domethënë nga ata shqiptare ortodoksë edhe kjo punë që po e lobojmë e ka për qëllim sensibilizimin dhe kthimin e këtyre shqiptarëve në identitetine tyre kombëtar, atëherë fitorja jonë do t’ishte e menjëherëshme… dhe sllavët do të treteshin si krypa në ujë se puna e tyre disa dhjetra vjeçare iu shkoi kot.

“Por, armiku më i madh i këtyre (shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni) janë vetë shqiptarët. (Jeton Kadiri)

Sot, kur kemi historianë, libra, mundësi për të gjurmuar, të shkollohemi e të emancipohemi në çdo fushëveprimi, ne ende po mirremi me fajtorë. Ne kemi fakte. Neve na mbetet që të zgjojmë vetëdijen e secilit. Kur do të vijë ajo ditë që shqiptarët ortodoksë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni e më së pari ata në Kosovë të pranojnë se kush janë”?

“… Si i zemëruar nga ai përjetim në atë drekë dhe nga kërcënimet dhe pëshpërimat se jam tradhtar, pse jam deklaruar publikisht shqiptar, mbase më lejohet të them: më keq po sillen disa shqiptarë ortodoksë, që tashmë deklarohen maqedonë, se sa edhe vetë nacionalistët maqedonë. Prandaj është vendi për të shtruar pyetjen: vërtet, kush është tradhtar!? Unë që sinqerisht e ndershmërisht shfaq identitetin tim shqiptar, apo të tillët fatkeqë e shpirtshitur që kamuflojnë identitetin e tyre shqiptar, ose të paktën gënjejnë se nuk i kishin prindërit dhe paraardhësit shqiptarë? Megjithatë, përkundër hidhërimit njerëzor, nuk u hidhërohem teprueshëm. Këta fatkeqë nuk kanë mundur të përballojnë politikën e asimilimit që kanë ushtruar gjatë gati 100 vjetëve… (B.M -Tanashi).

Please follow and like us: