Albspirit

Media/News/Publishing

Edison Ypi: Rruga e Kadri F. Balajt…

“Kur të nisen nipat mbi kuaj dhe mushka nga Podujeva, mal më mal e kodër më kodër, ndal këtu e ndal atje, tek Hani një kafe’, tek qafa me pisha një sy gjumë, dhe të arrijnë shëndoshë e mirë te dajat e tyre në Prevezë, atëhere po, atëhere do bindem se shqiptaria u bashkua. Dhe do pi’ një lumë me verë nga kënaqësia. Dhe do ha një mal me mish. Do këndoj këngë të vjetra e të reja sa dheu të tundet”.
Kështu e ëndërron bashkimin e shqiptarisë Orakulli Kadri Balaj nga Theranda plot me vreshta dhe çika të bukura.
Mirë Kadri. E bëjmë kështu: Ti me nipat nisuni nga Podujeva drejt Jugut mbi kuaj dhe mushka. Unë po nisem nga Tirana drejt Veriut me makinë. Takohemi tek tuneli i Kalimashit. Ti me nipat me mushka andej, unë me Suzuki këndej. Aty ta nisim bashkimin e shqiptarisë. Të mblidhemi në një kafene me Bujarin, Arbenin, Gazin, Nexhmedinin. Të llafosemi duke bërtitur për Shqipërinë. As atë të Veriut, as atë të Jugut, as të madhe, as të vogël. Të tërën, ashtu si është, aq sa është. Nipat mbi mushka, lëri të vazhdojnë për në Prevezë, andej nga erdha unë me makinë, pra nga autostrada. Të gjithë televizionet e botës do ta japin marshimin madhështor të nipave të tu me mushka mbi autostradë.
Unë po nisem…
Tek Ura e Fanit një mirditor me sy të kaltër:
– O mirditor, o malësor, o ti që me malin aq fort ngjan. Nga t’ia ther që autostradën sa më mirë ta kqyr?
– Ku po don me shkue?
– Po due me shkue, me pae, me shijue Rrugën e Kombit. Dhe me kyt rast ta provoj at’ që thot’ Shkrimi i Shenjt: “O njeri’, ndalu në rrugën e re, pyet për shtigjet e vjetra, dhe aty gjej’ prehjen e shpirtit”.
Rruga e re i ka të gjitha të gjëra, rënkimet e freskëta të burgjeve të sapombyllura, beton dhe asfalt me miliona tonelata, vinça që kapin Qiellin, kamiona si dragoj përrallash. Dhe po aty, shtigje të tërthorta të ngushta të shenjta, zgafella shkëmbore me mbishkrime, Kulla ku me shekuj brenda gurit të fortë asht ndry mishi i butë i shqiptarit dhe Kisha të shenjta.
Ngjitem si gjarpër mbi mal kah rruga e vjetër. Nga lart, autostrada që i bën shoqëri Fanit, duket e zhduket nga kthesa në kthesë si me klika nga Google Earth-i.
Lart në Shpal, tjetër malësor.
– O malsor i mir’, ç’a asht ai Piton gjigand që kullufit malet atje posht’?! Rug’ a ur’?!
– Ça je tu m’pytun o i ardhun?!
– Jam tu t’pytun sepse po du me ditun. Urat janë edhe rrugë. Por ka rrugë që janë edhe urë, madje më tepër urë se rrugë. Si ajo atje poshtë që lidh dy brigjet e shqiptarisë. Shife rrugën-urë si dridhet e tëra.
Mirditor mesoburrë me xhaketë dhe kravatë me ngjyra të ndezura dhe këpucë të bardha.
– Mirdita o mirditor që po m’dukesh si mësues letërsie. A po ma tregon nji shteg të vjetër të ngushtë…
– Ça je tu m’thanun o i urum?
– Jam tu t’thanun se m’duhet me shkue tek një krue që quhet “Kroi i Bushtrës”. Ishte zheg. Nënë e bir po ngjiteshin në mal me thasë me misër mbi shpinë. I kishte kap etja që s’durohet. Diku u del para ujë i freskët që buçet nga shkëmbi. U sul piu e para nëna. Pasi piu ktheu kokën pa se i biri kishte vdek nga etja. O mësues malësor, kjo në Shqipëri nuk mund të ketë ndodhur. Pse legjenda ka mbijetue?! Cilin Kumt përcjell kjo legjendë?! Cilën porosi jep?! Cili është kuptimi, cili është zbërthimi i këtij makabriteti. Atë dua unë të di. Që shpirtin sadopak ta preh, në këtë ngushticë kuptimore dua unë me hy.
Rruga kalon në disa vende të bukura sa s’i rrok mëndja. Majtas e djathtas, një këtu një atje, Kulla. Brenda Kullave, lahuta. Brenda lahutave, Epe, legjenda. Brenda Epeve dhe legjendave, shqiptarë trima. Brenda trimave zemra të buta. Brenda zemrave të buta, gjak i nxehtë, rrahje të shpejta.
Mirditor që hapat i hedh nga shkrepi në shkrep.
– O njeri bjeshkësh, a s’më thue…
– Ça po don me ditun?
– Po du me ditun për fatin e Koçiut, argjendarit kolonjar i cili para treqint vitesh vrau dy komita që i zunë rrugën Për tu mbrojtur nga shpagimi u arratis erdhi u ngul këtu në Mirditë. Pse kolonjari erdhi pikërisht këtu?! A të jetë e vërtetë historia me komitë të vrarë ? A të ketë lidhje kjo histori me bakrin dhe arin e nëntokës së këtushme?
Në një grykë atje përtej si hangarë avionësh ca depo drithi që mbanin gjallë të uriturit e Diktaturës.
Tjetër malësor puntor i rrugës me xhaketë fosforeshente dhe kaskë në kokë.
– O mirditor proletar modern, a s’më thue..
– ….?!
– Ah s’qënke shqiptar. Hi “Nature Boy”, ardhur nga “very far, over land and sea”, ku ka vetëm “fools and kings”, për ta provuar se në Mirditë; “The greatest thing you’ll ever learn / Is just to love and be loved in return”, ah s’qënke as amerikan as anglez, qënke turk, erhamdylyla, ciao o turk.
– Ti malësor atje, mirdita, si je?
– Ku je tuj shkue o njeri?
– Jom tue shkue n’Bisak. Për me pae i kull n’kep t’Bargjanës. Kepin po e shoh. Por atë Kullën përmbi, syri s’po ma zë. Ku është kulla?! Ku është kulla po t’them?! Dua Kullën. Të vras për Kullën? Erdh’ ktu Kadri Balaj e s’gjeti Kullën, n’fyt t’a ngul thikën, si bostan ta çan barkun.
– Kulla asht rrafshue. E shembi turku për me i bo ven autostradës. T’zotve u dha lekët.
– Mos he burr’. Mirditori në shekuj turkut ia ka dhën haraçin n’maj t’shpatës. Tani turku që s’e mposhti dot Mirditën me shpatë, vjen j’a rrafshon kullën me lekë. Dëgjo malsor, Kulla asht Historia që s’blehet as me krejt paret e Botës. Prandaj, me urë mbi kullë, a me tunel nën kullë, a s’di se si, autostrada mund të kushtonte sa të donte, por jo Kulla të shembej.
Bar alpin mbi lëndina. Aty rrotull duhet të jetë një katund me emrin më të çuditshëm në Botë; “Kthellë e Epërme”. Pra, edhe e thellë, madje shumë e thellë, sepse jo “thellë” por “kthellë”, edhe në lartësi.
Mirditor i moçëm te kthesa duke pritur makinë.
– Eja Zotni. Eja m’kallxo diçka.
– Ça po don me dit o jabanxhi?
– Po du me hek një maraz. Qarkullon ktej pari një histori e vjetër. Ishin dy shqiptarë. Njëri e theri tjetrin me thikë. I vdekuri ra mbi të gjallin. E shtrëngoi fort në fyt, i mori frymën, e vdiq, i mori hakun. Unë këtë nuk e kuptoj. Kjo ngushticë kuptimore është aq turbulluese sa s’besoj se brenda saj mund të ketë hapësirë për sadopak prehje shpirtërore. Nuk guxoj t’i hy. Po ta prek më duket se do bëj mëkatin e… nënës bushtër tek kroi. Pse i duhet hakmarrja të vdekurit përderisa vet’ nuk do jetë më gjallë?! Çfarë ndreq apo ekuilibron kjo hakmarrje ?! Pse aktorë të vdekur në një teatër të gjallësh?! A vlen hakmarrja e të vdekurit?!
Skarpatat nga është marrë zhavorri për të mbushur autostradën duken si të gërryera me thonj nga dinosaur të tërbuar që iu është prishur qetësia.
Nga Repsi, e vetmja qëndër urbane anës autostradës është Klosi. Në Klos, ka për të pirë, ujë, kafe, raki’. Por s’ka për të ngrënë. Pasul jo e jo, por as turli, as dhallë, as kos, asgjë. Vetëm dy-tre kafene të shtrembëra për ibret. Mbi portën e drunjtë të një garazhi myllur me lloz dhe siguruar me dryn shkruhet; “Zbukurojm makina nusesh”. Mbi një llamarinë të ndryshkur është shkruar “Floktore”. Në këtë floktore mirditore bëhen edhe “Prerje dhe stilim fustana nusesh”. Krëhër mbi gërshërë vizatuar keq e keq mbi po atë tabelë. Gërshëra me gojën e hapur i është vërsulur fustanit të nuses për ta kullufitur. Krëhëri plastik duket sikur po kërcënon ta shqyej me dhëmbë gërshërën prej çeliku që ndodhet nën të. Në qoshen e djathtë të po asaj tabele është vizatuar një pëllumb i bardhë që mban në sqep një zarf. Cilës zanë mali ja ka marrë, cilit trim bjeshkësh po ja shpje zarfin lumturues plot me zjarr dashurie pëllumbi i bardhë, çfarë shkruhet në zarf, a fillon ai tekst me; “Ti mue shpirtin ma more….”?
“Zyra postare Fan”, ka tre dritare fantazmagorike. Të treja me xhama të thyer, dritaret janë mbuluar me plastmasa të grisura dhe siguruar me zgara hekuri. Një kuti e kuqe që quhet “Poste” qëndron varur me dy gozhda në murin e jashtëm ku shkruhet “Hapet ora 15”. Pranë derës prej hekuri të mbyllur të Zyrës Postare të Fanit një karrike e zbrazët. Zbrazëtirën kafkiane të karrikes bosh pritet ta mbushi një nëpunës poste province çehoviane që s’dihet në cilin shekull është larguar dhe në cilin mijëvjeçar do vijë. Pamjen surreale mundet me e interpretu vetëm Leonardo i floktores që ka nuhatur se atje ku nipat qarkullojnë me mushka, mënyra më sigurtë për të dërguar letra dashurie është me pëllumb paqeje me zarf ndër dhëmbë.
Aadoleshentë të krehur, të veshur dhe mbathur. Asnjë prej tyre nuk quhet Fran, Gjin, Frrok, Ndue. Vetëm Dritan, Fatbardh, Gëzim etj.
Në një shteg që zbret nga mali, një bari delesh’ me bluzën që shkruan “Versace” komandon me shkop delet si në një pasarelë.
Ja tunelet.
Por as Kadri konservator, as nipa me mushka.
Kadri Balaj dhe nipat kan prit sa kan prit, j’u ka shterr durimi e jan nis. Jo nga autostrada. Nga e di Kadri Balaj. Shteg më shteg e breg më breg, han më han e krua më krua, duke lidhur miqësira e duke projektuar fejesa.
Rruga jote o Kadri Balaj, rruga Podujeve-Prevezë me kuaj dhe mushka, është një prehje shpirti e tëra. Përrallë, magji’, mrekulli, inxhinieri’, matematikë, gjeometri, muzikë, simfoni, Art që mahnit, sallë koncerti në natyrë, galeri arti me përmasa kolosale. Tablotë jenë shpatet e malit. Kornizat, kurorat e drurëve mbi male.
Kush nuk e beson ose nuk e ndjen se Rruga e Kadriut është mahnitja më e madhe e botës, nuk është njeri por derr, bastard, shpirqen, një i vdekur i pakallur, një i mjerë pa atdhe.
Please follow and like us: