Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: TRE YJE, TRE FRASHËRLLINJ

Rrëzë Kokojkës thosh një nënëz
Një ninullë për tre kërthinj,
T’i lartojë me një këngëz
Tre të mençur frashërllinj.
Ç’i rrëmbeu stuhi e marrë,
E trishtoi Dangëllinë…
Kur tre yje mërgimtarë
Hoqën udhët për Janinë.
Pendëngjyer diell e lotë,
Ja, Naim’ i vegjëlisë.
Një Abdyl shkëlqen mbi botë
Nëpër mall të Shqipërisë.
Dritëmbytur fle Stambolli
Njëqind vjet që ndrin e nxin
Njëmijë zjarre qiellit mblodhi
Prapë s’ka dritë… pa Shemsedin.
Feks Kokojka në tre yje
Udhët mori në mërgim,
Ndizen netësh male, pyje,
Nga tre burra frashërllinj.
* Shemsedin ~ Sami Frashëri
Please follow and like us: