Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: “Kolonë zanore”, një roman, që i ka munguar letërsisë

Libri “Kolonë zanore” i shkrimtares Rezarta Reçi është një befasi letrare, dhe, për plotësinë dhe shtrirjen e elementeve artistikë dhe të forcës shprehëse artistike dhe psikologjike që përmban, mund ta quash pa droje roman. Ka një tematikë të re me  frymëmarrje të madhe dhe një kompozicion origjinal të romanit, me një horizont dhe spektër të pafund dhe shumëngjyrësh portretesh, mendimesh dhe ndjenjash, për të cilat shumë autorëve mund t’u duheshin qindra faqe. Por artin letrar nuk e përbëjnë faqet e shumta, por densiteti i mendimit dhe i forcës artistike. Mund të bëja një krahasim me romanin e shkurtër psikologjik dhe të bukur të Dostojevskit “Përtej dëborës që tretej”, që i ka apo nuk i ka një qind faqe. Libri “Kolonë zanore” nuk është vetëm sintezë artistike e jetëve njerëzore, por mishëron thellësi njohje të anëve të panjohura të brendëshme të njeriut dhe të shpirtit njerëzor, si dhe një lulëzim talenti letrar për të depërtuar te lexuesi me elementët më domethënës dhe të panjohur në psikologjinë dhe në kaosin shpirtëror të personazheve.

Libri sjell një temë të re interesante në letërsinë tonë moderne dhe një këndvështrim të ri dhe origjinal në raportin e përjetshëm, githmonë në lëvizje dhe ende i pazbërthyer, midis dashurisë dhe seksit. Është një enigmë letrare, poetike, filozofike dhe shpirtërore ende e pashtjelluar në mënyrë shteruese, sepse misioni i artit dhe i letërsisë nuk jep asnjëherë zgjidhjen e fundit apo përfundimtare. Përtej dilemës “dashuria apo seksi” ngrihet dilema më e madhe e fatit të njeriut, se kush duhet të vendosë për jetën e tij, për ndjenjat e tij, për trupin e tij, për zgjedhjet e tij, për bashkëudhëtarët e përkohshëm apo të përhershëm të tij, etj. Narracioni i fuqishëm dhe pathosi i ndjenjave të thella, që mishërojnë psikologjinë e shpirtit, të trupit dhe të mendjes, inspirojnë lirinë e pakufishme ekskluzivisht personale të vendimit dhe të zgjedhjes. Personazhe si Flonja apo Mara dhe sidomos Luna, me ditarin e saj tronditës filozofiko- shpirtëror, ngulisin të lexuesi modelin artistik dhe njerëzor të lirisë së jetës.

 Në këtë kuptim tema e librit “Kolonë zanore” është ndër më të vështirat, por autorja i hyn trajtimit me sigurinë e njohjes së natyrës njerëzore dhe të shpirtit shumëdimensional të femrës, si dhe me sigurinë e talentit, që do t’i japë jetë idesë që zhbiron. Libri sjell një kërkim dhe thellim artistik në pamjen dhe trillet e shpirtit, të ndjenjës, të instiktit dhe të trupit njerëzor, duke e zhytur lexuesin në kompleksitetin e ngatërruar dhe të palexueshëm shpesh herë, të momentit, të rrethanave, të moshës dhe të labiriteve të epshit dhe të kërkimit hedonistik.
 Galeria e personazheve tërheqës dhe shumëngjyrësh dhe të individualizuar bukur, si reflektim apo si ndërthurje ndjenje, dëshire, shfrimi apo kërkimi, është aq e pasur dhe origjinale sa që krijon lidhjen direkte të menjëhershme me lexuesin, që hyn në një botë të re tematike dhe shpirtërore, jo aq njohur në letërsinë tonë. Kryesorja është se personazhet dhe kuptimet apo befasitë e jetës së secilit prej tyre janë interesante dhe diverse, të përputhëshme ose të papërputhëshme me vizonin, që ka njeri apo tjetri lexues për dashurinë, për shpirtin apo për trupin. E rëndësishme është që libri ka arritur të japë një pasuri të pafund karakteresh origjinale dhe ndjenjash të freskëta apo vlimesh shpirtërore, që i japin romanit dimensionin shumëplanësh dhe të pafund të shpirtit njerëzor.

Në librin tim “Antitabu” kam shkruar se burrat nuk e njohin misterin e grave dhe kam shtruar pyetjen nëse vetë gratë a e njohin misterin e tyre. Romani “Kolonë zanore” vjen si zbulim i ri dhe udhërrëfyes origjinal drejt njohjes së këtij misteri, gjë që mund të përkufizohet si sukses letrar dhe kulturor. Rezarta Reçi me një angazhim të madh artistik dhe me elegancë filozofike, estetike dhe kulturore na sjell, në mos gjithë misterin, por të paktën fragmente të mëdha të këtij misteri, një hap artistik i guximshëm dhe i panjohur në letërsinë shqipe. Shkrimtarja Rezarta Reçi vjen si një njohëse e jashtëzakonëshme e shpirtit njerëzor dhe e kompleksitetit psikologjik dhe subkoshient të njeriut dhe sidomos të femrës, dhe me artin e saj të sinqertë dhe të fuqishëm shprehës, shpërthen në një kohë të pakohë, duke i dhënë letersisë një roman që i ka munguar.

Please follow and like us: