Albspirit

Media/News/Publishing

Kallëzohet në Prokurori Bledar Skënderi

Shqiptarët konsumuan rreth 12 tonë akullore dhe çokollata me përmbajtje kancerogjene për shkak të mosveprimit në kohë të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Gazeta Shqip mëson se kallëzimi penal në Prokurorinë e Tiranë i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ndaj drejtorit të AKU-së, Bledar Skënderi bazohet te vonesa disaditore në reagimin e këtij institucioni për të ndërhyrë në treg me bllokimin e akulloreve dhe çokollatave kancerogjene.

KLSh bazon kallëzimin te fakti që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është sinjalizuar që në fund të muajit korrik nga RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed) i Bashkimit Europian. Megjithatë, AKU në Shqipëri ka reaguar vakët vetëm pas një jave duke bllokuar akulloret dhe çokollatat që gjeti në magazinat e mëdha të importuesve kryesorë të këtyre produkteve.

Gazeta Shqip mëson se megjithëse bëhej fjalë për një alarm të vlerësuar “shumë serioz” nga autoritetet e BE-së, AKU ka zvarritur kontrollet edhe në pikat e shpërndara dhe markete. Për shkak të kësaj vonese, nga aksioni i ndërmarrë nga ky autoritet, rezultoi se 12 tonë produkte kancerogjene me përmbajtje oksidi etileni ishin konsumuar nga qytetarët.

Pas akuzave dhe alarmit të ngritur për mosveprim, AKU vetë reagoi vetëm më 13 gusht, pra dy javë pas marrjes së sinjalizimit nga ana e BE-së për akulloret e rrezikshme.

“Substancë e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores nga Franca”, me numër reference 2021.3976, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, AKU me marrjen e këtij njoftimi mori masa të menjëhershme për bllokimin dhe tërhqjen nga tregu të këtij produkti”, deklaronte AKU.

Autoriteti theksoi se nga kontrolli në dy subjekte ishin 36 tonë të importuara, ku u bllokuan në gjendje të pa tregtuar rreth 20 tonë. Nga 16 tonët e hedhura në treg, AKU njoftoi se kishte arritur të bllokonte pa u shitur 4 tonë, ndërsa thuajse 12 tonë të tjerë janë konsumuar nga qytetarët.

Të dhënat sipas AKU:

Sasia e shpërndarë në treg – 16104.13 kg

Sasia e kthyer nga tregu – 4356.69 kg

Sasia që rezulton e shitur – 11747.44 kg

RASFF, që vepron nën mbikëqyrjen e Komisionit Evropian paralajmëroi më 27 korrik për përmbajtjen e paautorizuar të substancës oksid etileni të stabilizantit lygomme për akulloret e prodhuara në Francë. Niveli i alarmit të lëshuar është klasifikuar si “serioz”. Praninë e kësaj substance e gjetën autoritetet ushqimore spanjolle, që njoftuan Komisionin.

Komisioni informon një shtet jo anëtar të RASFF nëse një produkt i gjurmuar në shtetet anëtare është eksportuar në një nga vendet jo anëtar i BE-së. Ky informacion bëhet i aksesueshëm nëpërmjet dritares së RASFF, i cili është një database i ri që shërben si mjet për dhënien e informacionit për vendet jo anëtare të BE. Nëpërmjet dritares AKU ka akses në dokumentat origjinale të njoftimit të shtetit, që ka konstatuar rrezik në vendin e tij nga një produkt i caktuar i cili cënon sigurinë ushqimore në vend.

Please follow and like us: