Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Muhameti: Thesari mes dy botëve

(Fragmente nga libri i sapopublikuar)

DITARI I ARIANIT

Ritakimi me Arianin.

“Një libër i vërtetë nuk matet me famën që fiton, por me zemrat që prek”.

Aktiviteti në sallën e Muzeut Kombëtar po shkonte drejt fundit. Njerëzit po ngriheshin, po shtrëngonin duart dhe po shpërndaheshin.

Ngjarjet e para dhjetë viteve nuk ishin thjesht rreshta në letër; ishin klithmat e një njeriu që po humbte zërin, po humbiste gjithçka që kishte. Tani, kurioziteti im ishte shtuar; doja ta lexoja atë ditar deri në fund. Mezi po prisja të dilja te trotuari, ku më priste Ariani.

Shikimi im u përplas tek Kela, redaktorja letrare. Ajo po mblidhte disa fletë mbi tryezë. Atëherë e kuptova se çfarë duhej të bëja: ai bllok i zi kishte nevojë për një sy si i saj, për një portë drejt botimit.

U çova befas, pa e menduar gjatë. Çava përmes karrigeve që po zbrazeshin dhe iu afrova. I kërkova të flisnim vetëm pesë minuta pas aktivitetit. U morëm vesh të takoheshim pas dy orësh për kafe, aty pranë, te Pallati i Kulturës.

Dola jashtë me nxitim. Ariani po më priste në të njëjtin cep, i palëvizshëm si një hije e së shkuarës.

Po më priste me sy tek çanta. Donte të shihte nëse blloku i zi kishte lëvizur. 

— Kam hyrë në botën tënde, Arian. I lexova faqet e para, jam i befasuar.

Ai nuk lëvizi. Më pa me atë qetësinë e ftohtë të njerëzve që i kanë pranuar goditjet e jetës si diçka të pashmangshme.

— Është e shkuar, — tha, duke lëvizur dorën, sikur ajo që kisha lexuar të mos i përkiste më atij. 

— Mendoj ta botojmë, — i thashë. — Një libër i thjeshtë, modest. Sapo fola me një redaktore këtu brenda, do ta bëjmë gati.

— Nuk ia vlen, — shkroi në një letër. — Kush ka kohë për hallet e mia? Njerëzit e lumtur nuk duan t’i prishin humorin vetes me një njeri që s’ka as zë.

— E ke gabim, ky ditar më përfshiu, sa harrova promovimin e librit të ri. Do ta botojmë, Arian.

Kur pa vendosmërinë time, nuk kundërshtoi më. Pashë mjekrën që nisi t’i dridhej. Lotët i rrodhën sërish mbi ato rrudha të thara nga dielli dhe pluhuri i sheshit.

Komunikonte me shkrim në një bllok të madh. 

— Faleminderit, zotëri. Kisha vite pa qarë, sikur më ishin tharë lotët. Qava me dënesë, kur shita këtë portret; do e lexosh në ditar arsyen pse. Ai bllok flet vetë. Më fute në borxh, s’kam si t’i laj, shkroi në bllok me shpejtësi.

Mora pikturën në dorë dhe u bëra gati të largohesha. 

— Arian, do të të marr në telefon nëse kemi ndonjë paqartësi për ditarin, — i thashë, ndërsa nxora celularin për t’i shënuar numrin.

Ai buzëqeshi lehtë: 

— Telefoni s’më hyn shumë në punë. Këtu më gjen gjithmonë, shkroi.

E pashë për një çast, i habitur nga ajo përgjigje. 

— Në rregull, — i thashë.

E përshëndeta me kokë dhe u largova.

Pikturën dhe librin e ri e lashë në makinë. Mora me vete vetëm bllokun e Arianit. Eca drejt shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe u ula në kafene. 

Kisha gati dy orë kohë të shfletoja ditarin, para se të shfaqej redaktorja. Porosita kafe dhe një ujë, hapa ditarin dhe u futa sërish brenda tij, pikërisht te faqja ku e kisha lënë.

Ditari i Arianit

(Pjesa e dytë)

28 prill 2015

“Tani po e kuptoj se fjala nuk është thjesht zë; ajo është ura e padukshme që bashkon zemrat e njerëzve”.

Shtëpia ka të njëjtën heshtje si gjithmonë, por sa vjen bëhet edhe më e rëndë. Nuk është vetëm mungesa e të tjerëve; është edhe mungesa ime brenda saj. Si të jem këtu pa qenë.

Zëri nuk po më kthehet. Dhe unë po mësohem me idenë se mund të jetosh pa të, por jo pa humbur diçka nga vetja në çdo ditë që kalon.

Doktori ngriti supet si herën e fundit. Andrra tha se ndoshta efekti i temjanit “kërkon kohë për të bërë efekt”. Koha është e vetmja gjë që kam me bollëk.

Më thonë për klinika jashtë vendit, më sugjeruan për në Stamboll, në Turqi. Emra që tingëllojnë si shpresa të largëta, të shkruara në një gjuhë që nuk e ndiej më si timen.

Besarti erdhi si gjithmonë, me zhurmën e tij që përpiqet të mbushë boshllëqet e mia. Foli gjatë, qeshte shpesh, por herë pas here shikimi i tij ndalonte mbi mua, sikur po kërkonte një përgjigje që unë nuk e kisha.

Më në fund më tha:

— Duhet të shkosh te një psikolog, Arian.

Nuk iu përgjigja. Vetëm e pashë me habi.

Ai vazhdoi të fliste, por fjalët e tij filluan të humbnin peshë.

Në ekranin e telefonit i shkrova shkurt: “Çfarë mund të bëjë një psikolog për mua, Besart? Kam humbur gjithçka brenda një viti. Ka plagë që nuk i shëron dot fjala”.

Mbylla ekranin. Ndieja se isha si një pemë me degë të prera që rri ende në këmbë — jo sepse është gjallë, por sepse nuk ka rënë ende.

Ai heshti gjatë.

Pastaj tha vetëm: — Eja me mua, nesër do shkojmë diku.

Nuk iu përgjigja menjëherë.

Ndoshta krenaria u lodh, u dorëzua.

Pranova.

Nesër shkojmë në klinikën “Psyche & Logos Center”.

29 prill 2015

“Plagët e trupit i shëron koha ose ilaçi; plagët e shpirtit kërkojnë kuptim, sepse për to nuk ka ilaç”.

Besarti erdhi në mesditë. Në orën dymbëdhjetë ishim te klinika.

Te recepsioni, një vajzë na priti me një buzëqeshje të ngrohtë – nga ato që zbehen sapo kalon pragun në kthim. Ajo pyeti për emrin dhe të dhënat; Besarti u përgjigj nxitimthi, sikur të kishte frikë se mos ndryshoja mendje e ikja.

Ina, psikologja, na priste në zyrën e saj. Kishte një njohje të vjetër me Besartin. Pasi u përshëndetëm, bëri disa pyetje të përgjithshme, shënoi diçka në dosje dhe pastaj i kërkoi atij të na linte vetëm.

Kur dera u mbyll, ajo nisi të fliste. Me qetësinë e dikujt që e njeh terrenin ku po hyn. Fjalët e saj ishin të kujdesshme, sikur përpiqej të mos zgjonte më shumë dhimbje sesa duhej.

— Dhimbja nuk zhduket menjëherë, — tha. — Më së shumti, mësojmë të jetojmë me të. Fillimisht e pranojmë, pastaj përpiqemi ta kuptojmë dhe, me kohën, ajo bëhet pjesë e historisë sonë.

Unë e dëgjova me vëmendje. I njihja ato fjalë. I kisha hasur në libra, në shpjegime, në përpjekje për t’i kuptuar gjërat nga jashtë. Por midis asaj që di dhe asaj që jeton, ekziston një hapësirë që nuk mbushet me fjalë të zgjedhura filozofike.

Përpara meje ishte një letër e bardhë A4 dhe një stilolaps. Në mes të asaj bardhësie shkrova me shkronja të mëdha:

DUA TË FLAS, JO TË DËGJOJ!

Ina heshti. Jo nga mungesa e përgjigjes, por nga reagimi im. E vështroi letrën, pastaj më tha me qetësi:

— Ke të drejtë, Arian. Ndoshta sot ke më shumë nevojë të flasësh sesa të dëgjosh. Dhe puna ime nuk është të të jap përgjigje; është të të dëgjoj.

Bëri një pauzë të shkurtër.

— Meqë zëri të mungon, provo të shkruash. Shkruaj gjithçka që të rëndon. Pa rregulla, pa kujdes për formën, tha ajo.

Mora stilolapsin dhe shkrova sërish:

PO SHKRUAJ DITAR.

Ajo buzëqeshi lehtë, nuk tha asgjë. Por në heshtjen e saj, m’u duk sikur dëgjova një mesazh të thjeshtë:

“Vazhdo. Lufto pa u ndalur”.

Pas takimit, me Besartin shkuam për drekë në Dajt. Ai mori në telefon edhe dy shokë të punës. Në fillim u ndjenë në siklet, siç ndodh zakonisht kur njerëzit nuk dinë si të sillen me dikë që nuk mund të flasë. Por, me kalimin e kohës, u çliruan dhe biseda mori rrjedhë.

Njëri prej tyre ishte i apasionuar pas meditimit. Fliste pothuajse pa ndërprerje për vetëdijen, njohjen e vetes, paqen e brendshme, mësimet e Oshos.

— Osho ka thënë se dhimbja është e pashmangshme, por vuajtja është zgjedhje, — tha ai.

Pak më vonë shtoi: — Njeriu rritet kur mëson të pranojë veten ashtu siç është.

Nuk mund të them se ato që thoshte ishin të gabuara; përkundrazi, shumë prej tyre kishin kuptim. Ndoshta do t’i kisha dëgjuar me vëmendje në një kohë tjetër. Por ka çaste kur njeriu nuk ka nevojë për urtësi, ka nevojë të përshtatet, t’i vërë në zbatim.

Por njerëz të tillë shpesh harrojnë një gjë të thjeshtë: këshillat e gatshme dhe të pakërkuara rrallëherë ndihmojnë. Njeriu duhet të jetë gati t’i dëgjojë.

Përndryshe, ato janë si t’i dhurosh parfum një lypësi që ka tri ditë pa ngrënë. Ndoshta parfumi është i mirë, por nuk është ajo që i duhet.

3 maj 2015

“Vuajtja nuk hyn papritur në jetën tonë; ajo ecën në heshtje përkrah nesh, derisa një ditë kuptojmë se nuk ishte një mysafire e rastit, por bashkudhëtarja jonë”.

Takimi me Erlën ishte i papritur. Nuk prisja që të më kërkonte ajo.

Ishte një takim i ftohtë – nga ata që nuk i mbyllin plagët, por i trazojnë edhe më shumë.

Përmes një mikeje të saj kishte gjetur një klinikë private në Stamboll. Kishte rezervuar konsultën dhe vizitat pa më pyetur mua.

U emocionova. Për herë të parë pas shumë javësh pashë diçka të njohur tek ajo. Ana njerëzore e Erlës nuk kishte vdekur; nuk më kishte braktisur krejtësisht. Ndoshta po luftonte në mënyrën e saj për të më rikthyer si më parë.

Nesër nisem për në Stamboll. Vizitën e kam pasnesër. Biletat janë vetëm vajtje. Erla tha se askush nuk e di sa do të zgjasin procedurat; ndoshta dy ditë, ndoshta më shumë.

Ende nuk arrij të kuptoj çfarë po ndodh me mua. Udhëtimi i fundit me babanë dhe Vahidin në mal duket sikur shembi gjithçka që kishte mbetur në këmbë, megjithëse tani po kuptoj se rrënimi kishte nisur shumë më herët. Ndoshta vuajtjet na kanë shoqëruar gjithë kohës.

Kam nevojë për të vërtetën – çfarëdo qoftë ajo.

4 maj 2015

“Vetmia ka një dhunti të çuditshme. Ose të bën mendimtar a krijues, ose të shkatërron ngadalë. Heshtja e Stambollit më ka lënë përballë vetëm një zgjedhjeje: çfarë do të bëhem prej saj”.

Stambolli më dha frymëmarrje. Sot jam ndier më mirë, më optimist, sikur po marr frymë më lirshëm.

Shfrytëzova pasditen dhe dola në sheshin Taksim, aty ku mblidhen pëllumbat. Krijesa paqësore që presin vetëm një grusht fara dhe ta kthejnë mbrapsht shumëfish atë që ju jep, me një lloj dashurie të pastër që vetëm kafshët dinë ta japin. Njerëzit janë ndryshe; shpesh kërkojnë shumë dhe japin pak, ose aspak. Ndonjëherë as një falënderim.

Më pas zbrita drejt Xhamisë Blu… Nuk ishte hera e parë që i vizitoja këto vende, por sot gjithçka dukej ndryshe.

Sot jam vetëm.

Pa Erlën.

Vetmia ka një dhunti të çuditshme. Ose të bën mendimtar, ose krijues, ose të shkatërron ngadalë. Heshtja e Stambollit më ka lënë përballë vetëm një zgjedhjeje: çfarë do të bëhem prej saj.

Bosforin e kam quajtur gjithmonë “Ura e Qytetërimeve”. Këtu Evropa dhe Azia nuk ndahen; janë dorë për dorë. Kultura bizantine, epoka osmane dhe bota moderne e Ataturkut bashkëjetojnë në të njëjtin horizont.

Më lindte vazhdimisht dëshira të ndalesha diku, të nxirrja bllokun e skicave dhe të vizatoja këtë qytet. Por koha nuk më mjaftonte. U kënaqa duke bërë disa fotografi. Ndoshta, kur të kthehem në Tiranë, do t’i shoh përsëri dhe do t’i kthej në skica.

5 maj 2015

“Zëri mund të heshtë, por zemra gjen gjithmonë një mënyrë për të kënduar”.

Pothuajse nuk fjeta fare gjithë natën, edhe pse pasditen e djeshme u lodha duke ecur me orë të tëra në këmbë. Ndryshimi i ambientit, mendimet për vizitën, ankthi nëse do të kishte rezultat apo nëse do të vazhdoja kështu — një njeri që dëshiron të bërtasë, por hesht. Kjo heshtje e rreme, që lutem të mos shpërthejë një ditë.

Këto mendime më bluanin ende në kokë, ndërsa haja mëngjesin dhe pija kafenë në hotel.

Mora një taksi dhe i dhashë shoferit adresën e klinikës. Ishte rreth një çerek ore larg. Taksisti ishte një burrë i moshuar, tepër i përqendruar në trafikun e rënduar të Stambollit.

Klinika ndodhej në periferi. Ishte një ndërtesë moderne, e bukur dhe e pastër si kristali; gjithçka dukej e përkryer. Gjelbërimi, lule, pemët më shlodhën disi. U paraqita në recepsion me dokumentet dhe konfirmimin e rezervimit. Më lanë të prisja rreth dhjetë minuta.

Vizita nisi me kontrollet rutinë që i kisha kryer edhe në Tiranë. Mjeku dukej jashtëzakonisht i mprehtë; të krijonte përshtypjen se mund ta bënte rezonancën me sy. Kishte një intuitë që vihej re menjëherë. Disa njerëz duket sikur lindin për atë punë që bëjnë.

Për disa orë me radhë vazhduam me analiza, skanime dhe ekzaminime të tjera. Ishte lodhëse, por ia vlente nëse do të sillte një përgjigje, një rezultat.

Në fund më thanë të kthehesha përsëri të nesërmen, në orën njëmbëdhjetë. Deri atëherë do të kishin dalë rezultatet e analizave dhe do të zhvillohej konsulta përfundimtare, nga e cila do të përcaktohej diagnoza.

Kishte shkuar ora dy pasdite, mora sërish një taksi dhe u nisa drejt hotelit.

Mbasdite e njëjtë punë, dola për të parë pazarin, dyqanet e mbushura me mallra, tregtarët atje të ftojnë me lezet, duke të qerasur me ndonjë çaj a ëmbëlsirë dhe është e zorshme t’ju ikësh pa blerë gjësendi.

I rashë qark duke parë, nuk bleva gjë, por gjithsesi është bukur ta heqësh mendjen duke soditur këto gjëra të bukura e të veçanta.

Darka po afronte, u ula të darkoj; restorantet ishin afër e afër.

Vendosa të argëtohem; në restorant kishte muzikë live. Aty kishte zhurmë, klientët këndonin dhe kërcenin. Shkon bukur ushqimi pikant aziatik me shumë piper djegës, muzikë turke dhe një njeri i huaj që këndon me sa ka fuqi, por zëri nuk i dëgjohet.

Mjafton të këndoj zemra, mendova me vete, të dal ai vrerë i grumbulluar prej muajsh.