Deputeti Kastriot Rexhepi ka reaguar menjëherë pasi Bilall Kasami e përjashtoi nga Lëvizja Besa.

Rexhepi në profilin e tij në “facebook” ka publikuar një fotografi të flamurit amerikan. Aty deputeti Rexhepi ka shkruar “Zoti e bekoftë Amerikën”.

Ndërkohë që Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka njoftuar se ka përjashtuar nga partia dhe nga të gjitha funksionet partiake deputetin Kastriot Rexhepi. Ai e justifikon vendimin e tij me rastin e djeshëm ku deputeti i Rexhepi nuk u paraqit në Kuvend dhe për rrëzimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ashtu siç ishin dakorduar në parti.

Kasami nëpërmjet një statusi në “facebook” me këtë veprim, deputeti Kastriot Rexhepi, ka dëmtuar rëndë Lëvizjen Besa.

“Duke marrë parasysh veprimet e fundit të deputetit të Lëvizjes BESA Kastriot Rexhepi i cili ditë më parë nuk u paraqit në kuvend, për të mbështetur mocionin e mosbesimit të qeverisë, me çka i njëjti veproi në kundërshtim me vendimin e partisë me ç’rast dëmtoi rëndë edhe prestigjin e partisë, Lëvizja BESA, respektivisht unë si Kryetar partie, konform normave statutore përkatësisht nenit 14 paragrafit 3 pika 3.3 të Statutit të Lëvizjes BESA, anëtarin e lartëpërmendur e përjashtoj nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i Lëvizjes BESA. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, ka shkruar Kasami.