Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Përqafimet e munguara të viteve që lamë pas

“Dy vitet që po lëmë pas, na kanë borxh shumë përqafime”…
Si pasoje e situatës pandemike, dy vitet e fundit na morën shumë… Përqafime të mohuara, njerëz zemre që munguan në tryezen tradicionale natën e ndërrimit të viteve , por përsëri i ndezëm dritat, duke mos ia mohuar këtë kënaqësi të brishtë, shpirtit.
Dhjetori është muaji që na i mban ngrohtë zemrat, afër njëra-tjetrës… teksa të gjithë ëndërrojmë një muaj plot ngjyra, në fakt do të mjaftohesha edhe me një pamje bardh e zi, por një zemër plot dashuri.
Se dashuria është boshti në të cilin mbështetet e gjithë jeta, është esenca e festave, i jep kuptim muajit dhjetor, e përmbush misionin e tij…
Dashuria çdo ditë është festë, entuziazëm i pastër, ngrohtësi, gjallëri… Për aq kohë sa njerëzit do ta duan njëri-tjetrin bota do të jetë një vend i mirë për të jetuar, dhjetori do të jetë gjithmonë i bukur… por nuk janë dritat dhe zbukurimet ata që shkëlqejnë, është shpirti që vezullon në këtë prag feste. Lumturia gatuhet brenda nesh, ne zgjedhim ta krijojmë lumturinë duke e ushqyer veten me copëza shprese, se Viti i Ri që po vjen do të jetë më i mirë, do të jetë më i bardhë…
Jemi të rritur mjaftueshëm për të mos besuar tek Babagjyshi, por diçka në këtë muaj magjik na shtyn të besojmë se më e mira nuk ka ardhur akoma… Dhuratën më të bukur nuk ia kërkojmë Babagjyshit, por vetes. Jemi ne Babagjyshi ynë, Babagjyshi i fëmijëve tanë…
Sigurisht që ai ekziston, për sa kohë ne mund t’i bëjmë ëndrrat realitet, për sa kohë ne mund të luftojmë të krijojmë jetën që gjithmonë kemi ëndërruar. Vitet shkëmbehen, numrat ndërrohen, por nuk është asnjëherë vonë, nuk është asnjëherë herët… jemi fiks në kohë, po jetojmë kohën tonë, kohën e secilit prej nesh.
Është koha të dalim dhe ta përqafojmë jetën, t’i telefonojmë asaj mikeshës që për një kapriço kemi kohë që nuk i flasim, të kujdesemi për prindërit, të kujtohemi për gjyshërit, të dhurojmë buzëqeshje tek një i panjohur dhe të jemi empatikë me çdo njeri që takojmë.
Nuk është shumë, na duhet fare pak… një grusht i vogël përpjekjesh. Por ne kemi fuqinë ta krijojmë këtë Vit të Ri, se ky Vit i Ri jemi ne.
“Nuk ka lumturi më të madhe në këtë jetë veçse të duash dhe të të duan”.
Prandaj jep dashuri pa kushte, pa pritur të marrësh diçka në këmbim. Ky parim mbetet i njëjtë, sa herë që vitet shkëmbehen, sa herë që shifrat ndërrohen, ti dhuro pa pritur të marrësh, kjo është vaksina e vetme.
Dashuria është kura që do të na shërojë në çdo kohë.
2022 është vetëm një pasqyrim i mendimeve tona, ai është një xham transparent mbi të cilin mund të shkruajmë historinë më të bukur. Ne jemi ky Vit i Ri, ai nuk do të na surprizojë nëse ne nuk surprizojmë vetveten.
Një rrugëtim i ri na pret dhe unë mezi po pres…
Please follow and like us: