Albspirit

Media/News/Publishing

Kur kompozitori vlonjat me famë ndërkombëtare, Oleg Arapi merrte “Yllin e Artë” në Itali

Me dhjetëra koncerte dhe festivale muzikore kanë qenë nën drejtimin e dirigjentit shqiptar qe ka mbrojtur doktoraturën në konservatorin ‘Çajkovski”, Oleg Arapi, i cili prej dekadash zhvillon një aktivitet të pasur artistik. Pas vlerësimit në skenat shqiptare ai është nderuar në shtetin fqinj, Itali për kontributin e tij në krijimtarinë muzikore. Mes një ceremonie ku ishin mbledhur emra të njohur të muzikës shqiptare dhe italiane, Akademia Imperiale në Itali i  dha “Yllin e Artë” (Çmim Ndërkombëtar) maestros, profesor Oleg Arapi, dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTSH dhe Orkestrës Simfonike “Çajkovski” të Moskës. I ftuar në shumë koncerte duke drejtuar orkestra të ndryshme në botë, edhe ky çmim për mjeshtrin Oleg Arapi është një vlerësim që nderon të gjithë artistët shqiptarë. “Ylli i Artë” për dirigjentin Oleg Arapi u dha me motivacionin “Për një profesionalizëm të lartë dhe dedikim  në transmetimin e potencialeve të mëdha të muzikës, si vlera universale për paqe në botë dhe në veçanti midis Rusisë-Shqipërisë-Italisë”. Franco Bruno, përfaqësues i CICAL (Qendra  Ndërkombëtare e Kulturës) në Brindizi dhe i Akademisë Ndërkombëtare të Kështjellës Imperiale të krijuar në vitin 1705, në fjalën e tij e cilëson dirigjentin shqiptar si një personalitet të artit dhe sipas tij ky çmim është një mirënjohje ndërkombëtare. “Pa dyshim është një personalitet, si dirigjent dhe si individualitet. Ka demonstruar një profesionalizëm të madh artistik dhe në mënyrë të veçantë shquhet në përcjelljen e ndjenjave njerëzore në shoqëri. Ky çmim është një Mirënjohje  Ndërkombëtare. Me këtë ne duam të evidentojmë talentet shqiptare, sepse në këto 22 vjet që unë kam frekuentuar në mënyrë konstante Shqipërinë, ka rezultuar njëri prej dirigjentëve më të mëdhenj”, pohon mjeshtri italian Franco Bruno. Më tej përfaqësuesi i CICAL vlerëson jo pak dhe turnetë muzikorë që kanë zhvilluar me dirigjentin shqiptar me famë ndërkombëtare dhe orkestrat në vendin tonë. Sipas tij ato janë janë aq shumë sa është e pamundur të përmenden të gjitha.
Please follow and like us: