Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, u shpreh se Kroacia është ndër shtetet që i ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, por edhe tash kur shteti ynë po ecën përpara.

Osmani tha se populli i Kosovës i është mirënjohës Republikës së Kroacisë.

“Kroacinë e konsiderojmë si aleat kyç. Marrëdhëniet e dy shteteve ndërtohen mbi lidhjet e forta të miqësisë që ekzistojnë historikisht në mes dy vendeve tona. Jemi të lumtur që qytetarët kroat me origjinë shqiptare janë integruar mire dhe ndjehen krenarë si qytetarë të Kroacisë”, u shpreh Osmani.

Presidentja falënderoj presidentin kroat për ndihmën e dhënë për Kosovën në kohën kur nuk kishim vaksina antiCOVID-19.

“I shpreh mirënjohje shtetit kroat për kontingjentin e vaksinave që i dhuruan Kosovës në një periudhë të vështirë kur ne nuk kishim vaksina. Gjithashtu mirënjohje e thellë për shtetin kroat dhe ndihmën që u dhanë qytetarëve të Kosovës pas aksidentit tragjik në Sllavonski Brod”, u shpreh presidentja Osmani.

Osmani shtoi se shteti ynë e ka bërë të qartë se vizioni ynë është që Kosova të anëtarësohet në strukturat euroatlantike, dhe prandaj e vlerësojmë ndihmën dhe përkrahjen e Kroacisë në këtë rrugë.

“Është tejet e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të konsolidoj shtetësinë e saj dhe shpresojmë që Kroacia do të vazhdoj të përkrahë këtë rrugë të vështirë por të pandalshme”, tha Osmani.

Presidentja u shpreh se vizitën e homologut të saj kroat e shohin si hap të rëndësishëm drejt avancimit të raporteve në mes dy shteteve tona. /Telegrafi/