Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: KUFITARI I PËRJETSHËM NË SHËRBIM TË ATDHEUT

Në përkujtim të ish-kufitarit Mariglen Azem Onjea, i cili të lindur më 1.9.1980 në Fushëbardhë të Gjirokastrës dhe që ra në kufijtë shtetërorë në shërbim ushtarak të detyrueshëm në Kakavijë të Gjirokastrës më 30.6.1999, kur ishte vetëm 19 vjeç, në lulen e rinisë, në moshën më të bukur të ëndërrave rinore dhe që familja priste prej tij vetëm gëzime, prandaj edhe ky është një shkrim-homazh për kufitarin e përjetshëm që ngeli i trupëzuar në shërbim të Atdheut, duke e shenjtëruar misionin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe që bëri të shkruhej në librin e nderimit dhe të respektit nga brezat…

 

 

Të burrëruar në djepin e mençurisë dhe trimërisë mes malesh

Fushëbardha është një fshat i Labërisë mes malesh, një djep mençurie, trimërie e lavdie në krahinën e njohur të Kardhiqit. Ashtu sikurse janë malet janë edhe njerëzit e saj, të rrahur mes erërash e rrebeshesh të kohës, që historia u hodhi. Fushëbardha ka një terren karakteristik me kodra, lëndina, male me bollëk. Me bollëk janë edhe gjurmët më epike, me histori të shkruara, me të thëna dhe të pathëna, me episode epike legjendare, të njerëzve të atyre anëve, përbëjnë edhe krenarinë e dukshme labe e kombëtare, vendi i zjarrit gjithmonë të ndezur, vendi ku u përkundën ëndrrat, ku ka mbetur dhe do të mbetet në piedestalet e kujtesës njerëzore e krahinore, me të gjitha të mirat, por dhe ngjarjet e kohrave, tragjeditë e hallet e kohës. Shekujt shkuan nëpër luftra, prandaj kanë një traditë të pasur e të çmuar, sikurse kanë traditë në mençuri, në punë, në kuvende dhe në përballimin e halleve e brengave të jetës. Shtëpitë e saj janë të mbledhura në disa mëhalla tej e këtej lumit, që e ndan dhe e përbashkon fshatin që shtrihet mes bardhësive. Ky lumë bashkë me përrenjtë që e “furnizojnë në prurje” janë paksa të krisur e kokëshkretë, të rrëmbyeshëm, që popullsia e fshatit ja njeh “huqet” dhe historitë e çuditshme, sikurse njeh këngët e vajet e jetës, ja ka parë sherret me përmbytje e dëme, si dhe kapërcimin e mundësive të kontrollit këtej e matanë kufirit normal. Nga fundi i Hingës tek gryka e Shurit është lëmi i halleve e brengave, që njerëzit dinë t’i mbajnë dhe t’i përballojnë njerëzishëm dhe në mënyrë të fisnikëruar. Fiset e Fushëbardhës janë të shumta, shtrihen në një fushë të bardhë nga zalli i bardhë i lumit, një fushë e bardhë që e ka vendosur vetë emrin. Banorët e mençur të këtij fshati sikurse gjithë treva e Cepos, krahinës së Kardhiqit dhe mbarë Labërisë janë të përhapur anë e mbanë Shqipërisë, ndërsa sot janë “banorë të planetit tonë”, pothuaj në të gjitha kontinentet. Punën, jetën dhe sidomos shkollimin e quanin “detyrë dhe detyrim për të gjithë”, prandaj edhe i janë “qepur” fuqishëm dhe kanë mundësuar që ta rregullojnë disi jetën. Askush në këtë fshat nuk ndihet si “njeri pa njeri”, as të rënët e shumtë. Fushëbardha është fshati me 53 dëshmorë të njohur juridikisht dhe të përfaqësuar në qendër me dy lapidarë: një për luftën e 1914-ës dhe një të dëshmorëve të LANÇ-it. Dëshmorët e Lirisë nuk flasin sepse për ta vetëm flitet. Ata nuk kanë punë me “zyrat shtetërore”, “tufat shkresore, nenet e ligjet, nuk kanë nevojë për këmisha antiplumb, as për mbrojtje”, sepse ata e bënë të tyre për së gjalli, ata nuk interesohen se “sa i gjatë të jetë litari”, kur gjuha e të gjallëve ia kalon çdo litari. Dëshmorët bënë historinë me gjakun e jetën e tyre. Ata e falën jetën pa temenara, pa kërkesë, por me dëshirë e vetëdije të thellë atdhetare, ndërkohë që për ditët tranzitive që rrodhën në Shqipërinë tonë të dashur Dritëroi ynë i madh thoshte: “E mira dhe e keqja flenë nën një jorgan, por çështja është se zgjohen në kohë të ndryshme…”. Trungu familjar i fisit Onjea është një prej 56 fiseve të Fushëbardhës, është pjesë e vetëdijes, rezistencës, trimërisë, mençurisë të Fushëbardhës, Cepos, Krahinës së Kardhiqit, Labërisë, fshatit Vajzë i fshat i origjinës, është një prej fiseve që me viteitë dhe virtytet e tyre në dekada janë bërë njësh për mëmëdheun, atdhetarinë dhe kombin.

Kufiri shqiptar në Kakavi që burrëronte djemurinë deri në përjetësi

Mariglen Azem Onjea ishte lindur më 1.9.1980 në fshatin Fushëbardhë. Babai i tij Azemi dhe nëna Berdhere kanë qenë dhe mbetur njerëz të urtë e punëtor, të nderuar dhe të respketuar në Fushëbardhë. Ish-kryeplaku i Fushëbardhës pak vite më parë shkruante: “Familja e Azem Avdi Onjesë ka qenë dalluar për qëndrim të mirë shoqëror, kanë punuar me djersën e ballit, kanë qenë konseguentë në vendimet dhe aksionet e organizuara në dobi të kombit dhe të fshatit, ndërkohë që si trung familjar janë të ardhur në Fushëbardhë”. Fëmijëria e Mariglen Onjesë ishte e vështirë dhe me skamje si gjithë bashkëmoshatarët. Origjina e të parëve të tij  ishte nga fshati Vajzë i Vlorës. Tradita luftarake e patriotike e fisit të tij është e njohur dhe dokumentuar nga historia. Dy janë dëshmorë të fisit “Onjea”, në fisin e Mariglenit në traditën e oxhakut “Onjea”, dy burra dëshmorë, që gjakun e derdhën për shqiptarinë: Resul Beqo Resuli/Onjea ishte lindur në Fushëbardhë në verën e vitit 1869 dhe që ka merituar titullin lavdiplotë dëshmor për mbrojtjen e Vilajetit të Janinës më 1897; ndërsa dëshmori i dytë është Cenko Belul Onjea (1892-1914), i cili ka rënë në qafë Dardhë të fshatit Fushëbardhë. Trungu familjar i tij rrjedh nga gjyshi Avdi Resuli (Onjea) i lindur më 1892, që u bënë me djem e vajza dhe u shumuan. Jeta rrodhi me miqësitë e krushqitë që u forcuan, edhe pse nuk e harruan origjinën e Vajzës së Vlorës, që shikohej si “derëbabe”, për djemtë e vajzat që rriteshin në fisin Resuli/Onjea në lagjen “Onjea”. Mariglen Onjea u lind dhe u rrit në një truall atdhetar, u arsimua njësoj si bashkëmoshatarët dhe me hallet e kohës. Nga të parët Merigleni kishte mësuar shumë për të rënët dëshmorë të Fushbardhës në betejat e mëdha të historisë si për Bajo Arif Kazo dhe Habil Shuko Xhuvani të rënë në Luftën e Mecovës më 1854, të rënët në luftën e Lëkurësit (1878), Sarandë Abedin Muho, Seit Dobra, Shahin Mema, Hair Stefani, Idriz Alidhima, Sali Isufi, Xhafer Gjoni, Osman Deçka, Shahin Veliu, Mato Asllani, në luftën e Bilbilenjve në Palavli: Myrteza Sulli, Skëndo Xhuvani, Hito Kongoci, Musa Rafi, Gafur Kondi, Sadik Memushi; në luftën e tretë për Vilajetin e Janinës për gjyshin e tij dëshmor Resul Beqo Resuli (Onjea), për trimat që ranë në Skërficë me grekun Halil Sullo, Rizal Muho, Halil Norra, Sejdi Baho, Syrja Tefa, Dalip Kondi, Cenko Onjea, Mete Jonuzi nga Golemi e Haxhi Muxhai nga Zhulati, por edhe për ata që ranë në Bezhan përmbi Janinë si dhe në Pesë puset në Janinë në vitin 1913 si Rustem Shalari, Muho Cama, Resul Peçi, Islam Zyber Kondi dhe Ismail Nora, gjithsej 5 burra. Ndërsa kujtimet i kishin të freskëta për dëshmorët e luftës Nacionalçlirimtare Karafil Bello, Sami Golemi, Tahir Xhuvani, Alem Shehu, Baxhul Nora, Zijadin Çarçani, Kutbi Gjeçi, Nishat Kondi, Gazi Kondi, Xhezo Proda, Cirok Cama, Destan Nora, Latife Nora, Mato Serjan Mato, Tajar Proda. Prandaj me të drejtë brezin e Mareglenit dhe gjithë brezat e tjerë Fushëbardhë i mëkoi me trimërinë e të parëve, me punë dhe përkushtim për jetën dhe zhvillimin. Thirrja për ushtar në moshën 18 vjeçare e Mariglenit ishte një eveniment, sepse hynte në radhën e të burrëruarve dhe që e prisnin detyrime të shumta. Prandaj edhe Marigleni dhe familja e tij e mirëpritën mobilizimin e tij ushtar për të kryer “detyrën ndaj shtetit”, për përfundimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ai ju nënshtrua trajnimit intensiv, kreu karantinën, një periudhë me përgjegjshmëri të madhe dhe më tej edhe betimin ushtarak për të qenë i denjë për popullin dhe Atdheun dhe këtë betim ai e përmbushi me nder deri në fund të jetës së tij të re, deri ditën kur dy plumba ja morën jetën në kufi në postën kufitare të Kakavisë, në kufijtë shqiptarë të shenjtëruar, jo shumë larg ku ishte vrarë edhe dëshmori i Lidhjes së Kombeve Gjeneral Enriko Telini, i cili ishte vrarë dhe rënë dëshmorë për kufijtë ligjore dhe të vërtetës historike për shqiptarët). Vrasja në detyrë e Mariglenit me dy plumba në shërbimin ushtarak në kufi në postën e Kakavisë ishte për familjen Onjea, mbarë fisin e gjerë dhe krejt fshatin Fushëbardhë një gjëmë e madhe që tronditi të madh dhe të vogël. Ai u vra në kufi, në vendin ku shërbente ajka e djalërisë shqiptare, si i përzgjedhur dhe i përgatitur për detyra të vështira për të marrë dhe mbajtur peshë të rëndë të përgjegjësisë ndaj detyrës shtetërore. Ai u vra më datën 30.6.1999, kur ishte vetëm 19 vjeç, në lulen e rinisë, në moshën më të bukur, në moshën e ëndërrave rinore dhe që familja priste prej tij vetëm gëzime. Me largimin nga jeta të Mariglenit lotët nga familjarët, miqtë e dashamirësit janë dhimbje dhe lutje. Lotët udhëtojnë deri në kaltërsinë dhe bardhësinë ku prehen ëngjëjt dhe kur askush nuk mund të flasë. Por peshën e halleve dhe tragjedive të mëdha e mbajnë vetëm familje e oxhaqe të rëndë. Pra hallet e rënda u bien atyre që dinë t’i mbajnë, edhe pse ndryshe është fjala ndryshe është praktika e përditshmërisë. Ndërkohë që njerëzit janë destinuar të provojnë sfida nga më të mëdhatë. Thënie filozofike Sokratiane ka “shpuar” shekujt, se “Vdekja mund të jetë bekimi më i madhërishëm njerëzor”, por që asnjë filozof i botës nuk e ka provuar!.

Dora ngushëlluese e shtetit dhe legjislacioni i përmirësuar shqiptar

Ka qenë meskorriku i  vitit 1999, kur në fshatin Fushëbardhë, tek rrapi i dyqanit në sheshin e Zhërmës mbriti një letër që i drejtohej familjes së Azem Avdi Onjea/Resuli. Në fakt tragjedia kishte 15 ditë që kishte ndodhur në postën e Kakavisë në vendrojen nr 1 ku kishte humbuj jetën kufitari 19 vjeçar, djali i Fushëbardhës dhe ishte përcjellë në heshtje dhe me lotë. Por kjo letër ngushëlluese ishte dora e shtetit për familjen që ndodhej në pikëllim. Letra e ngushëllimit për kufitarin që ra në detyrë në vendrojen nr.1 të Postës kufitare të Kakavies është një letër ngushëlluese për familjen e Azem Onjesë nga Fshati Fushëbardhë, për humbjen e jetës së djalit të tij ushtar 19 vjeçar në Kufi. Ja si shprehet në letër Spartak Dilaver Poçi edhe ky me origjinë nga i njejti fshat: “Me hidhërim të thellë mësova për humbjen e jetës së djalit tuaj të dashur Maringlen. Në pamundësi për të ardhur ju lutem të pranoni ngushëllimet e mia. Humbja e jetës së Maringlenit në këtë moshë të re dhe në mënyrë kaq tragjike është një dhimbje e madhe për të gjithë, për ju dhe për shokët e Repartit të kufirit. Djali juaj, ashtu si shumë moshatarë të tij iu përgjigj detyrës për mbrojtjen e Atdheut, duke u rreshtuar në radhët e Forcave të Policisë Kufitare, detyrë të cilën deri në momentin e ndarjes, e kreu më së miri, duke nderuar veten dhe familjen e tij. Humbja është tepër e rëndë, por së bashku duhet të gjejmë forca për ta përballuar atë, duke ruajtur të pastër kujtimin e tij. I paharruar qoftë kujtimi i tij. Me respekt Ministri i Rendit Publik Spartak Poçi”. Është fakt se përkujtimi i luftëtarëve shqiptarë që kanë rënë në luftrat e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe ruajtje të truallit arbëror, në betejat e shumta për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave të shqiptarizmës, sikurse edhe të rënët në kufi në roje të kufijve të Republikës është detyrim brezash, është detyrim i të gjallëve. Fakt është se përgatitja dokumentare sipas rregullave dhe procedurave të shtetit është detyrim familjar e shoqëror, është detyrim institucionesh, me rregulla të fiksuara qartë për gjithë ata që përmbushin kriteret e ligjit Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, dhe që janë në dosjen e ish kufitarit të Kakavisë. Vlerësimi i të rënëve është një mision dhe detyrim sublime i shenjtëruar sikurse edhe statusi “Dëshmor i Atdheut” është për të rënët në detyrë të njëllojtë me ata që kanë rënë në fushëbetejë në betejat e shqiptarëve për mbijetesë nëpër shekuj në betejat për mbrojtjejn e truallit arbëror sikurse edhe për brezat e kufitarëve që mbrojtjen kufijtë e Atdheut në mënyrë të paprekur. Liria, pavarësia kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare në çdo periudhë historike për shqiptarët është nderimi dhe shërbimi më i madh që një shqiptar mund të japë për Atdheun, ndërkohë që për më tej për shpalljen me statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, propozimet dhe miratimi formësohen dhe zyrtarizohen nga institucionet e shtetit.

-&-

 

Please follow and like us: