Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Xh. Dëshnica: PARDESYJA ÇEKE

 

 

 

 

 

Qysh para luftës, pardesytë tek ne mbaheshin mbi kostum sidomos nga të rinjtë e të rejat, sapo arrinte gjysma e dytë e tetorit. Zakonisht, ato vinin nga jashtë, së pari nga Italia e Franca, më vonë nga Hungaria, Rumania etj. Kur sheh fotografitë e asaj kohe, merr vesh se atëherë pothuajse e gjithë rinia jonë, përveç pardesyve, mbante edhe kapele republike. Më pas, aty nga viti 1948, këto veshje filluan të rralloheshin e të mos dukeshin fort nëpër rrugë. Ndërsa, në vitet gjashtëdhjetë nisën të shfaqeshin disa pardesy prej mushamaje të hollë, që morën nga populli emrin fëshfëshe, për shkak të zhurmës që bënin, duke u fërkuar me krahët në ecje e sipër. Për t’i blerë ato, duhej të ngjisheshe nëpër radhë  të gjata e të shtyheshe me bërryla e grushte në disa pak dyqane, ku në më të shumtën e rasteve bëheshin copë-copë xhama dhe pasqyra. Pas kësaj, bulevardi kryesor i Tiranës herë ngjyrosej në gri dhe të dukej se ishin ulur retë nga Dajti, ose në blu, sikur Erzeni ta kishte ndërruar shtratin dhe e ndante kryeqytetin  më dysh.

Njëherë, në ato kohë, Rudit i erdhi nga Praga një pardesy me cohë të mirë dhe të trashë, qepur  sipas modës evropiane. Ia dërgonte i vëllai, student në Çekosllovaki. Pothuaj gjithë fëshfëshet, në përballje me pardesynë që mbante Rudi, pësuan befas një konsum të thellë moral. Se, ç’është e vërteta, pardesyja e re ia ndryshoi krejt paraqitjen Rudit. Veçse, në punë ai vazhdoi të shkonte si edhe më parë, me triko e xhaketë  të vjetër. Kurse në ditët e dhjetorit e të janarit, kur acari ashpërsohej  për  shkak  të erës  së Tujanit, ai vishte pallton e trashë ushtarake të të atit, që ishte blerë qysh pas çlirimit.

Kur dilte në rrugë e në bulevard me pardesynë çeke, me jakën pakëz të ngritur, Rudi binte menjëherë në sy. Ndaj nisi të krihej më me kujdes dhe t’i lustroste mirë e bukur të vetmet këpucë rumune që kishte. Por, edhe përpiqej të rregullonte hapin dhe ta drejtonte trupin, që zakonisht e mbante pakëz të përkulur. Ai bëri me pardesynë edhe fotografi në studion Foto-Sporti. Dhe me hak. Se kur shkonte rrugës, vajzat e kalimtarët kthenin kokën për ta parë më mirë. Në kinema Rudin e gjeje me pardesynë palosur me kujdes mbi gjunjë. Po atë e shihje shpesh edhe në sheshin ‘Skënderbej’, para pallatit të kulturës me kolona. Për praninë e tij në atë shesh të zhurmshëm, ishte nxitëse sigurisht pardesyja çeke. Veç, ç’ndodhi pas disa muajve? Në ndërmarrjen e Rudit erdhi me punë një djalosh korçar, biond e sygri, me emrin Vaskë, që ishte caktuar teknik në repartin e parafabrikateve betonarme. Në dukje – i qeshur dhe i urtë. Rudi bisedonte shpesh me Vaskën për bukurinë e fshatit të tij në të hyrë të Korçës. Kështu, nuk vonoi e u miqësuan, për më tepër, se Rudit  i pëlqente Korça e bulevardeve dhe e serenatave me kitara e mandolina.

Një të shtunë, te klubi i Sanijes, Rudi i tregonte Vaskës:

– E mbaj mend Korçën si në tym. Një përrua në mes, bulevarde, shtëpi të hijshme e të rreshtuara gjatë rrugëve të drejta e të pastra me kalldrëm. Atje shijova për herë të parë birrën e njohur korçare dhe gazozet në shishe me tapë të bardhë porcelani. Bukur, bukur!

– Ua, e paske parë Korçën, bre!? Me shërbim ke qenë atje, hë? Me siguri, ke fjetur edhe te turizmi i vjetër ti, apo jo?

– Çne! Kam shkuar në këmbë në Korçë.

– Ç’thua, o t’u mbylltë!

– Po, po! Isha  i ri atëherë. Mora pjesë në një ekskursion me një vargan nxënësish maturantë të shkollave të mesme të Tiranës. Qenë me ne edhe  nja gjashtë – shtatë vajza, të veshura gjysmë ushtarake, me rroba engleze, me çanta e torba në shpinë. Ishte korriku i nxehtë  i vitit 1951 dhe udhëtimi ynë – tepër  i lodhshëm. Shpesh, larg fshatrave, na mundonte etja dhe uria. Nga Tirana shkuam në Pezë, Peqin,  Kuçovë,  Berat.  Prej atje dolëm në Qafën e Sinjës, në Ballsh, Selenicë, Vlorë, Brataj. Pastaj iu ngjitëm maleve, në Kuç, Qafë e Gomares, Golem, Mashkullorë të Gjirokastrës e më tej. Mbaj mend se në Selenicë, nëpër galeritë e ulëta të minierës së bitumit, sado që përkulnim trupin, na përplasej balli nëpër trarët. Te një guvë me kate punonin minatorë me kazma e lopata. Njëri nga ata  i nxirë keq nga pluhuri na përshëndeti dhe na tregoi se paskej punuar në minierat e Sent Etienit në Francë, por e patën përzënë, se kishte marrë pjesë në një grevë të përkrahur nga sindikatat! Në Kuç pashë  pothuaj vetëm gra e pleq. Kur vajtëm ne atje, ia morën  këngës “Kurvelesh,  zemra  ime,  ç’janë  ato  bombardime!?…”. Njëri që  fliste pak si shumë na tregoi se si i trazonin natën rojet italiane pranë postoblloqeve. Pastaj hodhi sytë nga malet dhe na tha se me gjermanin nuk bëhej shaka! Ai qerrata u ishte qepur këmba – këmbës  deri në  kreshta  e maja!  Në drekë  unë  e disa shokë  të mi hëngrëm groshë te një shtëpi dhe natën e kaluam  të gjithë në një kasolle. Mbi kakërdhi dhishë shtruam batanijet dhe fjetëm të nanurisur nga  mërmëritja e buronjës ndën rrapin  vigan të Kuçit.

– Më ju lumtë, bre, më ju lumtë! Qejf i madh e jo shaka!

– Pas Përmetit e Frashërit morëm drejtimin për në Korçë.

Në një fshat, në  fushë, më caktuan për drekë te një shtëpi përdhese rrethuar me gardh. Tri vajza të reja më pritën mirë. Mbaj mend  se më  vunë  përpara te një pjatë e thellë  cingoje  katër vezë të fërguara, që notonin në gjalpë. Tri vajzat ishin si shtojzovalle dhe të veshura qytetarçe. Qeshnin  dhe më shikonin drejt në sy.   – E po, vajza pe Korçe, or ti!

– Sigurisht! Pasdite u vumë  në rrugë.  Nata na zuri në Vithkuq.

– Ooo! Nga Vithkuqi kam nënën unë! – tha Vaska.

– Ashtu!? Ishte fshat i bukur  dhe  me  plot pisha. Natën bënte  ftohtë atje, edhe  pse ishin ditë korriku.

– Vërtet!

– Kur arritëm ishte errësirë, ndaj humbëm udhën. Na rrethuan ushtarët e repartit të Vithkuqit. Na morën për diversantë. Po kur dëgjuan zëra vajzash, pyetën: “Ç’jeni ju?” Dy – tre nga ne u përgjigjën:  “Nxënës nga Tirana  jemi”! “B0, bo! Desh krisi pushka këtu, more shokë”! Atë kohë një grup ushtarësh të armatosur u dukën në sheshin  ku ishim ndalur.

Kaluam edhe në pyllin e Makërzës me hije e luleshtrydhe. Pimë ujë te “Çezma e Mbretit”.  Ç’ta zgjas! Pas 25 ditësh udhëtimi, të nxirë nga dielli, të dobësuar e të pluhurosur, pasi lamë fshatin Qatrom, mbërritëm aty nga mbrëmja në Korçë. Në kthim na  priste  Pogradeci, Qafë – Thana, Elbasani, Qafa  e Kërrabës dhe, më në fund, Tirana.

– Ua, sa rrugë paskeni  bërë!

Rudi pa orën dhe tha:

– Kthehemi në punë!

Një ditë Vaska hyri në zyrën e Rudit, buzëqeshi dhe i tregoi:

– U fejova, bre!

– O, o! – thirri Rudi me atë zërin pak si të ngjirur. – Urime, urime!  Nga është nusja?

– Nga një fshat ngjitur me tonin.

– Po kur kështu?

– Pardje! E bëmë fejesën tak – fak te një pastiçeri në rrugën e Durrësit. Isha me vëllezërit e mi atje dhe me ca kushërinj të nuses.

– Prandaj s’të kam parë këto ditë unë ty! Të lumtë, të lumtë!…

Për një kohë u bë heshtje.

– E di qysh e kam hallin, bre Rud? – Vaska u hodhi një vështrim letrave të shpërndara mbi tavolinë, pastaj tha:  – Do të shkoj në  fshat për  të këmbyer nishanet! Kostumin, trikon dhe këmishën m’i blenë vëllezërit, që erdhën nga Korça. Më rrinë për bukuri, por ç’e do!

– Si është puna?

– Unë do të kisha qejf të shkoja në fshat si njeri, që vjen nga Tirana. – Ai u mendua një hop dhe shtoi: – Të lutem, a ma jep pardesynë çeke  sa të vete e të vij? Veç për pesë ditë e dua! Të hënën më ke këtu, për nderin e familjes! Dhe mos u bëj merak, se do të ta mbaj mirë!

– Eh, po unë atë të vetme kam! Megjithatë, s’ta prish dot, por ma kij kujdes, aman!

– Ç’është ajo fjalë! Bile, nuk do ta vesh rrugës, po kur të jem në të hyrë të fshatit!

Dhe kështu, dhëndri ynë, i rruar e i krehur bukur, me kravatë të kuqe e me këmishë nga Tirana, me triko, kostum  e çorape prej Korçe, me  këpucë  të zeza nga Elbasani dhe me pardesy moderne nga Praga, pra, veshur, ngjeshur e kapardisur, hipi përpara te një Zis i Korçës tok me njërin vëlla. E kur njerëzit e tjerë zunë vend në karroceri, u nisën të qeshur.

Rudi nuk u duk në bulevard në ato pesë ditë nëntori. Ai priste të vinte të hënën Vaska dhe t’i kthente pardesynë. Por, iku e marta tok me të e mërkura, iku e enjtja dhe po afrohej e diela. Gjatë atyre ditëve me festa krisën e shndritën fishekzjarret, madje gjëmuan edhe topat. Ndërsa ai mbeti i mbyllur në shtëpi dhe në kulmin e mërzitjes. I afrohej dritares dhe shihte në qiell shkëndijat që binin si shi pas krismave, në mes atij ndriçimi verbues.

Ai e kërkoi Vaskën të hënën e dytë, por nuk e gjeti. Mori vesh se inxhinieri e kishte dërguar  me shërbim në Rrogozhinë e në Peqin dhe sa nuk u çmend. Por, më kot, se pas nja tri ditësh të tjera,  dhëndri i ri biond e sygri u duk në pragun e derës, në mes shumë  njerëzve, që prisnin të merrnin rrogat. Hyri brenda, la në tavolinën e makinës së shkrimit diçka të mbëshjellë me letër ambalazhi nga ato të thasëve  të çimentos, u kthye te arkëtarja, mori rrogën dhe u largua pa u ndjerë. Rudin e kapi një parandjenjë e keqe. U ngrit dhe shkoi te tavolina e vogël, këputi me forcë spangot e pakos dhe e hapi. Pa një zhele të errët e të pështirë, me baltë. Mezi e njohu nga xhepat e nga jaka. Ishte pardesyja e vet çeke. Sa nuk i ra pika e iu pre fryma. Tashmë kuptoi qartë e me dhimbje  se kishte marrë  fund njëherë  e përgjithmonë eleganca e tij nëpër bulevardin e Tiranës.  Po kush ia kishte fajin? I ra ballit me pëllëmbë. Ndezi një cigare dhe vështroi jashtë dritares. Në Qafën e Tujanit dhe mbi livadhet e Dajtit, po dyndeshin re. Pritej shi Tirane.

 

Please follow and like us: