Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: SHENJTORI LAIK I SË ARDHMES

Frojdi thotë se feja është një iluzion i madh dhe vjen nga fakti se korrispondon me dëshirat tona instiktive. Ky iluzion, sipas Frojdit, ka një të ardhme të madhe.
Kjo formë iluzioni, e cila për mefshërinë njerëzore ka shkaktuar në të shkuarën, por vazhdon akoma të shkaktojë veç lufëtra, gjak, urrejtje, ndarje dhe shtypje mes njerëzve, do të vazhdojë të riprodhohet në format nga më të ndryshmet. Ndaj do të ketë gjithmonë forma të ndryshme feje; forma feje personale, larg dhe jashtë feve institucionale.
Ndoshta kërkimi personal i hyjnores është alternativa më e drejtë dhe e llogjikshme për qënjen njerëzore.
E parë në pamje të parë ky citim i Frojdit ka arsyen e vet të patundur. Nëse duam të arsyetojmë me mend në kokë dhe me këmbët ngulitur mirë tek arsyeja. Është kështu. Duhet të jetë kështu. Një analist serioz arrin në këtë përfundim të patundur. Përtej dëshirave tona, përtej iluzioneve tona, përtej ëndërrave tona, përtej dëshirës tonë për të qenë të pavdekshëm dhe të ngushëlluar nga dikush, (Një Hyjni e Drejtë) pas vdekjes; rrin përherë vigjilente, e pamëshirshme ajo: e vërteta e pranueshme nga arsya e shëndoshë njerëzore. E vërteta racionale, e cila pa iu dridhur qerpiku citon: asgjë ishim përpara se të lindnim dhe asgjë do të jemi pasi do të vdesim. Jemi pra një rastësi fatlume e universit. Fare vetëm dhe të humbur në galaksi. Ndaj duhet t’i zgjidhim vetë hallet tona të bashkjetesës në paqe.
Deri këtu gjithçka është e thënë me mend në kokë. Nuk e luan topi, kur themi ne. Por kjo është veç pika e vështrimit racional, ajo më bindësja, më iebesueshmja dhe mbizotëruesja, në arsyen njerëzore. Më me mënd në kokë, do të shtoja, por nuk është e vetmja. Nuk mund të jetë e vetmja. (Teoritë e Ajnshtajnit mbi relativitetin, dukeshin broçkulla, gjepura, por mbasi u provuan, ato ndërruan rrjedhën e shkencës dhe fizikës). Kush më garanton mua që edhe llogjika njerëzore që thotë: nuk ka gjë përtej, është një gjykim i rremë?! Relativiteti i pikëvështrimeve, është i shumëllojshëm. Sa gjëra ekzistojnë, por ne nuk i shohim. Valët eketromanjetike, tingulli, atomin nuk e shohim, përbërjen shumëngjyrëshe të vetë dritës etj, etj. Ndaj e parë nga një këndvështrim i ri, atëherë arsyetimet mund të jenë nga më të ndryshmet.
Arsyetimi im psh, shkon më tutje. Duke qenë njeriu krijesa e vetme që njohim në univers e pajisur me arsye, atëherë ka edhe privilegjin e madh të analizojë, të reflektojë dhe të thellohet mbi misterin: Jetë. Fakti që përtej jeta, mund të jetë iluzion, përrallë, mund t’i përkasi vetëm një grupi njerëzish mbi tokë të cilëve nuk i depërton fare ndjesia spirituale. Njeriu nuk është vetëm racionalitet dhe arsye e ftohtë analizuese. Njeriu është një qënje shumë komplekse. Ndaj një pjesë tjetër e njerëzimit, të cilët kanë aftësi perceptimi, intuitive dhe nivele spirituale më të avancuara, (ndjejnë dhe kuptojnë më thellë) e shohin fenomenin nga një pikëvështrim krejt tjetër. Pra.
Mund të jetë illuzion, siç pohojnë racjonalistët dhe skeptikët, por mund të jetë edhe e kundërta. Pra, që njeriu është një qenje me sytë e fashuar. Që jeta materiale që njohim, është një iluzion sepse ne nuk e perceptojmë as edhe nuk e shohim të vërtetën. Dhe e Vërteta i fshihet njeriut, (është pra një kapriço largpamëse e Hyjit Suprem) sepse është ai vetë, njeriu, që duhet ta kërkojë atë me hulumtimet, arsyen dhe sidomos me shqisat. Ose më mirë, me shqisën e gjashtë. Atë intuitiven. Pra, kemi dy variante kryesore kontraposte.
Mrekullitë, vizjonet, gjendjet e tranc-it, fenomenet e pashpjegueshme, nuk mjaftojnë. Mendoj, se vetë njeriu, po t’i futet meditimit të thellë, sipas meje, arrin po vetë në përfundimin se nuk jemi prodhim i rastësisë. Gjithçka është aq perfekte, aq e bukur në natyrë sa me do e mos, gjithçka u ka krijuar nga një dritë, inteligjencë, energji tepër superiore dhe sublime. Ky është përfundimi i hulumtimeve të mia personale. Si gjithçka mbi tokë që e ka një zot, edhe në qiell, e ka nje Zot kjo punë.
“Shpikja” apo “sajesa” e ferrit dhe parajsës nga njeriu, nuk është sipas meje një frut i iluzioneve të tij. Ai është sipas meje, jo vetëm një ekzigjencë shpirtërore e njeriut, por para së gjithash ajo është niveli më i lartë i ndërgjegjësimit kulturor të njeriut. Shkalla më e lartë e qytetërimit të tij.
Ka njerëz që ideja e përtejjetës as nuk i depërton fare në mendje, ndaj për to ajo është deri edhe një iluzion i rrezikshëm, i cili aq shumë telashe i ka sjellë njeriut në të shkuarën.
Ka njerez që janë në mëdyshje, por bëjnë kërkime të vazhdueshme personale spirituale.
Ka edhe njerëz që mendojnë, se ka diçka përtej dhe këto ndahen në fraksione fesh-ë dhe besimesh nga më të ndryshmet.
Sa më shumë njeriu rritet si nivel spiritual, aq më shumë ai i afrohet idesë së Zotit, gjykimit të tij dhe idesë së ferrit dhe parajsës.
Përse atëherë, i gjithë njerëzimi o nuk beson tek kjo ide, o beson pak, ose e beson atë marrëzisht dhe fare pa arsye. Thjeshtë si një akt Besimi pra? (atto di fede) Shumllojshmëria është pasuri. Është mirë që është kështu dhe kështu duhet të jetë në të vërtetë. E shumllojshme e cila jeton duke respektuar njëra-tjetrën.
Vetëm ai grup njerëzish që shpirtërisht ësht i avancuar, (janë të ndershëm, besojnë tek vlerat e vërteta, janë mirënjohës, kanë zemër dhe ndihmojnë më të varfrin, nuk shpifin, nuk mashtrojnë, nuk janë falsë, e duan drejtësinë dhe bëjnë për shoqërinë dhe të tjerët, janë punëtorë dhe besojnë tek shoqëria, etj) këto njerëz me spirito vero e puro, me shpirt të dlirë dhe të virgjër, pra janë më afër rrugës së të padukshmes.
Ky dualitet, ka gjë përtej/nuk ka gjë përtej, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë, derisa të zbulohet vetë sekreti i jetës.
Është arritje e madhe për njeriun pra, mos ta përziej atë, (fenë) me pushtetin, me politikën, me Shtetin, apo më keq, me fitimin. Ajo duhet të mbetet një sferë fare intime dhe personale e njeriut e cila ka të bëjë veç me ndërgjegjen e tij, me veten e tij, me shpirtin e tij.
Ashtu si besimi, spiritualiteti i avancuar apo kërkimi i thellë që njeriu bën për të arritur tek konkluzjoni i ekzistencës së përtejjetës, janë dhurata hyjnore, që njeriut i vijnë nga sfera të cilat e tejkalojnë, (trascendono  la ragione. Arsyen pra.
Kush është përfundimi im?! Sipas meje ka diçka atje tutje. Diçka të madhe fare e cila na josh, na tremb, na vë para përgjegjësisë morale. Hyjnija Superjore jo pa qëllim e ka fshehur të vërtetën, njohja e së cilës avancon me zhvillimin e shkencave dhe sidomos me zhvillimin kulturor, socjal dhe emancipimin spiritual të njeriut. Jo pa qëllim Hyja i ka dhënë njeriut arsye dhe sentiment, (ndjenjë) në mënyrë që ai të përparojë me forcat e veta, me hulumtimet e veta, dhe jo duke ndjekur dogmat e shkruara nëpër libra.
Ndaj i jepet çmim, në rradhë të parë shenjtorit laik. I cili në sytë e Hyjnisë është dhe duhet të jetë më e mrekullueshmja qënje njerëzore. Qënja njerëzore e së ardhmes. Këtu buron edhe humanizmi pa fund i këtij mesazhi universal, i cili vlen për ato që besojnë dhe nuk besojnë.
Kush nuk mashtron, kush nuk mendon veç për vete. Kush ndihmon nevojtarin, kush nuk tradhton. Kush beson tek familja, tek shoqëria, tek një ideal i lartë njerëzorë. Kush nuk don veç të akumulojë materje, kush lufton për të mirën e njerëzimit, kush nuk korruptohet , kush i shmaget hipokrizisë. Kush nuk gjykon të tjerët, kush nuk qahet, kush i është mirnjohës qiellit apo njeriut për një të mirë që ka patur nga A/ai, kush është pozitiv dhe optimist. Kush nuk e humb vetveten, nuk bëhet pis por lufton për të drejtën. Ose më mirë : për një sens të pranueshëm drejtësie të ispiruar nga hunanizmi dhe nga arsyja e pranueshme njerëzore,. Kush adhuron vyrtytin dhe lufton për paqen. Këto njerëz, janë shenjtorët laikë të së ardhmes.
Ka apo nuk Zot përtej, nuk jemi të aftë t‘a vërtetojmë, por të luftojmë për platformën e sipërme humane, kjo është detyrë e së ardhmes. Po u sollëm mirë dhe në mënyrë korrekte dhe të vyrtytshme, do të na dojë fort Hyja i çdo feje, do të na dojë më shumë vetë Kozmosi.
Është apo nuk është iluzion përtej jeta, duhet të mbetet diçka fare personale dhe intime. Një akt besimi i cili e tejkalon arsyen. Ajo ka të bëjë me brendinë tonë më të shenjtë. Por, ta përdorësh mirë dhe si duhet, me ndërgjegje pushtetin. Të luftosh për të mirën e njerëzimit, kjo varet veçanërisht nga ne, njerëzit e pajisur me arsye dhe shpirt.
Please follow and like us: