Albspirit

Media/News/Publishing

Skandali me publikimin e pagave, databaza rrodhi nga AKSHI. Prokuroria: Edhe “patronazhistët” dolën nga të njejtët zyrtarë brenda këtij institucioni

Zyrtarët e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë të dyshuarit kryesorë për skandalin e publikimit të listë pagesave të mbi 690 qytetarëve, punonjës të administratës publike apo biznesneve private në vend.

Burime pranë prokurorisë së Tiranës konfirmuan për News24 se kanë mundur të identifikojnë se cilët punonjës të AKSHI-t kanë patur akses në sistem, ku kanë kopjuar dhe shpërndarë databazën e pagave.

Skandali thellohet edhe më shumë, pasi prokuroria ka dyshime të forta se të njëjtët zyrtarë që shpërndarë në mënyrë të pautorizuar lista-pagesat e qytetarëve, më herët nxorën edhe databazën me të dhënat e qytetarëve të kryeqytetit, e njohur si ‘dosja e patronazhistëve’, ku krahas emrit mbiemrit dhe numrit të ID-së secili patronazhist shënonte preferencën politike të votuesit.

Dosja e njohur si ‘Patronazhistët’ u hetua më herët nga SPAK, por ky institucion ia kaloi stafetën organit të akuzës në kryeqytet.

Për shkak se janë ngritur dyshime të bazuara në prova, që të dyja databazet janë shpërndarë nga e njëjta linjë dhe kanë rrjedhin nga i njëjti institucion, grupi i hetimit ka gjasë t’i bashkojë dhe hetojë në një të dyja dosjet.

Për të siguruar prova, prokuroria krahas kqyrjes së sistemit dhe kompjuetareve të këtyre zyrtarëve ka kryer dhe përgjime e vëzhgime të disa prej të dyshuarve, të cilët në bisedat mes tyre, kanë nxjerrë detaje që i kanë shërbyer hetimit.

Zyrtarë të Prokurorisë thanë se së shpejti pritet të ketë rezultate konkrete për hetimin, por se pjesa më e vështirë e tij do të jetë përcaktimi i motivit, se përse u publikuan listë-pagesat e mijëra qytetarëve.

Rrjedhja e të dhënave të një numri kaq të lartë qytetarësh konsiderohet një nga skandalet me të rënda të ndodhura vitet e fundit, pasi të dhënat personale të punonjësve të administratës, por edhe atyre të biznesit privat mund të keqpërdoren nga individë, por edhe grupe kriminale.

Please follow and like us: