Albspirit

Media/News/Publishing

Amarda Ekmekçiu: Shënimet e një gruaje

Sa herë isha vetëm, instiktivisht gishtat luanin mbi tavolinën e bukës kot e, muzika e sajuar ato momente shoqëronte ritmin e tyre. Më dukej se luaja piano.
Por mundësinë për t’u bërë artist, prindërit ia dhanë vëllait pas meje. Sipas tyre arti nuk ishte për mua. Pastaj mësuesja e muzikës më zgjodhi në korin e shkollës. Ajo më kishte dëgjuar të këndoj, kështu që më dërgoi për të marrë pjesë në festivalin e fëmijëve në qytetin tim. Isha soliste e këndoja një këngë që akoma e kujtoj. Pasi i kisha bërë të gjitha këto, i tregova nënës për këngën, për festivalin e mbi të gjitha i shpreha shqetësimin për veshjen time.
Po afrohej dita e festivalit dhe ndryshe nga kori i pionerëve, këngëtarët solistë vishnin rrobat e tyre. Nuk e di nga e sajoi nëna një fustan, të cilin e pëlqyen shumë të gjithë pa përjashtim. (Rrobat e bukura, ishin të rralla atëherë). Por ata nuk e dinin se, ai fustan nuk ishte i imi. Ndoshta këtë të fshehtë, gëzimi im që po këndoja në një festival, e ruajti mirë, më shumë se varfëria e kohës.
Nga që isha ende e pa rritur mirë, “rreziku” prej artit nuk më kanosoj. Në piano nuk mësova të luaj kurrë. Këngëtare jo e jo, as që bëhej fjalë. Kështu ishte koha (shprehje ngushëlluese kjo) që vazhdon të shoqërojë si justifikim frikën e pa sigurinë e tyre.
Por dashurinë për të, përkundër dëshirës së prindërve e ushqeva me çaste të vogla, që ruanin të gjallë ekzistencën e tij tek unë.
Në ekskursionet që bënim në shkollën e mesme, ulesha në galerinë e autobuzit dhe këndonim gjatë gjithë rrugës. Po kështu bëja, sa herë mblidheshim në festa familjare. Këndoja me dajot e mi këngët e Isuf Myzyrit. Të gjithë këndonim. Kuptoja se kjo dashuri buronte nga njerëz të thjeshtë për t’u trashëguar tek ne. Dajren e gjyshit tim e nxorrëm nga sepetja e gjyshes, ditën kur u martua im vëlla i vogli. E vetmja dasëm në 24 nipa e mbesa. Nusja hyri në oborrin e shtëpisë e shoqëruar me dajren që lodronte në gishtat e teze Shqipes.
Kur e pata kaluar “rrezikun” nga arti se tashmë kisha krijuar familje, pra kisha një burrë, arti rrezikohej prej meje. Nuk u bëra kurrë një pianiste, as këngëtare, as poete, as moderatore. Thjesht punova duke ushqyer çdo grimcë të gjallë e me frymë brenda meje, me dashurinë e vlerësimin për atë që linda.
Please follow and like us: