Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Marr ca lotë dhe i bëj vesë

Marr një lumë dhe e bëj këngë,
Marr një yll dhe e bëj dritë,
Marr dy sytë e tu bukur,
I bëj mall e i bëj shpirt.

 

Marr një natë dhe e bëj ëndërr,
Marr pak borë e bëj ujëvarë,
Marr një zemër që e dua,
Marr një zemër i vë zjarr.

 

Marr gishtrinjtë e tu të hollë,
Dhe për flokët i bëj krehër
Marr ca lule nga bajamja,
Dhe ja hedh marsit në prehër.

 

Prej fustanit të pranverës,
Marr përherë lule qershie,
Marr ca gjethe kur vjen vjeshta,
I bëj letra dashurie.

 

Marr ca re në një kodrinë,
Edhe bëj një shall për ty,
Mbledh në pemë këngët e zogjve,
Dhe i kthej në sinfoni

 

Marr çdo maj ca xixëllonja,
Në oborrin tënd i hedh,
Për të gjetur rrugë të reja,
Unë besoj dhe kur s’ka shpresë.

 

Marr ca lotë e i bëj vesë,
Një burim e bëj pasqyrë,
Marr gjithmonë një grusht në yje,
Dhe godas mbi errësirë.

Please follow and like us: