Albspirit

Media/News/Publishing

Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë

Instituti i Historisë

Instituti i Historisë dhe Ambasada Austriake në Tiranë organizuan konferencën shkencore “Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë”. Konferenca mbahet në kuadër të aktiviteteve të 110 vjetorit të Pavarësisë dhe 100 vjetorit të marrëdhënieve zyrtare. Fokusi kryesor i konferencës ishte trajtimi i rolit të Austro-Hungarisë në raport me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar duke u bazuar kryesisht në botimet sintetizuese të historisë së shqiptarëve, në tekstet shkollore të historisë, në shtypin shqiptar të kohës dhe botimet profesionale të Institutit të Historisë. Mesazhet kryesore të konferencës u përcollën nga drejtori i Institutit të Historisë Prof. Afrim Krasniqi dhe ambasadori i Austrisë zoti Christian Steiner. Refertues në konferencë ishin Prof. Beqir Meta, Prof. Ledia Dushku, Prof. Edmond Malaj, Dr. Edon Qesari, ekspertja e programeve mësimore të historisë Fatmiroshe Xhemalaj, si dhe Dr. David Schriffl, i ardhur posacarisht nga Vjena, drejtues në MPJ të Austrisë. Pjesëmarrës në konferencë ishin ambasadorë, studiues, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve kryesore.Midis historianëve nuk ka dallime në njohjen e vlerësimin e tezës se Austro-Hungaria luajti rol thelbësor në mbështetjen e shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri më 1914. Ky është një nga rastet e rralla historike ku vlerësimi shkencor përputhet me perceptimin publik dhe mediatik. Sic u theksua në Konferencë, Vjena ishte kryeqendra e studimeve albanologjike, e platformës të “Kultusprotekorat” përpara Pavarësisë, e formimit dhe promovimit të një elite të re politike e kulturore më formim kombëtar, – përpara se të konfirmohet si kryeqendra mbështetëse e Pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të shtetit të ri.Gjatë dekadës së fundit Instituti i Historisë ka botuar dhe vijon të botojë vëllime me dokumente historike që lidhen me marrëdhëniet e Shqipërisë me Austro Hungarinë në vitet e para të shtetformimit. Konkretisht, janë botuar 7 vëllime me dokumente për vitin 1912, 8 vëllime me dokumente për periudhën 1914, 3 vëllime me dokumente për periudhën përpara Pavarësisë, si dhe janë në proces vlerësimi për botim në të ardhmen 9 vëllime të tjera, 6 vëllime për vitin 1913 dhe 3 vëllime për periudhën përpara 1912.

Please follow and like us: