Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: Ku janë shtatoret e mbretërve ilirë?

Nuk jam kundër vendosjes së shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, një konteshë perëndimore e martuar me Mbretin shqiptar Zog I, por jo të arrijmë deri në dekoratën “Mbretëresha Geraldinë” siç mendojnë e propozojnë disa.
Ne jemi një komb që kemi histori, ne kemi Mbretëreshën Teuta, mbretërit ilirë Agroni, Pirro e Gent, po ku janë shtatoret e tyre?!
Është e turpshme dhe e dhimshme për ne që nuk gjenden lekët për këto shtatore, por gjenden dhe harxhohen para pa fund për këngëtarë të huaj për një koncert të tyre.
Kujtojmë se në nëntor 2012 në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë Muzeu Historik Kombëtar këto shtatore i mori me qera te një subjekt privat te kthesa e Rinasit.
Në librat e historisë shkruhet për ilirët dhe mbretërit ilirë, por të pamaterializuar.
Me fëmijën dhe nipin për dore kur dalim te Sheshi “Skënderbej”, ata na tërheqin drejt monumentit të Heroit tonë kombëtar për të bërë fotografi. Sa mirë do të ishte të kishim edhe statujat e mbretërve ilirë, të bënim fotografi bashkë me fëmijët dhe nipat e mbesat! Atëhere mësimi i historisë zë vend në kujtesën e tyre dhe nuk harrohet kurrë.
Ekipi i futbollit të qytetit të Durrësit pas vitit 1990 mban emrin e Mbretëreshës Teuta, por po të bësh një intervistë masive te brezi i ri, nuk dinë të përgjigjen ose përgjigjen gabim.
Mbreti Pirro është kartëmonedhën 2000 lekëshe, por do të ishte mirë që të ishte edhe mbretëresha Teuta, që t’u mbetet në mendje shqiptarëve se ne si popull jemi drejtuar edhe nga gra mbretëresha. Kaq në hall është buxheti i qeverisë dhe i Ministrisë së Kulturës, kur vetëm për lule të freskëta që vyshken pas disa orësh harxhohen miliona lekë ?!
Po rritet një brez i ri që nuk njeh të kaluarën e lavdishme të kombit shqiptar.
Institucionet përkatëse duhet të angazhohen seriozisht për njohjen e historisë sonë, se pas fshirjes nga kujtesa të historisë vinë pasoja shumë të rënda.

Please follow and like us: