Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA konfiskon në Spanjë jahtin e oligarkut rus, Viktor Vekselberg

Qeveria e Shteteve të Bashkuara konfiskoi të hënën në Spanjë një jaht madhështor në pronësi të një oligarku me lidhje të ngushta me presidentin rus, Putin. Kjo është lëvizja e parë e ndërmarrë në kuadrin e sanksioneve të qeverisë amerikane për të konfiskuar mjetet e mëdha detare dhe prona të tjera të kushtueshme që u përkasin elitave ruse.

Garda Civile e Spanjës dhe agjentë federalë amerikanë hipën në bordin e jahtit të rimorkuar në Marina Real, në portin Palma de Majorka, që shërben si qendra e Ishujve Balearikë të Spanjës në Detin Mesdhe. Gazetarët e agjensisë së lajmeve Associated Press panë nga afër në vendndodhje policinë që hynte dhe dilte nga jahti gjatë mëngjesit të së hënës.

Operacioni i përbashkët për konfiskimin e jahtit, me pjesëmarrje të Gardës Civile të Spanjës, FBI-së dhe hetuesve të Departamentit amerikan të Sigurisë, u zhvillua me kërkesën e autoriteteve amerikane, u shpreh Garda Civile e Spanjës.

Një burim në Gardën Civile i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se jahti i ndaluar quhet Tango, është 78 metra i gjatë, mbart flamurin e Ishujve Cook, dhe vlerësohet në rreth 120 milionë dollarë, sipas Superyachtfan.com, një faqe në internet e specializuar për varkat më luksoze të botës. Personi që bisedoi me gazetarët kërkoi të ruhet anonimeti i tij, për shkak se nuk ishte i autorizuar për t’u cituar në artikuj të shtypit.

Jahti është ndër asetet e lidhura me Viktor Vekselbergun, një miliarder dhe aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin. Ai drejton Grupin Renova me seli në Moskë, një konglomerat i metalurgjisë, minierave, teknologjisë dhe aktivitete të tjera, sipas dokumentave të Departamentit amerikan të Thesarit. Të gjitha asetet e zotit Vekselberg në Shtetet e Bashkuara janë tashmë të ngrira dhe kompanive amerikane u ndalohet të bëjnë biznes me të apo me entitetet e tij.

Megjithëse ndaj zotit Vekselberg nuk janë vendosur sanksione nga Bashkimi Evropian, ai është nën hetim në Shtetet e Bashkuara për shmangie të mundshme të taksave, pastrim parash dhe falsifikim dokumentash me qëllim fshehjen e pronësisë së jahtit Tango, u shpreh në një deklaratë Garda Civile e Spanjës.

Kjo është hera e parë që qeveria amerikane ka konfiskuar jahtin e një oligarku që kur Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe Sekretarja e Thesarit Janet Yellen krijuan grupin e punës REPO, për elitat ruse, palët e treta dhe oligarkët, në kuadrin e zbatimit të sanksioneve të vendosura pasi Rusia sulmoi Ukrainën në fund të shkurtit.

Agjentët federalë amerikanë dhe ata spanjollë duke hetuar për materiale dhe paisje në jahtin e konfiskuar (4 prill 2022)
Agjentët federalë amerikanë dhe ata spanjollë duke hetuar për materiale dhe paisje në jahtin e konfiskuar (4 prill 2022)

Zoti Vekselberg ka lidhje të hershme me Shtetet e Bashkuara. Ai ka patur për një periudhë kohore edhe kartën jeshile, dokumentin e qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, si dhe shtëpi në Nju Jork dhe në Konektikat. Biznesmeni i lindur në Ukrainë krijoi pasurinë e tij nëpërmjet investimeve në industritë e aluminit dhe karburanteve gjatë epokën pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Zoti Vekselberg u mor në pyetje edhe gjatë hetimeve të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe ka punuar nga afër me kushëririn e tij amerikan, Andrew Intrater, i cili drejton firmën e investimeve Columbus Nova, në Nju Jork.

Zotërinjtë Vekselberg dhe Intrater u vendosën në qendër të vëmendjes gjatë hetimeve të prokurorit Mueller pasi avokati i aktores të filmave pornografikë Stormy Daniels publikoi një dokument ku pretendohej se për të siguruar heshtjen e saj, 500 mijë dollarë ishin transferuar nëpërmjet firmës Columbus Nova tek një kompani guackë e krijuar nga avokati personal i ish-Presidentit Donald Trump, Michael Cohen. Firma Columbus Nova mohoi që zoti Vekselberg të ketë patur ndonjë rol në pagesat për zotin Cohen.

Zoti Vekselberg dhe zoti Intrater u takuan me zotin Cohen në Kullën Trump, një ndërsa disa takime të zhvilluara mes anëtarëve të rrethit të brendshëm të ish-Presidentit Trump dhe përfaqësuesve të elitave ruse gjatë fushatës së vitit 2016 dhe tranizicionit të kalimit të pushtetit.

Gjatë një ceremonie në Kremlin, zoti Vekselberg pozon përkrah Presidentit rus Putin (26 janar 2017)
Gjatë një ceremonie në Kremlin, zoti Vekselberg pozon përkrah Presidentit rus Putin (26 janar 2017)

Manjati 64 vjeçar themeloi Grupin Renova mbi tre dekada më parë. Mes shumë investimeve të tjera, ky grup ka shumicën e aksioneve edhe në United Co. Rusal, kompania më e madhe ruse e prodhimit të aluminit.

Shtetet e Bashkuara i vendosën fillimisht sanksione zotit Vekselberg në vitin 2018, dhe sërish në mars të këtij viti, pak pasi kishte filluar sulmi në Ukrainë. Ndaj zotit Vekselberg janë vendosur aksione edhe nga autoritetet britanike.

Jahti lundron me flamurin e Ishujve Cook dhe është në pronësi të një kompanie të regjistruar në Ishujt britanikë Virgin dhe të administruar nga shoqëri të ndryshme në Panama, tha Garda Civile e Spanjës, “bazuar në një rrjet të komplikuar financiar dhe shoqëror për të fshehur pronësinë e vërtetë të tij”.

Please follow and like us: