Prania e Rusisë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut është një farsë, vlerëson Linda Thomas-Greenfield, e dërguara e SHBA-së në OKB, duke propozuar që Asambleja e Përgjithshme të përjashtojë Rusinë si përgjegjëse për abuzime të zbuluara në Bucha të Ukrainës.

Pamjet nga qyteti, ku dhjetëra civilë u gjetën të vdekur në rrugë, kanë tmerruar botën.

Ndërkohë që po mblidhen raportet për abuzime të rënda dhe krime lufte nga ushtarët rusë në Ukrainë, Rusia është anëtare e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Kjo është farsë”, vlerëson e dërguara e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, njofton agjencia e lajmeve Reuters, transmeton RTKLive.

“Dhe kjo është e gabuar. Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se është koha që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për përjashtimin e Rusisë”, deklaroi ajo.

Nëse dy të tretat e 193 vendeve anëtare të Asamblesë votojnë në favor të përjashtimit, Rusia mund të përjashtohet, pas vetëm dy nga tre vjet në Këshill.

Që kur Rusia bëri invazion në Ukrainë, më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme ka mbledhur, në dy raste, mjaft vota për të dënuar veprimin.

“Mesazhi im për 140 vendet, që janë bashkuar me guxim, është: Imazhet nga Bucha dhe shkatërrimi në Ukrainë kërkojnë që fjalët tona të përputhen me veprimin”, deklaroi Thomas-Greenfield.

Imazhet e civilëve të vdekur në rrugët e Bucha-s, qytet në periferi të Kievit, arritën të përhapen në gjithë botën, këtë fundjavë.