Albspirit

Media/News/Publishing

GJERGJ HAJNAJ, PIONIER I ORGANIZIMIT TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES SË BIMËVE

 

 

Implementoi metodat më bashkohore, luftën e drejtuar dhe kontollin e integruar për luftimin sëmundjeve dhe dëmtuesit e bimëve. Përmirësoi dukshëm organizimin e shërbimit të prognozë-sinjalizimit në gjithë vendin…  

 

Nga Koço MOSKO

Agronom i Mbrojtjes së Bimëve

Boston, MA-SHBA

 

 

 

Kam shkruar disa jetëshkrime për kolegët e mi agronomë, nga Shqipëria dhe të huaj. I kam përshkruar jo vetëm si specialistë diturakë e të zotë, por edhe si njerëz të mirë, humanë dhe të merakosur për mirëushqyerjen e popullit. A mos vallë ky profesion të zbut shpirtin e të bën human!? Ndoshta, se të jesh një agronom i mirë, të arrish rezultate, duhet t’i koordinosh punët e përditshme në paqe e të lidhura me natyrën. Nëse bën ndryshe, natyra të ndëshkon, madje të ndëshkon shumfish, së bashku me gjithë komunitetin ku ti jeton.

Këtë jetëshkrim e kam për një njeri fisnik, të ditur e zemërgjerë. Quhet Gjergj Hajnaj.  Ai nuk jeton më, por ka lënë gjurmë të arta dhe kujtohet me respekt prej kujtdo që e ka njohur. Unë kam patur fatin ta njoh e të bashkëpunoj me të për shumë vite.

Origjina 

Gjergj Hajnaj  vinte nga zemra e maleve të krahinës së Labërisë, nga fshati Lekdush i Tepelenës. Rridhte nga një familje patriote, e shquar për atdhedashuri e trimëri. Në këtë fshat natyra e ka lëshuar dorën e është treguar bujare. Ka krijuar një mrekulli: livadhe, lugje të lulëzuar, pyje, kullota e burime me ujëra të freskëta, qelibar, si dhe një ujëvarë ujë-ëmbël që rrjedh  nëpër kanione e zajet e bardhë, poshtë radhoit të shtëpive. Fshati i Lekdushit në Kurvelesh emigrimin e ka njohur shumë herët.  Shquhet si fshati i mençurisë, arsimdashës, i punës, besës e mikpritjes.

Në këtë mjedis ndërtuan jetën e tyre e përpiqeshin t’u bënin ballë vështirësive jetësore të kohës, babai i Gjergjit, Guçia dhe nënë Xhikua. Familja merrej kryesisht me blektori. Kishin në zotërim 300 krerë dele e dhi si dhe pak tokë malore, të trashëguara brez pas brezi. Gjergji lindi më 14 korrik të vitit 1935. Ishte fëmija i parë. Qysh në vegjëli, ai e adhuronte natyrën e bukur të fshatit. Shquhej si fëmijë i urtë e i zgjuar, respektonte të moshuarit dhe vështirë ta shikoje ndonjëherë të nxehur apo të mërzitej me bashkëmoshatarët, tregon kushëriu i tij, Fejzo Ymeri.  Në Lekdush, në fshatin e tij të lindjes, Gjergji kreu shkollën fillore.

Arsimimi 

Në këtë periudhë nënë Xhikua ndërron jetë.  Gjergji, i mbetur jetim, shquhej si një fëmijë i zgjuar që e dashuronte diturinë. U vendos që xhaxhai tij, Asllan Hajnaj, i cili banonte në qytetin e Fierit të kujdesej për shkollimin e mëtejshëm të djaloshit jetim. Asllani ishte mësues matematike dhe drejtor shkolle. Ai kishte mbaruar Normalen e Elbasanit. Edhe e shoqia e tij fisnike, Neimeja, ishte mësuese. Kjo familje kishte edhe pesë fëmijët e saj, tre djem e dy vajza, Gjergji, mes tyre, në vitin 1952 e kreu shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri” në Fier me rezultate të shkëlqyera.

Me përfundimin e kësaj shkolle, i akordohet bursë nga shteti për të vazhduar studimet në ish Teknikumin Bujqësor Kamëz. Në atë kohë, ky teknikum, ndryshe quhej edhe shkolla e Dakës, sepse e kishte ndërtuar familja fisnike korçare “Dako” në fund të viteve 1920. Ishte shkolla e mesme bujqësore më e mirë në Shqipëri. Kishte pedagogë shumë të zotë që kishin përfunduar studimet në perëndim si: Xhevdet Hydi, Jovan Morcka e Gani Berberi, etj. Qëndroi si Teknikum Bujqësor deri në vitin 1971 kur u krijua Instituti Bujqësor i Kamzës, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Aty u përshtat Fakulteti i Pyjeve që është edhe sot. Këtu Gjergji mori një formim profesional të gjerë dhe një edukatë të shëndoshë qytetare, morale e atdhetare.

Me përfundimin e këtij teknikumi në vitin 1956 Gjergji fiton një bursë për të kryer studimet e larta për agronomi në Bullgari. Ja si e kujton agronomi tjetër Prof dr. Llukan Tase atë periudhë:

Me të mirin Gjergj Hajnaj kemi qenë studentë në Sofie, në ish Akademinë Bujqësore ‘Gjergj Dimitrov’. Ai kishte ardhur aty dy vjet më parë. Akademia Bujqësore e Sofies në atë kohë i kishte të gjitha specialitetet. Gjergji studjonte në Fakultetin e Mbrojtjes së Bimëve, së bashku me Andon Papingjin. Gjatë dy viteve të fundit të studimeve të tij ishim së bashku në Akademi. Ai gëzonte respektin tonë. Ishte djalë serioz dhe me mësime ishte shembullor. Aktivizohej shumë në veprimtaritë e studentëve shqiptarë të Sofjes. I mbaroi studimet me rezultate shumë të mira. Gjergj Hajnaj do të kujtohet e respektohet për kontributin e vyer që dha në sektorin e mbrojtjes së bimeve në Shqipëri”. 

Kryeagronom dhe Agronom i Mbrojtjes së Bimëve në Rrethin e Fierit

Në vitin 1960, pas përfundimit të studimeve në Bullgari, strukturat drejtuese të Rrethit Fier dhe Ministria e Bujqësisë e emërojnë Gjergjin si kryeagronom në ish NB “Çlirimi”. Kjo ishte një fermë gjigande në këtë rreth dhe një nga fermat më të mëdha në Shqipëri. Me 5500 hektarë tokë bujqësore, e organizuar në nëntë sektorë, me blektori të zhvilluar, ullishta, vreshta, sera e pemëtore. Një peshë shumë e rëndë ra mbi supet e njoma të riut lekdushas të porsadiplomuar.

Djaloshi që kishte marrë një kulturë të gjerë bujqesore, qysh në fillim, u përlesh me vështirësitë e mangësitë e shumta që kishte bujqësia në ato vite. Me një punë të madhe këmbëngulëse e të mundimshme, për 2-3 vjet, Gjergji ia doli me sukses.  Ai e prezantoi veten në atë ekonomi si një organizator e specialist të zotin, serioz në punë, shumë punëtor si dhe një njeri i mirë.

Për këto cilësi të veçanta e emëruan Agronom të Mbrojtjes së Bimeve të rrethit Fier, në Seksionin e Bujqësisë të KP Rrethit… Kjo ishte dhe fusha për të cilën ai kishte studjuar e mund të shkëlqente… Rrethi i Fierit ishte një nga rrethet më të mëdhenj bujqësorë të Shqipërisë. Kishte një sipërfaqe me tokë të kultivuar mbi 70 mijë ha, nga të cilat rreth 13 mijë ha. me pemëtore, ullishta e vreshta. Problemet e mbrojtjes së bimëve ishin evidente e të shumta.  Sëmundjet dhe dëmtuesit e bimëve, barishtet e këqia, i shkaktonin një dëm të madh prodhimit bujqësor në atë rreth.  Vështiresitë dhe mangësitë, edhe këtu ishin të shumta, por Gjergji la gjurmë të thella në organizimin e punëve për mbrojtjen e bimëve. Doktor i Shkencave Bujqësore, Lutfi Isufi kujton:

“Me Gjergjin jemi njohur para viteve ‘70-të, kur ai punonte në rrethin e Fierit si specialist i mbrojtjes së bimëve. Kisha dëgjuar nga kolegët   të flisnin për punët e mira që bënte për mbarvajtjen e punëve në shërbimin e mbrojtjes së bimëve në këtë rreth të madh bujqësor të vendit. Më pas, në vitin 1972, pata fatin të shkojmë së toku në Rumani, në Institutin e Mbrojtjes së bimëve në Bukuresht, për tre muaj. Gjatë kohës së qëndrimit atje njoha cilësitë e rralla të këtij specialisti. Moton të punës së tij kishte: se nuk mjafton vetëm të dish, por duhet t’i zbatosh ato që di”. 

Ndërsa speciaisti i mirënjohur, Osman Hoxha, për Gjergjin kujton:

Unë e kam filluar punën si agronom në Fier në janar të vitit 1973. Gjergji kishte dy-tre vjet që ishte larguar, por kujtoj se të gjithë punonjësit e specialistët që e kishin njohur nga afër, kudo ku ai kish punuar, ruanin respekt si kryegronom apo specialist në Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve të rrethit”. 

Në vitin 1963 Gjergji u njoh me shoqen e jetës, zonjën Fetije. Krijuan një familje të shëndoshë, rritën dhe edukuan një vajzë e një djalë, Mirelën dhe Artanin.  Sot ata ndodhen me banim në SHBA dhe kanë krijuar familjet e tyre.

Puna e Gjergjit në rrethin e Fierit për mbrojtjen e bimëve dallonte. Nga Ministria e Bujqësisë dhe ministri i asaj kohe, Pirro Dodbiba, si ministri më i suksesshëm i të gjitha kohërave, e vlerësonte shumë punën që kryente Gjergji. Ministrisë i duhej këmbëngulja, aftësitë profesionale dhe një njeri punëtor e i palodhur siç e kishte treguar veten Gjergji. Në shtator të vitit 1970, mbas një pune 10-vjeçare në rrethin e Fierit, transferohet në këtë ministri si specialist në Drejtorinë e Mbrojtjes së Bimeve. Në vitin 1971 merr edhe familjen në Tiranë.

Në Ministrinë e Bujqësisë

Në Ministrinë e Bujqësisë punët bëheshin edhe më të vështira për atë kohë, sepse përveç mungesave të imputeve bujqësore, pesticideve, mekanikës, etj, mungesa të theksuara kishte edhe për specialistë të mbrojtjes së bimëve. Shërbimi i Mbrojtjes së Bimëve është një shërbim i ri, edhe në vendet më të zhvilluara, u organizua gjatë shekullit të kaluar. Punë të shumta e të mëdha e prisnin Gjergjin, duhej që të ecte me hapin e kohës, të instalonte në Shqipëri një shërbim të kohës, sipas praktikave më të mira botërore.

Shokët e tij kujtojnë se ministri Pirro Dodbiba e aktivizonte Gjergjin në çdo takim të tij, për t’u dhënë zgjidhje pyetjeve dhe problemeve të vështira që haseshin në gjithë vendin. Autoritar, por me thjeshtësinë dhe modestinë që e karakterizonte, Gjergji i përmbushte më së miri detyrat. Për pak kohë qëndrimi në ministri, ai u emërua Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Bimëve, detyrë që e mbajti për rreth 18 vjet.

Ai krijoi lidhje të ngushta me kolegët e tij, sidomos me ata që kishin mbaruar sudimet dhe ishin të specializuar jashtë shtetit. Në vitin1964 në ILB Kamëz, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës, ishte krijuar Katedra e Mbrojtjes së Bimëve nga Prof. Burhan Çelo. Kjo katedër ishte pionierja e parë e mbrojtjes së bimëve në Shqipëri. Aty bënin pjesë figuara të shquara shkencore si: fitopatologu Teki Kaltani, fitopatologia Luigjina Kodheli, entomologu Athanas Stani, etj.

Në vitin 1971 u krijua Stacioni i Mbrojtjes së Bimëve në Durrës, me themelues Prof. dr. Andon Papingji, shok fakulteti me Gjergjin. Në vitin 1972 në ILB Kamëz, ish Katedra e Mbrojtjes së Bimëve shndërrohet në Degën e Mbrojtjes së Bimëve. Filluan të dalin studentët e parë të specializuar për Mbrojtien e Bimëve.  Sot është Departament i Mbrojtjes së Bimëve që vazhdon të nxjerrë me sukses studentë cilësorë me diploma të njësuara.

Gjergji me kolegët e tij, i nxiti, përkrahu dhe i ndihmoi financiarisht me fonde të ministrisë këto institucione shkencore. Punonjësit shkencorë i konsideronte bashkëpuntorë të ngushtë të tij. Vazhdimisht merrte pjesë në veprimtaritë shkencore e analizat vjetore të tyre. I dëgjonte me vëmendje arritjet dhe kërkesat që mund të kishin. Ish studjuesi dhe punonjësi shkencor i Stacionit të Mbrojtjes së Bimëve, (në vitin 1993 Instituti i Mbrojtjes së Bimëve), Prof. Ass. Josef Tedeskini, i cili ka qenë edhe drejtor i këtij institucioni, kur e pyet për Gjergjin ai të thotë:

“Gjergji ka dhënë një kontribut të çmuar dhe me vlerë në drejtim të organizimit dhe funksionimit të Insitutit të Mbrojtes së Bimëve në Durrës. Me përvojën e tij shumëvjeçare ai vazhdimisht bëri përpjekje që ky institucion të kryente aktivitetin e tij kërkimor dhe shkencor në fushat më të përparuara dhe në nivelet më të larta që kishte arritur kontrolli i mbrojtes së bimëve në vendet më të zhvilluara. Për t’u theksuar është edhe mbështetja pa kursim që i dha këtij insitucioni në drejtim të kërkimeve lidhur me prodhimin në masë dhe aplikimin e agjentëve biologjikë në kontrollin e parazitëve duke ndihmuar ndjeshëm në mbarevajtjen e Laboratorit të Luftës Biologjike të cilin e drejtonte me kompetencë të plotë Drejtori i Institutit Prof. Dr. Andon Papingji, koleg dhe mik i ngushtë i Gjergjit”.

Në rrethe fillimisht Gjergji u kujdes për plotësimin e kuadrit specialist duke u ndeshur fort me prapambetjen dhe akraballëqet krahinore. Me daljen e studentëve të parë nga ILB Kamëz, dalngadalë po plotësoheshin edhe nevojat në ekonomitë bujqësore.  Pë të rritur efektivitetin e spërkatjeve, si dhe për të kursyer pesticidet, së bashku me Stacionin e Mbrojtjes së Bimeve në Durrës, u kujdesën për ngritjen e qendrave të prognoz-sinjalizimit. Gjithashtu ai u bë inisiator për t’u ngritur një rrjet i gjerë vrojtim-sinjalizimi fushor në gjithë vendin.

Në grurë kundër sëmundjeve dhe në misër kundër krimbit të misrit në kujdesin e Gjergjit, në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, qysh prej vitit 1984 kryheshin dhjetra mijëra ha. spërkatje e trajtime kimike në vit me avion në të gjithë vendin.

Pesticidet që përdoreshin në bujqësi siguroheshin nga importi, bliheshin me valutë, që siç e dimë të gjithë ne që e kemi përjetuar atë periudhë, fondet e ministrisë ishin shumë të limituara. Nuk mund që të plotësoheshin të gjitha kërkesat që kishte bujqësia. Gjergji si një nikoqir i mirë për të siguruar një efektivitet të lartë, kontraktonte me firmat më të mira e serioze perëndimore si: firmat gjermane Bayer, BASF, Hoechst AG, SCHERING, japonezja Sumitomo Dainippon, francezët Roussell – Uclaf, Du pont etj.  Ai bënte kujdes që sasitë që mund të bliheshin, të mos shpërdoroheshin e të mos ndihej mungesa e pesticideve në prodhimin e gjerë.

Gjergj Hajnaj ishte një ndër specialistët më të spikatur në fushën e mbrojties së bimeve. Ai implementoi metodat më bashkëkohore të asaj periudhe si: luftën e drejtuar dhe kontrollin e integruar ndaj parazitëve të ndyshëm të bimëve.  Konceptet e reja që ai programoi e zbatoi, këmbëngulte vazhdimisht që ato të përhapeshin sa më shumë, deri tek bujku më i thjeshtë.

Falë shkollimit të tij solid dhe kulturës së gjerë, ai arriti të organizojë, së bashku me kolegët e tij, një shërbim të mbrojtes së bimëve i cili funksionoi në mënyrën më efikase. Organizimi i shërbimit të mbrojtjes së bimëve në Shqipëri në vitet 1970-1980, kur Gjergji drejtonte Drejtorinë e Mbrojtjes së Bimëve në Ministrinë e Bujqesisë, ishte bashkëkohor, i krahasuar edhe me vendet e zhvilluara e më të përparuara. Ky ishte edhe konstatim edhe i specialistëve të huaj që vizitonin Shqipërinë.

Personalish Gjergjin e kam njohur për herë të parë në vitin 1976 kur dhashë provimin e lirimit. Ai ishte Kryetar i Komisionit Shtetëror. Gjatë provimit më tha: “Hajde se do të bëhesh një agronom i mirë për Rrethin e Gjirokastrës”. Në atë çast nuk e vlerësova, por në vitin 1985, pas një specializimi pasuniversitar njëvjeçar, unë u bëra agronom i mbrojtjes së bimëve të rrethit Gjirokastër.

Gjergji ka qenë edhe pedagog i jashtëm në UBT, hartues i shumë broshurave e librave bujqësorë e drejtues i temave shkencore me studentët. Në shtëpinë e tij kishte një bibliotekë shumë të pasur me libra bujqësorë. Pas vdekjes së tij iu dhurua bibliotekës së ILB Kamëz.

Gjergji ka patur një karakter të jashtëzakonshëm.  Ai i qëndronte afër cilitdo agronomi që kishte një problem të vështirë për ta zgjdhur. Problemet e mbrojtjes së bimëve i quante të përbashkëta.  Raste të shumta të kësaj natyre përmendin kolegët nëpër rrethe. Kujtoj një rast në rrethin e Gjirokastrës, para se të emërohesha unë. Ishte kryer një gabim me plehërimin e serave. Plehu i përdorur ishte edhe nga mbetjet e fabrikës së ish lëkurë- këpucëve. Përmbante taninë që përdorej për regjien e lëkurëve e cila ishte si herbicid për bimët. Hoqën rreth 20-30 cm shtresën e tokës së punuar për shëndetësimin e serës. Gjergji ishte në krye të kësaj pune.

Kolegët tanë në ekonomitë bujqësore, duke iu munguar edhe eksperienca, edhe gabonin. Kush punon edhe gabon. Thuhet se “gabimet e doktorit i mbulon toka, ndërsa gabimet e agronomit toka i nxjerr në shesh”. Kjo është mëse e vërtetë.  Gjergji brengosej për agronomët që ndodheshin para situatave të vështira, që kishin gabuar me pesticidet. Ai përpiqej t’i shpëtonte nga ktherat e njerëzve shpirtzinj, nga kthetrat e fjalës “sabotim” e “armik”. Ai e dinte që ishin gabime të bëra pa dashje.

Neyton Kodra, koleg dhe bashkëpuntor i tij kujton:

“Ishte viti 1986 dhe shërbimi i parë në rrethe me Gjergjin. Ishim në Lushnjë, mbasi inspektuam gjithë ditën disa ekonomi të këtij rrethi pasdite vonë Gjergji tha: më duhet të shkoj dhe në KTL Këmishtaj për një vizitë tek agronomi i mbrojtjes së bimeve të kësaj ekonomie Nikolla Ndoni, sepse ka bërë aksident me motor dhe ka thyer këmbën. Mua më bëri shumë përshtypje, një shtetar i lartë, Drejtor Ministrie, interesohej edhe për problemet personale që kishin kolegët në ekonomitë bujqësore.  Po, ky ishte Gjergji dhe këto gjeste humanitare dinte t’i bënte vetëm ai. Me Nikollën qysh atëherë krijova një shoqëri të ngushtë që e kam edhe sot”. 

Gjergji ishte edhe nje patriot i mirë. Prof. ass. Enver Isufi kujton:

“Në vitin 1988 së bashku me Gjegjin morëm pjesё nё një Konferencë Ndёrkombёtare për invazionet dhe dëmtimet nga karkalecët. Konferenca zhvillohej nё qytetin Fes, tё Marokut. Para fillimit tё konferencёs, Gjergji vuri re se nё rreshtin ku ishin vendosur flamujt e shteteve pjesmarёs nё konferencё, mungonte flamuri shqiptar. Gjergji tha: nёse nuk vendosin flamurin tonë, ne nuk do të marrim pjesë nё konferencё. Kёrkoi kontakt me organizatorёt dhe parashtroi shqetёsimin e tij duke e quajtur një incident diplomatik. Pas protestës dhe vërejtjes së tij, organizatorët menjëhërë morёm masa dhe e ekspozuan flamurin tonë krahas të tjerëve”.

Kontaktuam dhe me bashkëpuntoren e vjetër shkencore, Meropi Prifti, si një mikeshë e Gjergjit për shumë vite.  Ajo na tha:

“Me Gjergjin jam njohur për herë të parë që në vitet 1960, kur punoja në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës si specialiste e mbrojtjes së bimëve. Ai ishte agronom i Mbrojtjes së Bimëve në Rrethin e Fierit dhe vinte me shërbim nganjëherë edhe tek ne. Konsultoheshim së toku për problemet e mbrojtjes së bimëve që na shqetësonin. Qysh atëherë e deri sa ndërroi jetë e kemi ruajtur miqësinë tonë. Ai ishte i ditur në fushën e tij. Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve ai e krijoi dhe e drejtoi. Ishte intelektual bashkëkohor, njeri i mire, i cili gëzonte respekt të vecantë nga të gjithë njerëzit, kolegët e bashkepunëtorët e tij”. 

Shokët dhe miqtë e tjerë të Gjergjit me të cilit bisedonte e diskutonte gjatë ishin edhe prof. Mentor Përmeti, prof. dr. Andon Papingji, prof. dr. Hysen Laçej, bashkëpuntori vjetër shkencor, Andon Ikonomi, Argjir Prifti, prof. dr Hysen Çobani, etj.

Në vitin 1990 sëmundja u bë shkak për transferimin e tij në Institutin e Perime-Patates ku punonte me orar të reduktuar. Neyton Kodra kujton:

“Ishte koha kur Gjergjin e kishin transferuar në Institutin e Perime-Patates. Rregulluam me Eximagro një shërbim në Gjermani ku nën kujdesin e kompanisë gjermane ‘Bayer’ iu nënshtrua disa kontrolleve e analizave. Nga rezultatet e të cilave u entuziazmua shumë. Për pak kohë u përmirësua dukshëm. U kënaq gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani duke pirë birrë pa alkool që në vëndin tonë në atë periudhë nuk gjendej. Kishte kohë që nuk përdorte alkoolin. Por sëmundja ishte e pamëshirshme”.

Vajza e tij, Mirela kujton:

“Në 21 Mars 1994 krenaria familjes dhe e fisit tonë mbylli sytë përgjithmonë në spitalin QSUT “Nënë Tereza”, duke bërë shaka dhe iku pa kthim me buzën në gaz, ashtu siç kishte qenë gjithë jetën e tij”.

Gjergji la gjurmë të thella kudo që shkoi e punoi.  Një jetë në shërbim të Atdheut të vet, që e deshi pa asnjë kusht.  Prej vetes së tij dha atë më të mirën që mund të bënte. Së bashku me shokët dhe bashkëpunëtorët e tij krijoi një shërbim bashkëkohor të mbrojtjes së bimëve, i krahasuar me vendet më të përparuara të Europës, ai sakrifikoi dhe u përpoq që mbrojtja e bimëve të funksiononte njësoj në çdo cep të Shqipërisë. Njerëz të tillë, specialistë kaq krijues, të përgatitur e të mbrujtur mirë me njohuri profesionale, rrallë ndeshen. Ata meritojnë të nderohen e të kujtohen nga brezat e ardhshëm për punën e tyre të mirë, pasionin, vullnetin, dashurinë për profesionin dhe për gjurmët e tyre të arta që lanë pas, shpesh duke jetuar e punuar në një mjedis toksik ku kërkoheshin armiq edhe në fije të kashtës. Falë ketyre virtyteve që pak njerëz i disponojnë ai ngeli një njeri i respektuar dhe i nderuar nga të gjithë kolegët, të vjetër dhe të ri.

Gjergj Hajnaj ishte një mik, një shok, modest për njohuritë shkencore që kishte. Edhe pse u ngjit në rangjet më të larta të Ministrisë së Bujqësisë, mbeti një kuadër modest, i dashur e largpamës. Emri i tij në çdo kohë e regjim qëndron si mali i Këndrevicës, përballë vendlindjes së tij, Legdushit të Labërisë, fshatit që ka nxjerrë shumë patriotë dhe njerëz të ditur, një nga më të shquarit, shkencëtari dhe njeriu i mirë, Gjergj Hajnaj.

 

Please follow and like us: