Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: NIRVANA E SHTËRGUT

Shtërg mëngjesi
në skelet kockash ke nderur krahët e mëdhenj
flatra me grimca agu të lëngësht
të mpiksur
si avullim drite mbi lumenj.
Fli e qielltë,
mbi degë të holla kockash
me diell, erë dhe vesë veshur-
te koha e pastër,
te çerdhja e burimeve kthehu prapë,
aty ku gojët
çurgojnë cakun ditë as natë.
Fli i fluturimit
çelik krahët mprehur
në cipëzën sipër lumit,
kalitur gjer në diell,
kthehu në ciklin e madh.
Rrethin e mbyllur
fluturimthi çaje,
dili tejpërtej.
Çaje truallin e qielltë,
Qoftë në ebanit a në mermer,
Shkrihu në dritë të fluturimit pa cak
në të tjerë dhera, në të tjerë dete a qiej.
Please follow and like us: