Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Çelu…

 
Është pranverë, edhe shpirtrat kanë nevojë të çelen.
Dielli ngroh me përkëdheli dhe rrugët janë mbushur me njerëz që i kanë hequr palltot e rënda, por teksa vrapojnë ashtu të zhytur në rutinën e ditës, duke nxituar pas punëve ata harrojnë peshën e rëndë që mbajnë ende mbi shpindë, ne një çantë të padukshme kanë dimrin e shpirtit… Aty erret herët, drita është e shkurtër dhe jeta nxiton të plaket.
Nuk ka trëndafila atje, as aroma të mira… njerëzit flejnë mbi ëndrrat e tyre… prandaj ti: Çelu!
Vish rrobat më të bukura të garderobës tënde, hidh parfumin më të mirë sot, mos prit për “ditët e veçanta”, mos prit për festa për të qënë i lumtur, për të gëzuar, për të bërë dolli, mos prit për të festuar jeten tënde.
Çelu se është pranverë, edhe lulet kanë çelur. Ji entuziast për bukurinë e tyre, për kaltërsine e qiellit, për freskinë e vesës, për zhurmën e dallgëve të detit, për flladin e erës,  mes një mijë problemeve ti dëgjo këngën tënde të preferuar dhe relaksohu..
Çelu… sepse jeton dhe ky është një privilegj i madh, përsa kohë je gjallë, je i shëndetshëm, mund të ndryshosh të gjithë rrjedhen e jetës tënde. Gjithçka nis nga një vendim, nga vendimi dhe mendimi për të çelur.
Të jetosh jeten thellësisht dhe ta ndjesh gëzimin fëminor i cili fshihet më së shumti në gjërat më të vogla. T’i gëzohesh shkëlqimit tënd pa i hedhur sytë luleve të tjera.
Lyeji buzët me të kuqe, zgjidh modelin tënd te preferuar të xhinseve, dekoro shtëpinë, merri aromë luleve, vizito gjyshërit, shko në kinema, preje biletën dhe merr avionin, telefonoji asaj, dërgoje atë mesazh të cilin mbrëmjeve e fshin kushedi sa herë, jepi fund asaj marrëdhënie toksike, fillo palestren, mbaj një regjim të shëndetshëm ushqimor, ndrysho modelin e flokëve, apliko për atë vendin e punës, mund të rinisësh gjithmonë nga e para, në biznes, punë, banka të shkollës… mos ki frikë të ëndërrosh, mos ki frikë të guxosh, mos ki frikë të shkruash librin e jetës tënde.
Mos ki frikë të çelësh, mos ki frikë të jetosh. Suksesi në fund të ditës është një vendim.
Ne “çelim” pas çdo stuhie, pas çdo nate të gjatë me shi.
Si “drandofilat” jemi edhe ne, për sa kohë të ketë shpresë, sa të jetë pranverë.
Kjo ndjesi e çeljes është një përkëdhelje fine e nostalgjise së dimrave të zemrës, ndërthurur aq ëmbël me entuziazmin dhe ritmin e pranverës së shumëpritur.
Si një buzëqeshje e trëndafiltë pas një mijë lotësh zhgënjimi, refuzojmë të heshtim por çelim.
Na duhet shumë pak në të vërtetë, për të harruar dimrin e shpirtit, kur zemra jonë njeh vetëm një stinë.
Jemi qënie me shpirt delikat dhe njëkohësisht të fortë si shkëmbi.
Por me pak muzikë të mirë, me ngjyra, me kaltërsi qielli, me harresë dhe me filiza të rinj shprese ne “çelim”.
Please follow and like us: