Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Kështu i duam shqiptarët, të bashkuar me amerikanët në Washington, në Prishtinë, por edhe në Tiranë

Një përfaqësi dinjitoze e Republikës së Kosovës dhe e Kombit Shqiptar në Washington

Të enjtën që kaloi, dy udhëheqësit kryesorë të Republikës së Kosovës, Presidentja, Zonja Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Zoti Albin Kurti morën pjesë në varrimin e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë muajin e kaluar – Frank Shkreli: Ndërroi jetë Madeleine Albright – Gruaja që u shpëtoi tiranive fashisto-komuniste | Gazeta Telegraf  – Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Zonjën Vjosa Osmani dhe me ish presidenten Atifete Jahjaga, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, të ndjerës Madeleine Albright, në Katedralen Kombëtare në Washington. Në kuadër të ceremonisë së varrimit, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u përshëndetën dhe folën me këtë rast me një numër personalitetesh politike amerikane, përfshirë ndër të tjerë, Sekretarin aktual të Shtetit, Z. Antony Blinken, ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Z. Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit, Znj. Hillary Clinton. Krye-udhëheqësit e Republikës së Kosovës u përshëndetën me këtë rast edhe me ish-Zëvëndës-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Z. Albert Gore, si dhe me ish-Sekretarët e Shtetit, republikanen, Zonjën Condoleezza Rice në administratën e ish-Presidentit Xhorxh Bush dhe Z. John Kerry, si dhe mikun e madh të shqiptarëve ish-kongresistin Eliot Engel.

Bashkë me Shtetet e Bashkuara, në ditë hidhërimi dhe gëzimi

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë postuar në portalet e tyre foto nga takimet që kanë zhvilluar gjatë vizitës në Washington ku morën pjesë në varrimin e ish-Sekretares së Shtetit Albright, si dhe nga shënime foto nga takimet që kanë zhvilluar në Kongresin amerikan, me udhëheqësit më të lartë të djepit të demokracisë amerikane dhe përfaqësuesve të popullit amerikan.

Udhëheqësit e Republikës së Kosovës me Ish-Presidentin e Amerikës, Z. Bill Klinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit, Znj. Hillary Klinton – një takim dhe foto me ata që Zonja Osmani i cilësoi si “Shpëtimtarët tanë”-.

Ndërsa, Kryeministri Albin Kurti shprehet në portalin e tij rreth pjesëmarrjes së tij në varrimin e ish-kryediplomates amerikane, të ndjerës Madeleine Albright, “Se bashkë me Presidenten Vjosa Osmani mora pjesë në varrimin e Madeleine Albright në Katedralën Kombëtare në Washington DC. Ne i thamë lamtumirën e fundit një personi që ka bërë aq shumë për popullin tonë, për lirinë dhe paqen tonë”,- ka shkruar Kryeministri Kurti. A mund të përfytyroni, së bashku, dy personalitete të larta të politikës së Tiranës zyrtare në cilindo takim e rast si ky në Washington – që së bashku të flasin – me një gjuhë e me një zë – në interes të Shqipërisë, ashtu siç bënë Osmani/Kurti në interes të Kosovës me të gjithë aktorët me të cilët u takuan këto ditë në Washington? Ka raste pra që, nga koha në kohë, të krenohemi me udhëheqësit shqiptarë, siç ishte rasti i vizitës së udhëheqësve më të lartë të Kosovës në Washington këto ditë.

Në një shkrim të mëhershëm kisha shkruar duke bërë pyetjen nëse Osmani/Kurti ishte modeli i ri i qeverisjes ndër shqiptarë? Frank Shkreli: Zgjedhjet në Kosovë: A është ky ndryshimi i madh në politikën shqiptare? | Gazeta Telegraf . Unë shpresoj dhe lutem që këta të jenë shembëll i ndryshimit në politikën shqiptare, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri. Të pakën deri tani kemi shpresa se, ndryshe nga politikat konfliktuale, që kulmojnë në marrëdhënie armiqësore midis palëve, këta të jenë fillimi i ndryshimit në të bërit politikë midis shqiptarëve.

Në bisedë me Sekretarin aktual të Shtetit, Z. Antony Blinken

Për hir të transparencës, më duhet të rrëfej se nuk jam krejtësisht i paanshëm në vlerësimin tim, pasi kam pak anim dhe simpati ndaj këtyre dy udhëheqësve të rinj në Kosovë! Mund të thuhet se ndiej kështu, për njërin për arsye ideologjike dhe për tjetrin për arsye krahinore. E simpatizoj Presidenten Osmani, sepse më duket -nëqoftëse mund ta quaj kështu – politikania më e kushtuar ndaj ideve të ish-Presidentit Ibrahim Rugova, (rugoviste do ta cilësonin disa ndoshta), për të cilin vazhdoj të kem simpati dhe admirim si njëri prej udhëheqësve shqiptarë më patriotë dhe më pro-perëndimorë të shekullit të kaluar. Dhe, i cili, mbi të gjitha, në vend të interesave personale ose partiake, mbronte interesat e kombit shqiptar, lirinë dhe demokracinë për popullin e vet si dhe miqësinë e përhershme të shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara. Kryeministrin Kurti e admiroj për qëndresën e tij historike kundër pushtuesve serbë dhe për vendosmërinë e tij, që tregon në mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe të Kombit shqiptar: por natyrisht, mund të jem edhe pak krahinor pasi të dy jemi bashkëvendas dhe rrjedhim nga familje, që kanë jetuar në dy fshatra afër njëri tjetrit, në rrethin e Ulqinit.

Pjesëmarrja e Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, për mua ishte një prezencë dinjitoze kombëtare në radhët e 1400 pjesëmarrësve, personaliteteve amerikane dhe botërore për të falënderuar duke i dhënë lamtumirën e fundit njërës prej personaliteteve të Shteteve të Bashkuara, Madeleine Albright, e cila bëri aq shumë për çlirimin e Kosovës nga rregjimi terrorist i Millosheviqit. Nga një anë, unë u ndjeva krenarë për dy udhëheqësit e rinj të Kosovës, që aq me dinjitet morën pjesë në atë varrim dhe që me aq respekt u pritën, biseduan dhe u përshëndetën me personalitetet më të larta të Shteteve të Bashkuara – aktuale dhe të administratave amerikane të mëparshme, sikur të ishin shokë e miq të vjetër.

Udhëheqësit e lartë të Republikës së Kosovës duke u përshëndetur me ish-Sekretaren e Shtetit, Zonjën Condoleeza Rice në administratën e ish-Presidentit republikan, Z. Xhorxh Bush – i cili nga Tirana njoftoi vendimin e administratës së tij për të njohur Pavarësinë e Kosovës, duke u shprehur me fjalët, “Mjaft, është Mjaft”! që më në fund të njihej Pavarësia e Kosovës! Ashtu edhe ndodhi.
Udhëheqësit e lartë të Republikës së Kosovës duke u përshëndetur me ish-Sekretaren e Shtetit, Zonjën Condoleeza Rice në administratën e ish-Presidentit republikan, Z. Xhorxh Bush – i cili nga Tirana njoftoi vendimin e administratës së tij për të njohur Pavarësinë e Kosovës, duke u shprehur me fjalët, “Mjaft, është Mjaft”! që më në fund të njihej Pavarësia e Kosovës! Ashtu edhe ndodhi.

Ndërkaq, në Tiranë gjëndej për vizitë një delegacion i lartë i Departamentit  Amerikan të Shtetit, në një atmosferë të padëshirueshme dhe të paparishkueshme politike në atë vend – të një çorbe politike ballkanike konfliktuale-, të krijuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët me dashje ose pa dashje, e kanë bërë politikën dhe drejtësinë në atë vend një xhungël të përmasave të papara në Evropën e shekullit 21: një lëmsh që nuk i dihet filli, me thurje e ndërthurje, një lëmsh intrigash, që as dreqi nuk e di se si dhe pse është ardhur deri në këtë pikë kulmore të rrezikshme dhe ku do ta çojë Shqipërinë në të ardhmen. Nga këndvështrimi im i parë, ndoshta i gabuar, kemi të bëjmë me një paradoks midis politikave të Prishtinës dhe Tiranës dhe të perëndimorëve karshi atyre politikave sikur kemi të bëjmë me dy popuj krejtësisht të ndryshëm dhe me dy ambasada që nuk përfaqësojnë një shtet të vetëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si është e mundur që Kryeministri Rama pretendon se Shtetet e Bashkuara mbështesin “Ballkanin e Hapur”, ndërsa Republika e Kosovës – pozitë dhe opozitë – e kundërshtojnë me ngulm, ndërkohë që nuk ka asnjë reagim zyrtar amerikan, pro ose kundër deklaratës së Z. Rama? Heshtja në lidhje me këtë çështje të rëndësishme nuk është një përgjigje. Nisma Vuçiq-Rama është një iniciativë që është përkrahur ç’prej fillimit nga Rusia putiniste agresore në Ukrainë e që po sjell botën në prak të një lufte të tretë botërore. Ndërsa ndërkohë, Presidentja e Republikës së Kosovës zhvilloi këto ditë takime dhe bisedime në Washington mbi, “Rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, sigurinë në kontinentin tonë (evropian), ndikimin malinj të Rusisë dhe nevojën që SHBA të jetë sa më shumë prezente në rajonin tonë”,- ka shkruar Presidentja Osmani në portalin e saj. Vjosa Osmani | Facebook (Foto të tjera nga vizita). Për fat të keq, Tirana zyrtare flet më shumë për “Ballkanin e Hapur” – Frank Shkreli: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf sesa për përpjekjet që duhej t’i kushtonte anëtarësimit të Kosovës në organizatat legjitime ndërkombëtare dhe shtimit të njohjeve diplomatike të Republikës së Kosovës.

Në bisedë me ish-Sekretarin e Shtetit, Z. Xhon Kerri, aktualisht ambasador special i Presidentit për klimën.

Vizita në Washington, pjesëmarrja dhe përfaqësimi dinjitoz i Kosovës nga Presidentja dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës në varrimin e mikes së madhe të Kombit shqiptar, Madeleine Albright, si dhe takimet që ata zhvilluan me përfaqësuesit më të lartë të Amerikës – demokratë e republikanë – është shembulli më i mirë, se si duhet të jenë lidhjet midis dy shteteve shqiptare me njëra tjetrën, por edhe me Amerikën dhe midis dy popujve tanë miq – popullit shqiptar dhe atij amerikan. Kështu pra i duam shqiptarët, të bashkuar, së pari me njëri tjetrin, e pastaj të bashkuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Washington dhe në Prishtinë, por edhe në Tiranë: sidomos në këtë vit të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Please follow and like us: