Albspirit

Media/News/Publishing

7 korrik 2021/Kur Parlamenti i Kosovës miratonte rezolutën që njeh gjenocidin e Srebrenicës

Deputetët e Kosovës miratuan një rezolutë duke njohur zyrtarisht si gjenocid masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, vetëm disa ditë para 26-vjetorit të masakrimit të boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës. Draft rezoluta u paraqit në parlament nga një deputet që përfaqëson komunitetin boshnjak të vendit, Bahrim Sabani, i cili tha se krimet e kryera nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë “përbëjnë gjenocid, siç përshkruhet nga Konventa e Kombeve të ashkuara për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve të Gjenocidit”.

 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e mirëpriti rezolutën, duke e quajtur miratimin e saj një “akt fisnik dhe të duhur”. “Ky është veprim fisnik e i duhur jo vetëm në emër të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, por mbi të gjitha në emër të universales sonë njerëzore, dëshirës sonë për paqe dhe drejtësi”, tha Kurti.

Rezoluta me gjashtë pika dënon “çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës me qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera”.

Parlamenti i Kosovës “u bën thirrje të gjitha shteteve të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë”, thuhet në rezolutë.

Në korrik 1995, më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë nga Srebrenica u vranë në një seri masakrash nga forcat serbe të Bosnjës dhe mbi 40,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan – një krim që u klasifikua si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Miratimi i rezolutës nga parlamenti i Kosovës vjen tre javë pasi parlamenti i Malit të Zi miratoi rezolutën e tij mbi gjenocidin.

Duke folur në Beograd pas miratimit të rezolutës në Kosovë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha: “Ju thashë që pas rezolutës së Malit të Zi do të ketë një sërë rezolutash të njëjta kundër Serbisë” në parlamentet e vendeve fqinje.

“Kështu që ata bëjnë të gjithë deklarata dhe shprehje të qarta se serbët kryen gjenocid, për të treguar angazhimin e tyre të dukshëm për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por në fakt për t’i dhënë një goditje Serbisë”, tha Vuçiç për mediat gjatë një vizite në një spital në kryeqytetin e Serbisë. “Rezoluta të tilla do të vazhdojnë”, shtoi ai.

“Besoj se mund ta shmangim këtë në disa parlamente rajonale, falë marrëdhënieve miqësore, por në disa nuk do të mund ta shmangim dot. Ata do të vazhdojnë me abuzimin e tyre politik të serbëve”, tha Vuçiç. “Për fat të keq, do të shkruhet në histori se Podgorica ia kaloi Prishtinës në këtë çështje”, shtoi ai, duke iu referuar kryeqytetit malazez.

Please follow and like us: