Albspirit

Media/News/Publishing

Ahmet Sulstarova dhe pak nga historia e trishtë e Të Djathtës shqiptare

Vangjush Saro


Nëse aspirojmë për ndryshime e përparim, kjo vjen si një dëshirë për ta parë në dinamikë prosperitetin e një vendi. Në këtë vështrim, edhe politika, krahët e saj, sidomos E Djathta gjithnjë e pasigurt, meritojnë vëmendjen përkatëse. Dhe kur, me gjithë përpjekjet, ajo mbetet njëlloj utopie, atëherë bëhet edhe më korente përmendja dhe lançimi i figurave të spikatura të këtij krahu. Ahmet Sulstarova është një nga këto figura që i mungojnë shoqërisë shqiptare.
I ardhur nga një familje e shpronësuar dhe e përndjekur nga rendi i shkuar, me një baba intelektual, pushkatuar bash në vigjilje të Vitit të Ri, ai u shkollua me shumë vështirësi (me korespondencë) dhe punoi me ndershmëri si inxhinier në disa kantiere, së shumti larg shtëpisë. Vëllai i tij, Gëzim Sulstarova, me prirje të theksuara në art, mundi të luajë vetëm pak role episodike në disa filma e pjesë teatrale, madje shkroi edhe të tilla, por rrethanat vetjake e të “biografisë” s’ia mundësonin të shkonte më tej. (Ndër njerëzit e tyre më të afërt, ishte shkrimtari dhe diplomati Luan Starova, ndarë nga jeta këto kohë, intelektual i spikatur, një nga prozatorët shqiptarë më të përkthyer në gjuhët e tjera.)
Ahmet Sulstarova u përfshi në Lëvizjen e Dhjetorit; ai vetë dhe fëmijët e tij. Por ashtu si shumica e njerëzve që vinin nga ajo klasë, u zhgënjye shpejt. Megjithatë, zaret ishin hedhur, Shqipëria, mirë a keq, po hynte në rrugën e Demokracisë, po bëheshin disa reforma, po realizohej lidhja me Perëndimin. Siç mund të ishte e kuptueshme, Ahmet Sustarova s’e gjeti veten në politikë (ku hynë gjithfarë të dyshimtë) por ai u përfshi natyrshëm në Lëvizjen për Kthimin dhe Kompensimin e ish-pronarëve. (Vetë termi cilësohej një gabim.) Duke qenë në rreth miqësie, por edhe të një mendjeje për shumë zhvillime në Shqipëri, rrija shpesh me Metin, siç i thoshim shkurtazi, duke diskutuar orë të tëra për ngërçet që po e ndalonin shoqërinë shqiptare të ecte me ritmet e duhura drejt demokratizimit.
Nga fillimi i viteve ‘90 e deri sa dha frymën e fundit, ai kontribuoi në shoqërinë shqiptare për paqe e mbrothësi, në veçanti si nën/Kryetar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Mund të thuhet se ishte nga të paktat formacione Të Djathta që nuk u gënjyen nga propagandën neokomuniste për “dekomunistizimin” e vendit dhe nuk u përça e nuk krijoi asnjëherë fraksione të panevojshme. Vetë Ahmet Sulstarova, një nga emrat e spikatur të kësa shoqate, ishte në kontakte të vazhdueshme me ligjevënësit dhe Kuvendin e Shqipërisë, në luftë të përditshme për të qasur rendin e ri më së pari në konceptin e pronës dhe të së drejtës, i pranishëm në TV dhe gazeta, me biseda, intervista, gjithnjë i palodhur, gjithnjë me sensin e drejtësisë dhe të vërtetës.
Edhe pse në vitet e fundit familja e tij e lidhi jetën me Amerikën – jetonin në Florida – Ahmeti, të shumtën e kohës ishte në Tiranë dhe në rrethe, duke kërkuar të drejtat legjitime të ish-pronarëve që fundja një jetë të tërë ishin përndjekur. Një luftë e pabarabartë, për shkak se shteti (ta quajmë) demokratik ishte pothuaj në dorën e ish-komunistëve, që ndërronin poste e mandate duke mos njohur asnjëherë siç duhet pronarët dhe Të Djathtët e këtij vendi. Kjo është një histori e trishtë, vjen nga kohë të hershme si e tillë; por në vitet ‘90 e këtej u ripërsërit edhe më dhimbshëm. Njohja e pronave u bë me fragmente dhe pjesërisht. Mendësia e rendit të shkuar është ende një barrierë për politikën shqiptare. E Djathta mbetet një kuotë e mundimshme, larg parimeve-bazë dhe pranisë e protagonizmit të shtresave në fjalë.
Një vend që preston të përfshihet në familjen dhe komunitetin perëndimor, para së gjithash mbledh mendjen të respektojë pronën private dhe konceptet kryesore të Demokracisë. Kjo praktikë nuk ishte asnjëherë në rendin e ditës dhe mbetet një mungesë serioze për Shqipërinë. Në këtë kuptim, jeta dhe kontributi i njerëzve si Ahmet Sulstarova, është ende një apel për drejtësi dhe prosperitet, kundër çdo praktike social-komuniste e kundër abuzimeve dhe demagogjisë në emër të demokracisë që sërish nuk gjendet në kuotat dhe termat e duhura.

…………………………………………………………..

*Në foto: Me Metin, vite më parë në Tiranë. Shkrimi është publikuar gjithashtu në revistën “Fjala e lirë” dhe gazetën “Destinacioni”. Nderim për këto medie dhe kolegët që i drejtojnë ato.

Please follow and like us: