Albspirit

Media/News/Publishing

Nju Jorku përkujton Artistin e Popullit, Pirro Mani

Me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të Artistit të Popullit, Pirro Mani

Marjana Bulku, Nju Jork

Në mjediset e Producers Club Theater , Manhattan  me menaxher vëllezërit Tollja( Ernest & Fredi Tollja) skenografi Andis Gjoni organizoi një mbrēmje përkujtimore në nderim të regjizorit të mirënjohur shqiptar Pirro Mani i cili ndërroi jetë një vit më parë.

Merrnin pjesë në këtë kujtesë nderuese e përkujtimore, artistë dhe aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork, miq dhe adhurues të regjizorit dhe artistit të madh shqiptar Pirro Mani i cili është skalitur në kujtesën e spektatorit shqiptar me rolet e tij ku spikati ai i Sali Protopapës tek filmi “I teti në bronx”.

Mbrëmjen e hapi inicuesi dhe organizatori i këtij eventi, zoti Andis Gjoni i cili solli në vëmendjen e të pranishmëve madhështinë dhe thjeshtësinë e regjizorit Pirro Mani, copëza të gjalla nga humori dhe jeta e tij aktive dhe më pas i ftoi pjesëmarrësit të ndiqnin një dokumentar të përgatitur enkas për këtë mbrëmje si nderim dhe homazh për artistin e madh që i fali aq shumë artit dhe kinematografisë shqiptare. Dokumentari solli materiale konçize intervistash dhe vlerësimesh që miqtë artistë ia kushtonin Pirro Manit, njeriut që i fali skenës aq shumë role dhe kontribute historike .

“Kur kthehem në Shqipëri pêrveç të tjerash ndjej edhe boshllëkun e ikjeve të artistëve nga kjo jetë” – shprehet Mani në një prej daljeve të tij të fundit në Albanian Culture TV (2015)

Është e dhimbshme kur ikin artistët sepse bashkë me ta duket se largohet edhe një copëz e artit, kreativitetit dhe energjisë së bukur që ato mbartin.

Pirro Mani ishte regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 -vjet punoi në Teatrin Kombëtar, lindi në Korçë më 14 Prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.

Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi” në Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për disa vite. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit Kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.

Në karrierën e tij numërohen mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Pirro Mani ishte konsideruar si mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.

Por siç shprehet Andisi pengu i tij ishte pamundësia për të vënë në skenën amerikane pjesë shqiptare, projekt ky që e le të hapur mundësinë e artistëve të shumtë që jetojnë sot në metropolin e madh amerikan për të shpalosur kryeveprat tona në sallat e boshatisura edhe pse mbi 150 mijë shqiptarë jetojnë në Nju Jork.

Pas shfaqjes së dokumentarit pati një bashkëbisedim interaktiv mes artistëve dhe pjesmarrësve në këtë event të cilët e ndjejnë se koha për bashkërendime energjish dhe projektesh ka ardhur .

Në fund zoti Andis Gjoni falenderoi të pranishmit, administratorin e Producer’s Club Theater, Ernest Tollja për sigurimin e mjedisit fizik me urimin se ky mjedis duhet të gjenerojë sistematikisht art dhe vlera të kulturës shqiptare ku monumente si Pirro Mani frymëzojnë dhe edukojnë përjetësisht.

 

Andis Gjoni: In memoriam Pirro Mani!

Please follow and like us: