Albspirit

Media/News/Publishing

Serbia me dhunë e terror kundër serbëve lojal të shtetit të Kosovës/Lufta jonë kundër bandave

Veturat e djegura nga bandat serbe të dirigjuara nga Serbia

Idriz Morina

Serbia po përdor dhunë dhe terror ndaj qytetarëve serb lojal ndaj shtetit të Kosovës.

Në njërën anë nëpërmjet Listës serbe dhe strukturave kriminale, Serbia po ushtron presion ndaj qytetarëve serb në veri, që të refuzojnë zbatimin e thuaja çdo marrëveshje, që e ka nënshkruar Serbia, dhe në anën tjetër, në mënyrë të fshehtë po urdhëron grupet kriminale, që të kryejnë dhunë ndaj pakicës serbe.

Dhuna ka qenë elementi kyç përveç faktorëve të tjerë, që i ka mbajtur serbët nën kontrollë.

Por, si ka ndodhur ajo?

Një pjese të politikës, por edhe të lexuesve duhet t’i kujtohet se pas luftës, edhe pse kishte një debat jo të vogël, të kundërshtimit nga shqiptarët, UNMIK-u, lejoi krijimin e të ashtuquajturës, grupimit serb “Rojet e urës” (“Bridge watcher” – Vrojtuesit e urës). Kjo ishte konceptuar në frymën se kinse serbët ishin të rrezikuar nga shqiptarët, dhe se serbët, meqë nuk kishin besim tek KFOR-i, kërkonin t’i kishin pjesëtarët e vet, të cilët mund t’i përcillnin lëvizjet eventuale të shqiptarëve nga jugu i Mitrovicës drejt veriut.

Kjo strukturë legale, aso kohe e kishte udhëheqës teknik Oliver Ivanoviçin, dhe pjesë të saj ishin edhe të kërkuarit e sotëm për krime nga Kosova, dhe në listë të zezë të SHBA-ve, Millan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviç.

Serbia, atëherë nuk kishte mundësi të një ushtrimi të madh të kontrollit, pasi raportet e saj ishin armiqësore me shumicën e vendeve që kishin dërguar misionet e tyre ushtarake në kuadër të KFOR-it.
E ashtuquajtura mbrojtja civile serbe, shumë prej të cilëve janë integruar në institucionet tona

Por, ky grupim u përdor për të krijuar kohezion, sidomos brenda serbëve që jetonin në veri, duke u imponuar me forcë dhe sigurisht duke i kërcënuar me pasigurinë e rrethanave të kohës.

Po ky grupim dhe sigurisht edhe strukturat tjera ilegale serbe të mbetura të regjimit të Millosheviçit, në shkurtin e vitit 2000 i dëbuan më shumë se 14 mijë shqiptarë (shifër që i referohen shumë figura publike, e disa kanë pretenduar se me regjistër janë dëbuar mbi 20 mijë veta, sipas Ramadan Kelmendit të ndjerë) nga veriu i Mitrovicës, duke vrarë 10 shqiptarë dhe plagosur 25, të lënduar rëndë e lehtë dhjetëra të tjerë.

Madje kjo sot kujtohet si një masakër e ndodhur pas luftës, në netët e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, dhe dëbimi masiv i shqiptarëve, për kthimin e të cilëve thuaja nuk ka pasur më asnjë përkujdesje serioze, madje edhe rindërtimi i shtëpive të djegura në luftë nuk ka përfunduar.

Unë e pata quajtur i vetmi rast, që një grup shtetasish jetojnë ‘muhaxhir’ në shtetin e tij, pa mundur të shkojnë dhe të jetojnë në pronat e tyre!

Ky ishte një skandal që u lejua të ndodhë, edhe me bekimin e një pjese të politikës shqiptare, veçmas me njerëz të PDK-së.

Ka pasur një debat parlamentar para më shumë se 10 viteve, dhe rekomandimet e propozuara nuk janë miratuar kurrë nga Kuvendi i Kosovës.

Ish-mjeshtri i stërvitjes së “Rojave të urës”, që mori pjesë në atë operacion kriminal ndaj shqiptarëve, Oliver Ivanoviç u ekzekutua me 16 janar të vitit 2018, pasi ai ishte tërhequr nga shërbimi i projekteve të udhëhequra nga Serbia e Vuçiqit, dhe po i përfaqësonte serbët lojal ndaj shtetit të Kosovës, dhe udhëhiqte nismën politike, “Iniciativa Qytetare”, SDP. Po ashtu ai qe dënuar për krime lufte gjatë viteve 1999/2000 me 9 vjet burg, proces i rikthyer në rigjykim.

Vrasja e tij, siç e kemi vlerësuar edhe më parë, pra është bërë nga shteti serb për të dëshmuar para popullatës serbe, se kushdo që ia kthen shpinën strukturave ilegale të Serbisë, do të ekzekutohet pamëshirshëm.

Pas shpërbërjes së “Rojave të urës”, në fillim të vitit 2012, u shfaqën serb të uniformuar, me mbishkrimin “Civilna zashtita” (shqip Mbrojtja civile”), strukturë kjo ilegale e financuar dhe e udhëhequr nga Serbia.

Veprimet e Serbisë po vazhdonin të kryheshin në Kosovë në mënyrë të strukturuar, dhe madje duke krijuar një nënsistem.

Pra, jemi para një situate të vazhdueshme, që është rezultat, përveç i politikës ndërkombëtare, që si nën UNMIK-un, EULEX-in dhe më pas edhe në vitet e shkuara nën administrimin e Republikës së Kosovës, i kanë shpëtuar ndëshkimit.

Djegia e 20% të veturave me targa të konvertuara

Janë ta panumërta rastet e dhunës për këto më shumë se 23 vjet, që strukturat e udhëhequra nga Serbia kanë kryer dhunë të ndryshme ndaj serbëve, që kanë filluar të jenë lojal ndaj shtetit të Kosovës, edhe para shpalljes së Pavarësisë.

Në këtë kontekst duhet parë edhe djegien e vazhdueshme të veturave, të atyre serbëve, që për këta muaj, sa kishin lehtësira të shumta të ofruara nga Qeveria, 18 vetura i konvertuan në regjistrim të Republikës së Kosovës.

Djegia nga shtatori i tri veturave nga 18 të konvertuara është gati 20 %, përkatësisht 16.7%, që tregon një shkallë të lartë dhune.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës (MPB-së), ka njoftuar se një rreshteri të Policisë së Kosovës në veri, që konvertoi targat, iu dogj një pjesë e shtëpisë.

Ndërsa në Zveçan, një qytetari serb, po sipas MPB-së, iu dogj një depo, pasi ai e kishte konvertuar regjistrimin e veturës së djalit të tij. Një tjetër serbi në komunat në veri, pas regjistrimit të veturës me targat e Republikës, më 27 tetor iu dogj vetura.

Po ashtu, në këtë rast kjo lloj djegie, e veturave me targa të konvertuara, është dhunë edhe ndaj pronës shtetërore të Kosovës, targave të Republikës, duke kryer po ashtu, edhe aktin simbolik të djegies së simboleve shtetërore të Republikës, përveç të aktit kriminal të shkatërrimit të pronës private.

Andaj është i saktë dhe i drejtë formulimi, dhe njëkohësisht përshkrimi i gjendjes në veri, i bërë nga presidentja Osmani, se shteti po sfidohet nga bandat apo lufta e banditëve.

“Në luftën tonë kundër bandave dhe për sundim të ligjit, presim përkrahje…”

“Lufta jonë është luftë kundër bandave. Në luftën tonë kundër bandave dhe për sundim të ligjit, presim përkrahjen e aleatëve edhe në Bashkim Evropian edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Osmani sot, duke folur për çështjen e vendimit për targat.

Sfida

Sidoqoftë, siç kemi theksuar më parë, nuk është e lehtë një vendimmarrje e tillë për targat, pasi një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, meqë e sheh një gjendje të zgjatur, një shtyrje të re duket se nuk e sheh problematike, edhe pse pas Pavarësisë kjo është qeveria e parë që kërkon me ngulm shuarjen e strukturave paralele, dhe disa bartës të tyre, siç është theksuar në vazhdimësi janë në listën e zezë të SHBA-ve, të identifikuar si krerë të krimit të organizuar ndërkombëtar serb, me seli në veri të Kosovës.

 I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin, diplomati Gabriel Escobar, e ka përsëritur dje, se ende është në pritje, të kërkesës së bërë nga Kuinti, që zbatimi i vendimit për targat e regjimit të Millosheviçit të shtyhet për dhjetë muaj, kur si duket shpresohet të ketë një përafrim më të madhë për arritje të marrëveshjes me Serbinë.

Edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndonëse i ka dhënë publikisht mbështetje në dukje kategorike vendimit për targat, ajo me gjuhë diplomatike, e ka quajtur çështje tranzicionale, dhe se “tranzicioni duhet të jetë gjithëpërfshirës”.

“Unë mendoj që është shumë e domosdoshme që rregullat të respektohen në çdo shtet. Në të njëjtën kohë nëse ka periudhë tranzitore, tranzicioni duhet të jetë gjithëpërfshirës, duhet të shkoj siç duhet”, ka thënë të enjten në Prishtinë Von der Leyen.

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1891514/serbia-po-perdor-dhune-e-terror-ndaj-serbeve-lojal-ndaj-shtetit-te-kosoves-lufta-jone-kunder-bandave/?fbclid=IwAR1zB6_t0dTzTiZNwJA0oNsdCSu5M1cNd7KtFXbnUsu881Bi63WMJzIbkhA

Please follow and like us: