Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Mato: Kthimi

Kthehet gjethja e vjeshtës në një shami lamtumire,
kthehet shiu i marsit në lot të ndritur fëmije,
kthehet vjeshta e artë në thellësi të vjeshtës së artë,
e kthehet zemërimi i një fëmije në një klithmë universale.
Kthehet mjegulla e natës në kalin e Kostandinit të vdekur,
kthehen të vdekurit e njëqind vjetëve në zogj e në milingona,
kthehen yjet e detit në yje galaktikash të largëta,
kthehen fjalët e të dashuruarve në ylberë e zogj ëndrrash,
Kthehen gjethet e lisave në zogj stuhish,
kthehet kupola e qiellit në plantacione qershish.
Kthehet shpirti im në erë,
në zë e në frymë,
në gjethe vjeshte që vërtitet qiejve pa pushim.
Please follow and like us: