Albspirit

Media/News/Publishing

ÇETA EMËRNDRITUR PARTIZANE “ÇERÇIZ TOPULLI”

(Në përkujtim të 80 vjetorit të krijimit të çetës partizane  “Çerçiz Topulli” 12.12.1942-12.12.2022, formacionit të parë partizan të krahinës së Kardhiqit. Kjo çetë ishte pjesë e koalicionit të madh antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan, bashkë me të gjitha formacionet e tjera partizane shqiptare të çetave, batalioneve, brigadave e divizioneve të UNÇSH-së).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Çeta partizane “Çerçiz Topulli”, për krahinën e Kardhiqit është një ndër ngjarjet madhore krahinore në kohë pushtimi, është çeta emërndritur në historinë e LANÇ-it, është çeta që i dha edhe më shumë vlera krahinore, trevës labe dhe më gjerë. Kundërshtimi i pushtimit fashist në Shqipëri ishte një revoltë e brendshme e mbarë popullit shqiptar. Fshatrat e krahinës së Kardhiqit si mbarë treva e Labërisë kanë ditur të mbrojnë me gjak shekujve nderin dhe krenarinë labe.  Kështu edhe gjatë kohës së pushtimit fashist djemuria e krahinës u bashkuan me nismëtarët e krijimit të çete si Dilaver Poçi, Gani Haloçi, Mitat Kondi e dhjetra qindar të tjera etj. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare vendosi në provë shqiptarët dhe në fakt brezit që i takoi të bënte luftën, është edhe brezi që mori përsipër një barrë të madhe dhe me përgjegjësi të madhe përpara kombit dhe historisë.

Fushëbardha, Zhulati, Prongjia, Kardhiqi, Plesati, Mashkullora, Humelica, Palokastra si dhe fshatrat përtej lumit “Belica”/lumit të Joshe si Shtëpëzi, Picari, Kolonja, Medari, Gropa e Barxhit, Golemi e Kaparieli u bënë fshatrat që ndezën pishtarin e luftës për çlirim dhe u organizuan fuqishëm rreth idesë së madhe të çlirimit. Çetës “Çerçiz Topulli” e krahinës së Kardhiqit  ishte e para në Krahinë që i dha shpresë popullit të shtypur dhe të vuajtur jo vetëm nga skamja dhe varfëria por dhe nga çizmja e rëndë e pushtimit, e pushtimeve që nuk ju sosën shqiptarëve. Çeta “Çerçiz Topulli” u bëshpresë për popullin dhe tmerr për armikun. Çeta e krahinës mblodhi rreth vetes burra trima, që patën mençurinë për të kuptuar se vetëm duke tejkaluar ndasitë e dallimet, mund të përmbushnin ëndrrën shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi, duke luftuar pakompromis armikun që kishte zaptuar vendin tonë që më 7 prill të vitit 1939. Bijtë më të mirë të krahinës vërtetuan se ndërgjegje kombëtare rrinte e ndezur në shpirtin e shqiptarëve, dhe që i ka shoqëruar ndër breza Shqiptarët. Kështu Fushëbardha, Prongjia, Zhulati, Kardhiqi, Mashkullora dhe gjithë fshatrat e krahinës me radhë i ka të ngulitura këto cilësi dhe të trashëguara brez pas brezi saqë edhe përgjatë LANÇ-it shpalosi vetitë më të mira të shqiptarëve për të rrojtur të lirë në vatrat e tyre.

Bijtë e trevës së Kardhiqit Dilaver Poçi, Gani Haloçi, Mitat Kondi dhe dhjetra qindra të tjerë u bënë organizatorët e parë për ngritjen e popullit në Luftën antifashiste, që në mars 1942, kur me vendimet e komitetit qarkor të Gjirokastrës morën jetë dhe planizuan që krahas njësiteve guerrile të ngriheshin edhe çetat e para partizane. Krahinat e Kardhiqit dhe Rrëzomës bashkë me të gjithë Labërinë, si dhe me gjithë trevat përreth ishin trupëzuar shpirtërisht në këto kohë rreziku, por dhe në vendimmarrje për ta përzënë armikun me grykën e pushkës. Rrugët e atdhetarëve të flaktë shqiptarë bashkoheshin në ideale të mëdha antifashiste. Ndërkohë që lëvizja nacionalçlirimtare mori hov dhe luftëtarët e parë binin në beteja, sikurse ishte dhe vrasja e Muzafer Asqeriut në korrik 1942, zemërimi popullor erdhi në ngritje. Lufta e pabarabartë e shqiptarëve me pushtuesit kishte filluar. Tetëdhjetë vite më parë ishte koha kur ishte lëshuar kushtrimi i lirisë: “Të bashkohemi”, “Të lëmë mënjanë mëritë, grindjet, t’i japim dorën njeri tjetrit”, “Të armatosemi”, “Ta kundërshtojmë energjikisht armikun”, “Asnjë taksë, asnjë ushtar, asnjë milic për fashizmin, të rrëzojmë pushtetin e vjetër të kryepleqësive, të komunave e xhandarmërinë, të ngremë pushtetin e popullit” etj.

Këto ishin thirrjet e një populli të tërë të shtypur në mbarë krahinën e Kardhiqit, në Prongji, Kardhiq, Fushëbardhë, Zhulat, Mashkullorë, Plesat e Humelicë. Përshkrime të gjera dhe të plota gjejmë në librin që vetë komisari i çetës Gani Haloçi ka shkruar në një formë ditari që vijnë ditët e stuhishme partizane, por edhe në një libër të shkruar posaçërisht për komandantin e çetës partizane Gjeneral Dilaver Poçi, që besojmë se së shpejti do të shikojë dritën e botimit.

Një ditë para krijimit të çetës më 11.12.1942 disa aktivistë si Islam Poçi, Hariz Shalari, Nimet Veliu, Neshat Kondi, etj., organizuan banorët e fshatit Fushëbardhë që të prisnin luftëtarët e parë të krahinës. Dilaver Poçi mblodhi në Zhulat djemurinë antifashiste bashkë me Ago Topullin, nipin e Çerçiz Topullit dhe prej andej u nisën për në Fushëbardhë. Një grup tjetër që drejtoheshin nga Gani Haloçi ishin gati që më datën 7 dhjetor 1942 bashkë me Neshat Kaca, Hajro Skreli, Mehmet Skreli, Demir Kadëna, Thoma Pano, Sadik Xharro, Hamza Makashi, Rait Bala etj. Gjithë fshatrat e krahinës së Kardhiqit ishin gjithë sy e veshë nga fshati Fushëbardhë. Grumbullimi i çetës fillimisht u bë në Rrapin e Fushëbardhës ku komandant u caktua Dilaver Poçi, komisar Gani Haloçi dhe intendent Mitat Kondi. Në çetë merrnin pjesë djem nga fshatrat Fushëbardhë, Zhulat, Prongji dhe nga të gjitha fshatrat e krahinës. Formacioni partizan i çetës piu ujë në Ferrëz, dhe mori udhë drejt Lëmëdhit e bregut të Erëzës. Nga 27 luftëtarë çeta shpejt u rrit në 36 partizanë e më tej e kaloi numrin 70-80 luftëtarë nga të cilët përmendim Dilaver Poçi, Gani Haloçi, Mitat Kondi, Nimet Veliu, Neshat Kondi, Hariz Shalari, …Neshat Kasi, Hajro Skreli,.. Në çetë kishin ardhur më vonë edhe nga Rrëzoma e Delvinës. Çeta partizane e krahinës së Kardhiqit që në ditën e parë të krijimit shkoi në Senicë dhe çarmatosi postën e Senicës dhe më tej vijoi në Fushëvërri, Vergo, Kopaçez, Palavli, Lefterhor, Varfaj, Kakodhiq, Bajkaj, Ura e Shijanit dhe më tej.

Çeta partizane u shtua dhe u forcua në ditët që pasuan. Vetëm në një javë aktivitet i çetës bëri që të ngriheshin njësitet guerrile dhe Këshillat Nacionalçlirimtare në çdo fshat, hapën depot e kazermave dhe shpërndanë drithin për të shuar urinë e zisë së popullsisë së kësaj treve patriote, prenë telat telefonike e telegrafike në disa pika në Stjar në afërsi të Delvinës dhe Sarandës.

Bujq e blegtorë u bënë bashkë dhe panë me sytë e tyre se çfarë ishte formacioni partizan i çetës që punonte për popullin. Kthimi në bazë në Fushëbardhë dhe në fshatrat e tjera të krahinës solli dritë e shpresë në të gjithë krahinën, ku në këtë kohë nga xhandarmëria filluan dezertimet.

Çeta raportonte në bazë për sukseset e saj dhe për ndjenjën e dashurinë masive popullore ndaj saj. Figura të rëndësishme të si Mustafa Matohiti, Haki Toska, Sai Tare nga Nivica, Selman Lame nga Kuçi, Zini Sako, etj., vlerësuan punën e drejtuesve të çetës dhe mbarë çetës të “Çakallit” (Dilaver Poçit) dhe “Ustait” (Gani Haloçit). Çeta labe e krahinës së Kardhiqit ishte gjithmonë në veprim dhe në aksione të pandërprera, ndërkohë që rritej dhe forcohej. Viti 1943 filloi me një aktivitet edhe më të dendur të çetës në luftë kundër fashizmit në Urën e Kardhiqit, në kodrat e Humelicës, në rrugën automobilistike Viroi- Shkalla e Zezë; më 9 janar 1943 kapi dhe çarmatosi një patrullë milicie në fushën e Mashkullorës. Një grup i çetës u dërgua për të marrë pjesë në luftimet e Gjormit në Vlorë, që filluan në ditët e para të janarit 1943 nga populli e çetat e Mesaplikut. Çeta në mesjanari 1943 veproi energjikisht në zonën e Delvinës dhe Konispolit; ngriti këshillat nacionalçlirimtare në Rusan, Krane, Finiq, Stjar, Durmish, etj.; kontrollonte rrugën Delvinë-Konispol; kaloi Bistricën dhe sulmoi postën e xhandarmërisë në Aliko, duke i shpartalluar ata, goditi një autokolonë armike, ju rrëmbeu karvanët hajdutëve dhe kthyen rreth 50 kafshë të ngarkuara “gjoja për partizanët”, ku u gjykuan para popullit 7 veta nga gjyqi i çetës partizane. Ndërkohë si rrezultat i veprimeve të çetës posta e Sopikut u detyrua të dorzohej çetës partizane. Ura e Bistricë dhe pothuaj postat kufitare ishin të gjitha në zotërim të çetës partizane të krahinës së Kardhiqit.

Është për tu shënuar një …“aksion shumë i sukseshëm i Zminecit, që ishte tipik partizan me sulm të befasishëm, ku u çarmatosën 28 ushtarë kufitarë, ndërkohë që në luftimet e 17-18 shkurtit 1943 në brezin kufitar Karoq-Leshnicë e sipërme pati të vrarë, 34 robër, 37 pushtë, 2 mitraloza të lehtë “Breda”, një mitraloz i rëndë “Fiat”, 5 revolvera, mbi 6000 fishekë, 80 bomba, 45 komplete e mjaft materiale” (Sipas njerit prej drejtuesve të çetës pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftime, Gani Haloçi, “Jeta ime.. Tiranë, 2009). Çeta u shndrua në një uragan dhe u bë mëse e njohur për ndihmesën që i dha popullsisë edhe në Finiq, e cila i hapi dyert dhe zemrat partizanëve. Tre ikursionet në zonën e Delvinës, Sarandës e Konispolit shkruan histori suksesi të luftës. Edhe fshatrat përreth në Rumanxa, Senicë, Leshnicë, Dushnik, Pandalejmon, Kulluricë shpërndanë kudo drith dhe shpresë. Pagëzimi i çetës u bë pasi kaloi provën e zjarrit. Më 27 Mars 1943 çeta morin emrin e patriotit dhe luftëtarit të rilindjes kombëtare “Çerçiz Topulli”, një emër i merituar plotësisht. Emrin e ri të çetës e prezantoi i deleguari i Komistetit të Partisë të Qarkut të Gjirokastrës Shefqet Peçi, por çeta e rritur më rreth 80 partizanë kishte mbritur në fshatin Prongji. Pas dy ditësh, më 29 Mars 1943 çeta u mblodh sërish në Fushëbardhë dhe prej andej përreth tre javë shkoi në fshatrat e Vurgut, në Shalës, Dishat, Markat, Sopik, Vagalat, Hadër-Aga si dhe në zonën e Konispolit ku bashkëpunoi me çetën “Çamëria”.

Në çetë kishin shkuar dhe Adil Çarçani, Demo Fejzo, Sejdi Hoxhalli, Haxhi Doraci e dhjetra të tjerë. Aksionet pas Rrëzomës, Vurgut e Konispolit vijuan në krahinën e Kardhiqit, Koronë, Kolonjë, Golem, fusha e Kardhiqit, qafa e Taroninës, Zhulat, Kapariel, ndërkohë që mbledhja e Rehovës më 28 prill 1943 e ndau “shapin nga sheqeri” ndërmjet organizatave që ishin hedhur në frontin e luftës por me ide dhe konceptim krejt të kundërt për mënyrën e luftimit të pushtuesve. Përballë Ali Bej Këlcyrës, Dervish Rexhepit, Ismail Golemi, Xhevat Kallanxhi, Qemal Shtino u vendosën Subi Bakiri, Shefqet Peçi, Adil Çarçani, Siri Çarçani, Sheri Baboçi, Haxhi Progonati, Demo Fejzo, Bajram Sinoimeri. Akitiviteti i çetës vijoi edhe përgjatë Drinos, Labovë e Kryqit, Palokastër, Labovë, Suhë, Hormovë, Gërhot, Çepunë, Subash etj. Bijtë që mbushën radhët e çetës dhe ngelën në altarin e atdheut ishin Karafil Bello, Sami Golemi, Tahir Xhuvani, Alem Shehu, Baxhul Norra, Zijadin Çarçani, Kutbi Gjeçi, Latife Norra, Nishat Kondi, Xhezo Proda, Cirok Cama, Destan Norra, Tajar Proda, Mato Serjan Mato e dhjetra dëshmorë flamur lirie të të gjithë fshatrave të krahinës. Fakt është se drejtimi i çetës nga Dilaver Poçi dhe Gani Haloçi si luftëtar të orëve të para të krahinës së Kardhiqit, si bij me veti të rralla dhe njerëz me vlera të spikatura atdhetare, me traditë luftarake të oxhaqeve familjare mundësuan suksesin e pritshëm në çdo shtëpi të fshatrave të krahinës. Populli pa me sytë e tyre burrat e fjalës dhe të dyfekut, të besës së dhënë dhe të fjalës që ju peshonte rëndë, të bijëve të popullit me ndërgjegje të rrallë atdhetarie, që lanë gjurmë të spikaturura për brezat në krahinë dhe mbarë trevat e Labërisë. Jeta plot dinjitet e krenari e komandantit dhe komisarit të çetës bëri që të shkruanin histori suksesi në jetë, që shprehën identitetin, krenarinë, trimërinë e mençurinë e trevës labe me emër të shquar në Shqipëri. Vrullin energjik të rinisë, të luftës dhe të punës, atdhetarinë, urtësinë dhe mençurinë  e tyre e lexuan dhe e lexojnë brezat si frymëzim për të ardhmen e një Shqipërie më të mirë.

Libër vlerë për Krahinën e Kardhiqit dhe çetën partizane “Çerçiz Topulli”

Në rreshtat e librit të komisarit të çetës, ku thotë “gjurmët e jetës time..”, ka eliminuar fjalën “unë” me fjalën “neve”, dhe këtë e ka dokumentuar me firmën e tij, sepse ai përgjatë gjithë jetës luftoi dhe punoi me shokë të mirë. Ai ishte komisari zemërzjarr dhe i mençur që realisht nuk shkroi thjeshtë një libër, por ngriti një memorial që e përjetësoi jetën e Prongjisë, krahinës së Kardhiqit, përjetësoi të vërtetat e mëdha të çetës partizane “Çerçiz Topulli”, të vend themelimit në Fushëbardhë dhe të vendit ku ju dha emri kësaj çete në fshatin Prongji, kur në fakt kishte rreth katër muaj që kryente luftime. Ai flet me data dhe është i prerë dhe fjalën e ka të larë me dritën e diellit që nuk lë shtigje për shtrëmbërime e rregullime, sepse ai ishte vetë arkivi dhe ditarshkruesi i veprimtarisë së çetës së parë partizane të Krahinës së Kardhiqit, por dhe i formacioneve të tjera partizane të ngritura në këtë krahinë si: 12.12.1942 krijohet në Fushëbardhë çeta partizane “Çerçiz Topulli”; më 7.8.1943 krijohet tek rrepet e Kardhiqit e Prongjisë batalioni partizan “Asim Zeneli”; 12.12.1943 krijohet në Fushëbardhë batalioni “Abaz Shehu”; në dhjetor 1943 krijohet në Fushëbardhë batalioni i rinisë i krahinës së Kardhiqit; në Janar 1944 krijohet në Fushëbardhë  Grupi i Parë partizan me dy batalione; në prill-tetor 1944 në Fushëbardhë ka vepruar Komanda partizane e vendit. Në çdo fshat të krahinës së Kardhiqit kishte çeta territoriale, depo armësh, depo ushqimi, furrë buke spital partizan, ndërlidhje telefonike me Cepon, Senicën, Shtabin e Zonës së Parë Operative Poliçan. Ndërkohë që në tetor 1944 populli i krahinës së Kardhiqit i mbledhur në Fushëbardhë i dërgon një telegram përshëndetjeje qeverisë demontartike të Beratit. Në vitin 1942 në fshatrat e krahinës së Kardhiqit janë pritur çetat partizane si më poshtë: çeta “Çerçiz Topulli”, çeta “Hajredin Tremishti”, çeta “Avni Rustemi”, çeta “Koto Hoxhi”, çeta “e Bregut”, çeta e Çamërisë; në vitet 1943-1944 batalioni partizan “Asim Zeneli”, batalioni “Abaz Shehu”, Grupi i Kurveleshit; Grupi “Çamëria”; ndërsa nga Brigadat partizane në krahinë e Kardhiqit janë mirëpritur formacionet partizane të: Br1S; Br.IIIS; Br.VS; BrVIS; Br.VIIS, BrXIVS. Lapidari i 540 partizanëve të batalionit Asim Zeneli flet qartë edhe për gjakun e 106 dëshmorëve të kësaj krahine lavdiplotë, që përfaqësonin pushkët e luftëtarëve të gjithë krahinës së Kardhiqit që i bën nder Labërisë, Gjirokastrës dhe mbarë truallit shqiptar. Të gjitha këto të dhëna vijnë përmes shënimesh të luftëtarit, partizanit dhe kuadrit të lartë ushtarak Gani Haloçi, që në fakt i bën nder historiografisë shqiptare dhe veçanërisht asaj ushtarake. Ai nuk mbahej kurrë “në të madh e në të rëndë”, sepse pikëpamja e tij ishte më se njerëzore: “Madhështinë e njeriut nuk e bëjnë postet e larta që arrin në jetë, por virtytet, karakteri i tij, ideali atdhetar, familja, të cilave u përkushtohesh”.

Komandant e komisar, të përbashkuar në ide dhe veprime luftarake, siç i kërkonte historia

Bijtë e dashur të krahinës Dilaver Poçi dhe Gani Haloçi rrezatonin urtësi, mirësi dhe besim. Ata ishin më të rritur në betejat e shumta që zhvilloi çeta, por dhe me eksperiencë në luftime, ndaj dhe kënga gjëmonte në të dy brigjet e lumit Belica të krahinës së Kardhiqit: “O Cepo, moj ballëlartë,/Të mbiu lufta në prag,/Luftë ditë e luftë natë”. Gjithë pjesëtarët e çetës partizane “Çerçiz Topulli” u bënë ekspertë të luftrave duke zbatuar parimin “sulmo si rrufeja dhe zhduku si era”, për të mbritur në një fazë më të lartë të luftës atë të krijimit të batalioneve dhe brigadave partizane. Misioni i Çetës partizane “Çerçiz Topulli”,  mbeti emblemë heroizmi dhe besnikërie të idealeve të lirisë prandaj mbeti edhe emërndritur në historinë e LANÇ-it, sepse ajo luftoi me emrin çetë për 239 ditë, zhvilloi beteja në dy qarqe të Gjirokastrës dhe të Sarandës, ku hapësira e veprimeve luftarake të saj ishte përtej kufijve taktikë, të krahasueshme me zonën e veprimit të njësive operative. Por misioni i saj nuk përfundonte këtu.

Misioni i saj lidhej me çlirimin. Prandaj më 7 gusht 1943, çetës partizane “Çerçiz Topulli”,  bashkë me tre çeta të tjera partizane përbashkohen dhe formojnë batalionin partizan “Asim Zeneli”. Ky batalion u themelua tek rrepekt e Kardhiqit, në një kohë kur zjarri i luftës partizane ishte ndezur fuqishëm në të gjithë vendin dhe u bë një ndër formacionet që i dhanë jetë veprimtarisë së batalionit të lavdishëm partizan që mbante emrin e heroit dhe dëshmorit “Asim Zeneli”. Ky batalion partizan u formua nga çeta “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rustemi” dhe “Toto Bolena”. Emri i çetës partizane emërndritur “Çerçiz Topulli”, në tetëdhjetë vite u bë frymëzim brezash për atë çfarë i dha Krahinës, Labërisë, Shqipërisë në ditët më të zeza të shpëtimit, për shpresën dhe lirinë, për idealet e mëdha të çlirimit. Prandaj edhe sot pas 80 vitesh nderohen e respektohen ata që shkruan lirinë, ata që e shkruan vetë saktësinë dhe kronologjinë e ngjarjeve në çetat dhe batalionet partizane. Vlera e njerëzve do të ngelet përjetësisht në mirënjohjen e brezave, ndërkohë që gjaku i dëshmorëve është themeli i një Shqipërie solide që nuk ka forcë apo segment i politizuar apo i pleksur me interesa që të mund të anashkalojë nderimin e luftës madhështore të shqiptarëve të Luftës së madhe Nacionalçlirimtare.

Mirënjohje, homazh dhe përjetësi për burrat që shkruan histori dhe vunë gjithçka në dispozicion të vendit dhe krejt shqiptarizmës. Mirënjohje dhe homazh për gjithë pjesëtarët e çetës “Çerçiz Topulli”, që kurrë nuk vrapuan pas lavdisë, por ecën thjesht dhe me guxim në luftë dhe në jetë, duke rezatuar urtësi, mençuri, përkushtim ndaj shoqërisë dhe atdheut. Nderim për jetë formacionit partizan të çetës “Çerçiz Topulli”, të Krahinës së Kardhiqit!

 

 

 

Please follow and like us: