Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Thyerja e tabuve në botën moderne

“Thyerja e tabuve në një kulturë tradicionale shekullore, sjell shpresë për normalizimin e raporteve ndër njerëzore dhe shoqërore”, Vlora Obertinca.
“Kalimi prej shekullit 20 në atë 21 ka sjellë me vete revolucione teknologjike, por edhe revolucione në raporte ndër familiare dhe ndër njerëzore.
Gjatë kësaj urë kalimi apo tranzicioni shekullor, janë thyer edhe shumë ëndërra të të rinjëve dhe të rejave asokohe, por fatëkeqësisht ky tranzicion po vazhdon ende.
Përderisa në shtëpi predikohet morali, bujaria dhe fisnikëria, jashtē këtyre mureve të rinjtë hasin me një botë të ashpër dhe kontradiktore nga ajo që kanë mësuar në gjirin familjar. E dhimbshme kjo sepse, në fund të ditës, si pasojë e ndeshjes së standardeve të dyfishta të edukatës, lëndohet një familje e tërë ,por edhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë.
Predikimet si “duhet të jesh më i miri dhe më i suksesshmi, duhet ta gjesh vetëm një partner të jetës, duhet të jesh babë apo nënë perfekte për të pasur fëmija shembull të mirë, duhesh të jesh i ndershëm dhe i moralshëm, nuk duhet ta konsumosh duhanin apo alkoholin, nuk duhet bërë tradhti në martesë, nuk duhet bërë fëmijët jashtë martese sepse janë bastardë, mos u martoni me të huaj”, etj…
Kushtëzime mbi kushtëzime, presione mbi presione, pritshmëri mbi pritshmëri… e tërë kjo një vorbullë e një edukate dhe kulture fanatike tradicionale, e cila ndeshet me realitetin tërësisht të kundërt për kohën në të cilën po jetojmë.
Kodet morale i ka secila shoqëri, edhe ajo perëndimore që po e aspirojmë “brenda natës”. Dallimi qëndron në edukimin ndryshe nga ky yni. Përderisa, atje predikohet në shtëpi se çka e pret realisht fëminë në jetë, te ne predikohet jeta idilike, predikim ky që e len fëminë të vetmuar në një botë të pa njohur dhe shumë të rrezikshme, aq më shumë që nuk janë të përgatitur për jetë dhe si të tillë duhet mësuar të pavarësohen vetë dhe nga ta presim që një ditë të marrin pozita udhëheqëse në shoqëri. Çdo gjë fillon nga familja!
Kur edhe familjet mbretërore ndër shekuj kanë pasur dhe kanë probleme si bie fjala, lidhje dhe fëmijë jashtë martese, martesa të dështuara, probleme me alkohol dhe subsatanca varësie, sëmundje të ndryshme, etj… dhe të gjitha këto merren në mënyrë të shtuar sepse si fëmijë i kanë parë dhe dëgjuar si dhe kanë marrë predikime të duhura se çka i pret dhe si duhet vepruar në raste të tilla. Jeta nuk është lajle lule, por i ka baticat dhe zbaticat e veta. Kush jemi ne të mos kemi probleme të njëjta si familjet mbretërore, pse duhet fshehur ajo që ndodh, pse duhet jetuar me standarde të dyfishta, pse duhet të sëmuret vetja sepse nuk i’a kemi dalë t’i përmbushim pritshmëritë e gravuara që nga fëmijëria, pse duhet fshehur realitet vetëm që të dukemi perfekt para të tjerëve dhe të mos njolloset autoriteti. Ne presim validitet, nga njerëz që fshehurazi kalojnë nëpër tundime të njëjta dhe me plagë të thella, por me fjalë të pathëna dhe të groposura thellë në ndërdijen e tyre. Me rëndësi, mos flisni, përderisa, nuk e dijnë të tjerët realitetin, ne kemi status autoritativ. Si përfundim, të gjithë të lënduar thellë, tê gjithë të pakëaqur në heshtje të dhimbshme.
Nuk ka jetë perfekte, as njeri perfekt!
Të dashurit e mi, hapuni me njëri-tjetrin, sepse të gjitha këto janë ngjarje njerëzore, sepse jemi njerëz që kemi përvoja dhe sprova të ndryshme në jetë. Këto janē leksione që i ka jeta dhe duhet mësuar. Hapuni me njëri-tjetrin dhe rrëfehuni sepse kur hapeni dhe rrëfeheni, i hapni rrugë edhe tjetrit të nxjerr jashtë helmin që e ka pllakosur ndoshta têrë jetën. E kështu i mësojmë leksionet e jetës duke e shëruar njëri-tjetrin e me to ngadalë tërë shoqërinë. Një fjalë e urtë thotë se njëra dorë e lan tjetrën, ndërsa dy duart e lajnë krejt fytyrën”.
Fragment nga libri “Vera e shpirtit” e autores Vlora Obertinca.
Please follow and like us: