Albspirit

Media/News/Publishing

Avdush Canaj: FUSTANI I HËNËS

Tregim
Liqeni.
Bukuria.
Ëndrra me barkë, liqeni!
Vetë kënga kaltërsore e poetit.
Lëshohet muzgu. Me krahët e lehtë. Aty.
Vijnë kafshët më të bukura të pyllit.Kaprojtë, drenushat, sutat, lepujt…
Shuajnë etjen. Me vete marrin ngapak kaltëri liqeni. Përzier me magji. Dhe bëjnë gjumë të blertë.
Vjen shpesh edhe hëna. E kam parë. Si vashë e bukur me buzëqeshje.
Zbërthen fustanin me kopsa ëndrrash. Lan gërshetat e argjendta.
Oh, ç’bukuri!
E dini ç’ndodhi një natë?
Ndoshta keni dëgjuar? Po e teproj?
-S’dimë asgjë. Kanë harruar të na tregojnë gjyshet!
-Tregona ti, më mirë!
Ani.
Erdhi hëna si çdo natë. I ra liqenit me not! Skaj më skaj! Si peshk! Kur doli në breg, s’e gjeti fustanin! Kuku! S’ishte aty ku e kishte zhveshur!
Shikoi andej, shikoi këndej, ai askund! Njëherë mendoi. E kanë marrë valët e liqnit. Por, ai ishte i qetë. Valët flinin!
-Ma ktheni fustanin!- thirri përvajshëm me zë të lartë.
Mjellmave u doli gjumi. Edhe dallëndysheve. Hapën dritaret e çerdheve.
-Fustani im s’i bie askujt!
-Ne s’dimë asgjë! Ju betohemi!- thanë mjellmat.
Hëna sërish ngriti zërin:
-Ai fustan është vetëm për mua. Më kuptoni? Ai që ma fshehu, të ma kthejë! Ndoshta ka dashur të bëjë shaka. Do t’ia fal gabimin. Do t’ia fal menjëherë. Ju betohem!
Askush nuk e solli.
As nuk tha: Unë e kam.
-Na vjen shumë keq! – tha nëna e mjellmave nga ballkoni i çerdhës.
Një dallëndyshe e përgjumur, duke fërkuar sytë, foli me bindje:
-Sigurisht këtë hajni e ka bërë hutini. Ai, zemërkeqi.
-Sigurisht! Sigurisht! – thanë dy dallëndyshe veshur me pizhame. Iu kishte ikur ëndrra.
-Mos u merakosni, motra! Unë do t’ia jap fustanin tim, – tha dallëndyshja më e madhe. I kam dy. Dhe u bë gati t’ia jap hënës, por…
-Ç’ndodhi?
-Ra nga dega?
-Ndoshta e lëndoi këmbën, ë?
Pritni pak!
Dy yje zbriten te buzë e liqnit. Në dorë kishin një fustan të çepur me fije rrezesh.
Sa i kishte hije hënës!
E morën. Atje lart. E bënë motër të tyre.
Tash, çdo natë, kur bie terri, ajo shetit në qiell. Me yjet për dore!
Sërish zbret te liqeni. Por s’ka frikë. Askush më s’ia vjedh fustanin. Hutinit me syze ia kanë mbyllur derën e përrallës.
Fëmijët i zuri gjumi.
Please follow and like us: