Albspirit

Media/News/Publishing

Namir Lapardhaja: Mbi poezinë e Avdyl Pilafit

Poezia e Avdyl Pilafit është poezi e mistikës së përditshme, që krijon autori për botën, njerëzit dhe gjithçkaje përreth. Nuk kemi të bëjmë me koncept religjoz, por të një tjetërshfaqshme, të krijuar enkas prej një un-i të qenësishëm dhe prej një qenie e një bote të trazuar.
Në dallim nga konceptet moderne për poezinë, tek poezia e tij mbizotëron përmbajtja mbi formën, kemi mbizotërim të funksionit poetik, mesazhit, duke bërë që çdo varg të ketë nevojë për çkodifikimin e mesazheve të caktuara. Poeti nuk shqetësohet me këtë kontradiktë të tij me rrjedhat e sotme të poezisë: ai e ka të qartë se nocioni modern është arbitrar, çka bën që edhe lidhja midis shënjuesit dhe të shënjuarit të jetë po ashtu.
“E përditshme nata” është klithma që buron nga heshtja, nga vetmia, nga subkoshienca, ngase asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë e re nuk ndodh mbi këtë tokë. Përditshmëria është aq monotone dhe e njëjtë, deri në vdekshmëri. Në këtë përditshmëri të autorit, asgjë nuk ka të re, asgjë të çuditshme, madje edhe vdekja nuk sjellë ndonjë të re, duke e lodhur njeriun së qeni normal.
Poezia e Avdyl Pilafit është klithma e intelektualit, që jeton në provincë, edhe pse është një thirrje iluminuese, duke trajtuar tema ekzistenciale, ku në qendër të saj janë bota dhe njeriu. Janë orvatjet e qenies në antitezë me njerëzit, botën, realitetin.
Poezia e tij është e dilemave të mëdha, e kundërthënieve të shumta, ashtu si vetë poeti, i cili jeton midis dy botëve, midis jetës dhe vdekjes, midis shoqërisë dhe të vetmuarit, midis një kohe, dikur të lavdishme, dhe një harrese të sotme, midis lirisë dhe robërisë, midis Romës dhe Kostandinopojës, midis Perëndimit dhe Stalingradit; është poezi që fshikullon të kaluarën dhe shpërfill të tashmen, është keqardhje e asaj që ka ndodhur dhe çudia me atë që po ndodh.
Ëndrra është çelësi i poezisë së tij dhe dilema e njeriut është jetesa midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës. Un-i poetik jeton në ëndërr dhe rastësitë mund t’i ndodhin vetëm aty.
Tek mistikja e Avdyl Pilafit kemi mesazhe qytetare, të qytetarit ideal të “Republikës” ideale. Poezia e A. Pilafit fton për meditim, të thërret për ndërgjegjësim dhe të pikturon imazhin e një bote paqëtuese me veten.
Please follow and like us: