Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: 555 vjet, misteri i zhdukjes së eshtrave të Skënderbeut

 

 

Në fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, në faqen 1148 asht fjala mister që shpjegohet: “Mister, – i m…1. Diçka e panjohur ose shumë e fshehtë; diçka e errët dhe e pashpjegueshme; fshehtësi, e fshehtë. Mister i madh. Misteret e natyrës. Këtu ka një mister. Mbeti mister nuk u zbulua. Është rrethuar me një mister. Kyçi i misterit çelësi i së fshehtës. 2. Fet. Rit fetar i fshehtë, që bëhej në Greqinë e në Romën e vjetër dhe në vendet e lashta të Lindjes për nder të një Perëndije, duke marrë pjesë vetëm priftërinjtë; ceremoni fetare e mbyllur…”.

Vetë “Historia e Shqipnisë” sot asht kthye në një “mister”! Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ka vdekë në Lezhë me 17 Janar 1468 dhe u vorros aty. Vorri dihej se ishte në Kishën e Shën Kollit po në Lezhë.

Tue fillue nga Imz. Pal Engjulli dhe me rradhë njihen figurat e mëdha që aso kohe e rrethonin Prijsin e Madh të Popullit Shqiptar, në luftë kunder turqëve. Sigurisht, me dashtë me folë per fitoret e Kastriotit në 25 vjet luftë të pergjakshme, nuk mundesh mos me zanë me gojë këshilltarët, oficerët dhe strategët legjendarë që ndihmuen Fitoret e Tij.

Mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, Tokat tona Shqiptare dhe kështjellat historike kanë vazhdue gati edhe dhjetë vjet të tjera pa u pushtue nga turqit. Në kjoftë se do të donim me tregue se çka u ba nga pushtuesit turq ndër këta kështjella mbas ramjes në dorën e tyne, do të duhej me u shmangë nga tema, po një fakt dihet: Shqiptarët u qitën fare!

Këte e dishmon Drishti, Kruja, Lezha dhe Shkodra. E kjo shfarosje vazhdoi edhe në vitin 1967, kur edhe Kisha e Vaut të Dejës, u holl në erë nga osmanllinjtë e anadollakut Enver Hoxha, vetem pse n’ atë Kishë ishte kunorzue i Madhi Gjergj Kastrioti me Donikën. Atëherë, si mund të pranojmë ne sot, që kemi të gjitha faktet historike të njohuna, se grupi rrethues i njerëzve të dijtun dhe të provuem që i qëndronte pranë deri me daten 17 Janar 1468 Gjergj Kastriotit, që porsa Ai mbylli sytë, e vorrosën e mbas pak vitesh ikën ndër dhena të hueja, e Prijsin e Tyne legjendar a e lanë me e shkrrye barbarët turq në Lezhë?

A mund të pranohet që Imz. Pal Engjulli nuk i njihte turqit? Po tjerët, aq naivë ishin sa mos me u shkue mendja se Eshtnat e Prijsit Tyne, do të shvorrosen dhe do të treten e hullen në lumin Drin, ashtu si ka veprue pasuesi i tyne anadollak në “Revolucionin Ideologjik” të 1967?

Nëse, dihej se turqit do ta pushtojnë Shqipninë, a thue asnjeni nuk mërrijti me marrë me mend e me parashikue se çfarë do të bajnë turqit, me Vorrin dhe Kishen e Shën Kollit në Lezhë, kur dihej se kudo që turqit kanë vue thundrat ata zhdukën të gjithë Shqiptarët, atëherë, si do të qendronte në kambë Kisha me Vorrin e Skënderbeut mbrend?

Largimi i Tyne bashkë me Donikën dhe Gjonin e rij, të birin e Kastriotit, u ba me paramendimin se asnjeni nuk do të kthehej ma në Atdhe, atëherë, me kenë se një veprim i tillë asht i njohun nga ne të gjithë dhe bashkëkohësit e historianët që rrëfejnë “se si u larguen nga Atdheu I Tyne i dashtun, tue puthë edhe gurtë e prakut të Kështjellës…”, cili asht ai që nuk mendon dhe nuk pranon se “Vorri i Gjergj Kastriotit asht një MISTER” në ngjarjet e asaj kohë?!

Unë kam mendue gjithmonë se: “Eshtnat e Gjergj Kastriotit sot, dikund janë të ruejtuna dhe se vendi asht një Mister”!

Kur pata mësue sesi kanë mujtë me shpetue pa u tretë në lumin Drin Eshtnat e Bekueme të At Gjergj Fishtës madh, aq ma shumë më shtohej kurreshtja per MISTERIN e Eshtnave të Bekueme të Gjergj Kastriotit. E pra, aso kohe nuk besoj se Klerikët Katolikë Shqiptarë, besnikët e Prijsit të Madh Gjergj Kastrioti, munden me pasë kenë modeli i klerikve t’ sotëm që as nuk i shkon mendja tek vlerat e Eshtnave t’ Gjergjave të Lavdishëm!

Për këte MISTER, një ditë, aty nga gjysa e Qershorit 1996 kemi bisedue gjatë me At Konrad Gjolaj, në shtëpinë e Tij. Edhe Ai pajtohej me mendimin tim. At Konrradi paraqiti këte mendim: “Koha e gjatë e pushtimit otoman ka prishë e shkatrrue gjithshka që né na bashkonte me kontinentin Europjan. Qeverisjet anadollake mbas vitit 1912, tek na kanë vazhdue me ba çka nuk mujten as turqit per 400 e sa vjet robni”.

Pushtimi sllavo komunist i anadollakëve Enver Hoxha me pasuesit e tij, jo vetëm shkatrroi edhe themelet e kulturës Europjane tek né, po zhduku me Gjenocid edhe të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptarë dhe intelektual, që po ndertonin binanë e Shqipnisë së Veriut. Dishmia ma e sakta asht vendosja e “Muzeut Ateist” në Shkoder dhe të padijtunit prof. doktora në Institutin Pedagogjik që as sot nuk njohin asnjë nga Dijetarët dhe Shkrimtarët e Veriut, tue fillue nga Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani.

Pra, duhet pranue se: Vorri i Gjergj Kastriotit vertetë asht një MISTER. Ky MISTER, sa vjen e bahet ma i panjohun me kalimin e kohës. Ata shqiptarë, që mund të dinin saktësisht per Vendin e ndodhjes së Eshtnave të Gjergj Kastriotit, sot mund të ishin vetem Provinçialët. Provinçialët Shqiptarë të Françeskanëve tanë të dijtun, të cilët, shumë nga sekretet e Kishës Katolike Shqiptare, ua transmetojnë njeni-tjetrit kur Ata zevendsohën mbas periudhës kur ndrrohen. Sigurisht “sekreti” I Tyne ishte i perjetshem, po deri sot as nuk dihet që “ndonjeni” edhe në torturat e masakrat ma antinjerzore që u janë ba nga sigurimi i shtetit, nuk ka tregue asnjë gja që lidhej me betimet per ruejtje të sekreteve.

Per fatin e keq të shqiptarëve, mbas vitit 1944 janë zhdukë shumë “MISTERE”, nga pushkatimi, vrasjet e zhdukja e të gjithë Provinçialëve mbrenda një kohe të shkurtë, tue fillue me At Anton Harapin në 1946 dhe po atë vit arrestohen dhe u pushkatuen deri në 1948, At Mati Prennushi e At Çiprian Nika. Vritet me këte grup edhe Imz. Frano Gjini që mund të dinte shumë sekrete si Zv. Delegat Apostolik i Vatikanit.

Vdes në burg Imz. Vinçenc Prennushi dhe At Palë Dodaj, që duhet të dinte ma shumë se kushdo për ketë MISTER, mbasi ishte një historian i mirfilltë dhe shumë i dijtun. E mos harroni se këta Klerikë Katolik ishin Burra Shqiptar të vertetë që nuk i vijnë kurrma Shqipnisë së Kastriotit! Kështu, mbas vitit 1951, nuk ka ma asnjë dëshmitarë prej Tyne! Dihet saktësisht se mbrenda në atë Vorr asht kenë edhe një shishe me kopjon e dokumentit të vorrimit të Gjergj Kastriotit nga Kisha e Lezhës. Edhe ky dokument ka mbetë MISTER edhe sot! Dhe me siguri, çdo pllamë tokë Shqiptare mbulon një “MISTER”! Po, a ka mundsi që një “MISTER” me kaq shumë vlerë të transmetohet nder shekuj nga një brez tek tjetri, pa u tregue nga askush prej tyne as gojarisht dhe as në asnjë dokument? Kjo kryesisht tek dijetarët që nuk i kanë mungue Popullit Shqiptar, sigurisht që ishte pasojë e mosbesimit.

Them, se po, ashtu asht! Historia e Popullit Shqiptar, sa vjen e mbulohet perditë e ma shumë nga të gjithë pseudohistorianë e fallsifikatorë me gënjeshtra e prralla të pavlerë të “akademikve dhe doktor profesorave”, si vet ardhja në krye të shtetit sot e drejtuesve të “Rilindjes komuniste” ndersa, e VERTETA, në Shqipni vazhdon me mbetë “MISTER”!

Burrat e vertetë Shqiptarë kanë provue me u ngulë nder hunjë nga turqit dhe me u masakrue e torturue nga komunistët, po kanë pranue me u kalbë edhe nder “gropa pa emna” dhe mos me shkelë Betimet e Tyne.

A e dini se Zhgunet e Veladonet e Tyne edhe sot janë të Pakalbuna?!

Melbourne, Janar 2014.

Please follow and like us: