Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Thyerja e tabuve shekullore…

LARG DONINIMIT TË NEGATIVITETIT!

“Thyerja e tabuve shekullore ndihmon shoqërinë që të hapet dhe transformohet në hap me kohën”,  Vlora Obërtinca.

“Ka raste, kur njerëzit rezonojnë pozitivisht dhe arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre, qoftë realizimin e studimeve në universitetin më të mirë apo edhe të bëjnë punë që paguhen shumë mirë, por nuk dinë ta shpjegojnë se si pas arritjes së të gjitha qëllimeve të jetës, ndihen të zbrazët dhe shpeshherë kalojnë në depresion dhe nuk dinë ta shpjegojnë pse ndodh kjo. Kjo ndodh sepse e tërë energjia jonë ndër vite harxhohet me dominimin e negativitetit, duke u munduar të realizojmë dëshirat dhe qëllimet tona. Çuditërisht, ditë pas dite zgjohemi të lodhur, të rraskapitur, pa vullnet për jetë dhe punë, që dikur aq shumë dëshiruam ta arrijmë. Tani jemi këtu dhe nuk dimë t’i gëzojmë këto të mira dhe pyesim veten: Vallë, a jemi ne të vetmit që po na ndodh kjo, ngaqë askush tjetër pos nesh nuk është duke u ankuar? Askush nuk ankohet, ngaqë secili prej nesh ka frikë, që të mos e dinë të tjerët se si ndihemi brenda vetes, sepse mund të paragjykohemi nga shoqëria dhe nga rrethi i ngushtë dhe mund të përfundojmë të diskriminuar apo të përjashtuar nga ky rreth. Kjo ndodh ngaqë nuk jemi të hapur me njëri-tjetrin, nuk jemi të sinqertë, sepse frika na e drejton jetën dhe jo motivi pozitiv për jetën.

Deri kur duhet të jetojmë jetën e rrejshme, të jetojmë për sytë e botës ose të jetojmë për një kompliment, ose mendim të mirë “fals” nga të tjerët, të cilët njëkohësisht ndihen keq përbrenda dhe po të njëjtit duhet të na japin vlerësime apo ndodh edhe anasjelltas? Në fund të fundit, gati të gjithë jemi të pakënaqur në heshtjen tonë, duke u shkrirë dhe duke u venitur si një qiri që nuk ka gojë të flasë, derisa fitilit t’i vijë fundi.

Mendoj se shekulli i 21 duhet të jetë shekull i shënuar për shumë zbulime shkencore, për shërimin e shumë sëmundjeve, por njëkohësisht besoj se njerëzit do të fillojnë të afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe duke u hapur me njëri-tjetrin, do ta shërojnë njëri-tjetrin në mënyrë natyrale”.

Fragment nga libri “Vera e shpirtit“ të Vlora Obertincës.

Please follow and like us: