Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi veprën letrare të poetit ushtarak Luftar S. Petoshati

 

Nga Eqerem Canaj, shkrimtar – kritik letrar

Vepra e plotë letrare e Luftar Petoshatit, ky bard i poezisë klasike, përmes veprave 1-6, shfaqet me portretin e qartë dhe admirues njëherazi, një poet lirik dhe epik i mirëformuar, suksesi i të cilit duhet nënvizuar si një shembull, jo vetëm për individualitetin poetik, por edhe si një kontribut i veçantë në poezinë qytetare vlonjate e më gjerë.

Në veprat pararendëse për Petoshatin është përdorur kryesisht termi “popullor” dhe herë “klasik”, sigurisht, dy citimet e mësipërme janë dhe mbeten dukuri të shfaqjes poetike të autorit, përgjatë serisë përshkruese të veprave, do të kuptohen mirëfilli disa caqe interesante të lëvizjes së portretit, ku përfshinë përmasat hapësirë-kohë. Shoqëria njerëzore shqiptare, ajo e pas viteve ‘30 të shek. XX, ka lëvizur çuditërisht, ku epokat përndoqën njëra-tjetrën, duke e ndryshuar cilësisht njeriun dhe marrëdhëniet në prodhim, individi dhe shoqëria, epokat e sistemit deri tash. Pra, ndryshoi njeriu, ndërgjegja e krijuesit në perceptimin e objekteve, poezia u mbars me ngjyrën politike, si dhe u zhvillua, hap pas hapi, në ndryshim të vazhdueshëm, si edhe vetë njeriu, ndërgjegjja krijuese mori trajta e forma të reja dinamike në metrikë, në ngjyrimet poetike, figuracion dhe intensitetin e mesazheve, çka lidhet me raportet individuale të poetit me lexuesin.

Këtë zhvillim progresi e reflekton edhe krijimtaria poetike e lirikut dhe epik e L. Petoshatit nga vepra 1-6. Sjellim për argument, vëllimin poetik “Nëna”, botimi i vitit 1977, krahasuar me poemën madhore “Nënat” e vitit 2020 kanë tjetër frymëmarrje, figuracion, metrikë… ose, krahasuar me botimin sadisfaksionues “Thirrja e gjakut” nga “Ditari i Vlorës së përgjakur” 1977 dhe ripunimi i vitit 2022, ndryshimet sasiore dhe cilësore janë të dukshme, gati të habitshme. Ky poet shfaqet kërkues nga koha në kohë. E rëndësishme është të theksojmë se autori në fjalë dialektikisht, duke ecur me hapin e kohës, ka provuar zhvillimin pasues: nga poet popullor (vjershëtor kryesisht), në poezinë klasike, drejt modernizmit bashkëkohor. Mendoj, ai tashmë është i pajisur sa me dije, kulturë, si dhe vendosmëri përkushtimi, pasi përditë udhëhiqet nga motivi se ç’mund të bëj më tej në shërbim të shoqërisë së kohës.

Vepra poetike e Petoshatit është e ndërtuar e atillë, ndarë në dy pjesë të lirikave dhe epikës: pjesa e parë me 40 poezi lirike përgjithësisht, pjesën e dytë e zënë poemat, dy të tilla, veçanërisht vend të dukshëm zë poema “Vlora ‘97”… Duke e lexuar, të kujton, ndër të tjerë, poetin Luan Qafëzezin me veprën “Internacionale”… Luftar S. Petoshati, ky zë i fuqishëm, që jeton e militon në Vlorë, mbetet personazhi i ditës në lëmin poetik, i cili po shfaqet i suksesshëm nga vepra në vepër.

Së bashku me pranverën, marsi hyri në bibliotekën “Shefqet Musaraji” Vlorë edhe me përurimin e veprës letrare të poetit ushtarak (pensionist) Luftar Petoshatit, veprat 1-10, të përgatitur për botim nga shkrimtari E. Canaj. Në takimin promovues asistoi dhe deputetja e Vlorës Pranvera Resulaj, miq e shokë ushtarakë, pensionistë, etj. Deputetja foli mbi jetë-veprën patriotike të autorit i cili, jo vetëm si ushtarak i lartë, por edhe për kontributin e tij atdhetar në vitet e pensionimit… Po ashtu, spikati edhe ish ushtaraku Shaqir Elezaj, i cili theksoi mbi meritat e autorit si ushtarak, por edhe si poet. Vlerësimet e tjera që pasuan, plotësuan kuadrin e përgjithshëm të diskutimit promovues.

Please follow and like us: