Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Shpejt mund të fillojë kapitulli tjetër

 

S’ekziston një mënyrë e përsosur për të parashikuar rrjedhën e gjërave.

Në buzëmbrëmje, dikush paralajmëroi ndryshimin e motit

dhe menjëherë filluan përgatitjet.

 

Pranë plazhit të mendimeve dëgjohej llokoçitja e peshqve

dhe rrapëllimat e hapave të pakontrolluar të atyre që kanë frikë nga stuhia.

 

Por mikja e ime e habitur e kishte mendjen tek atmosfera politike

dhe s’e vëzhgonte se kush paralajmëronte ndryshimin e ndjenjave.

 

Jashtë çdo gjë dukej e qetë. Lulet, zogjtë dhe retë që përcjellin kumte.

E dashur – kjo domethënë se shpejt mund të fillojë kapitulli tjetër

dhe ne duhet të vishemi ndryshe.

 

Tani është mbrëmje dhe nga kjo pjerrësi s’shoh asgjë të qartë.

Shoh shtigje të ngushta, që çojnë diku, por unë s’lëviz.

 

E di, pema që e dua shpejt do të vishet me akull,

dhe ne duhet të vishemi – ndoshta me pamundësi -paqartësi.

 

Të kam thënë se dashuria është…diçka që s’di ta shpjegoj,

prandaj edhe s’i pëlqej leksionet për të.

Ajo më mban me petkun e përhershëm

si ushtari i papërkulur që shpërfill ligjet e luftës,

hierarkitë, doktrinat.

 

Dje ëmbëlsisht i kreha flokët e tua të bukura

dhe u pashë i frikësuar në sytë e tu të stuhishëm

ku doja të hyja si nëndetëse e gatshme për beteja pafund.

 

Ka diçka që shkon përtej imagjinatës.

Nga lartësitë e papërfillshme shoh krejt trupin tënd,

trupin tënd të shtrirë-siç shtrihet pamja e detit

prej një kënd magjik në buzëmbrëmje.

E atëherë zemra ime

është një anije që shkëputet nga spirancat

dhe hidhet nëpër dallgë të trazuara.

Please follow and like us: