Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Bashkim dhe vetëm bashkim

 

Është tmerrësisht për të ardhur keq kur dëgjon se brenda demokratëve dalin grupe të tjera franksionesh. Apo dalin me ca deklarata se ku gabuam që humbëm zgjedhjet? Ky është i përjashtuar dhe ky jo? Nuk është përjashtim verbal. Por me votë. E para fare, nëse nuk kuptoni se duhet ulur koka dhe asnjë opsion tjetër nuk vlen veç bashkimit, dërdëllsni kot dhe se humbja tjetër është në derë. Madje ky bashkim duhet të ndodhi një minutë e më parë. Publikisht dhe gjithçka t’i nënshtrohet votës. Biles kjo e hapur. Të tjerat janë dëngla dhe inate personale që nuk kanë të bëjnë aspak me prirjen e demokratëve. Kam përshtypjen se qendra në Tiranë është shumë larg nga baza. Gjithë këto ditë, fal internetit, kam parë video demokratësh nga baza, nga e gjithë Shqipëria. Video plot dëshpërim e lot, plot pesimizëm. Iu dhimbte që për disatën herë humbnin. Prapë minorancë. Prapë idiotizmat e ca gjoja reformave nuk i përfaqësonin në pushtetin lokal. Për më tepër kur etjen për ndryshim të një qyteti e mund ajo e zonave rurale. Kurse qendra vazhdon me deklarata dhe anti deklarata. Partia Demokratike nuk është pronë as Saliut, as Enkelejdit, as Joridës, por është vullnet i lirë i qindra mijëra demokratëve. Atyre që janë rrahur, burgosur, përdhosur me bomba molotov, tymse e kamzhikët e qeverisë. Është vullnet i lirë i ideve i atyre që qajnë pasi nuk ndjejnë se janë të përfaqësuar fare në atë hartën mavi të Shqipërisë së vitit 2023. Ti je kështu, e ti je ashtu! Kjo është këmbë e kokë mëri personale dhe jo mendësi franksionesh etj. Asesi! Nëse do të ishte mendësi franksionesh, do kishte në mes burra që dinë të ulen e të kuvendojnë. Por me sa po shihet ka vetëm inatçorë që as s’u plas bytha për dhimbjen shpirtërore të demokratëve në bazë. Atyre që shihen qeveria dhe administrata lokale si armiq të klasës, jo si qytetarë. Mjaft me dhunë verbale fjalësh, ulni kokën se një parti e konsoliduar dhe plot shtrëngime duarsh, u jep besim jo vetëm demokratëve, por edhe më tutje. Nuk i vlejnë pordhët e juaja bazës së demokratëve. Për më keq akoma, shqiptarëve. Madje qendrës duhet t’i vi turp përballë komunikimit normal të bazës. Mos i shikoni njerëzit tuaj në Mirditë, Pukë, Fushë Arrëz, Kavajë etj., pra fituesit, si shifra që ju nderojnë, por i shihni si modeli i komunikimit. I përbashkimit përballë makinerisë së fëlliqur të një shteti diktatorial. Pas dorëheqjes së Alibeajt të gjithë shpresuan se sot demokratët, të paktën pesë burra të mençur, do ishin ulur dhe do kishin diskutuar të ardhmen e forcës që solli demokracinë në vend. Mirëpo askush nuk duket. Deklarata që ta shpifin dhe kundër deklarata. Thërrisni fituesit dhe të jeni të sigurtë se e kanë aty zgjedhjen. Është vullnet i tërë demokratëve bashkimi. Fare kollaj për t’u verifikuar. Hapni një link në internet ku demokratët të votojnë dhe do e shikoni. Fjala bashkim është sot oksigjen për ta. Mjaft, është mjaft!

 

Please follow and like us: