Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Letra e dashurisë së Ivanit për Tatianën

Pjesë e shkëputur nga letra e dashurisë së Ivanit për Tatianën
Novela: Luftë dhe Trëndafila
Autorja: Ambra Hysa.
Kur kam mundësi të ulem dhe të dredh një cigare, mendoj për fytyrën tënde, mendoj se çfarë do të jesh duke bëre ti, sa shumë do të jesh mërzitur me mua dhe sesi i kalon mbrëmjet e vetmuar duke më pritur pranë dritares me perden gjysmë të hapur. Për lotët tanë vetëm hëna është dëshmitare. Çfarë lidhjeje kemi ne të dy bashkë, nuk ka nevojë për smartphone dhe teknologji, unë e ndjej që po më mendon, mendimet e tua më vijnë dhe më përkëdhelin faqet me freskinë e erës… Ti je e brishtë si një lule vere, je impulsive dhe pak xheloze, por vetëm ti di të duash si askush tjetër. Di të falësh dhe të mirëkuptosh, pas stuhive të zemërimit. Dallgët e mllefit tim, sa bukur i qetëson vetëm ti. Mbaje unazën në gisht dhe mos u hidhëro. Në ëndërr më dalin vetëm sytë e tu, është i vetmi vend ku mund të çmallem. Drenusha ime, unë jetoj për çastin kur do të jem përpara derës tënde. Deri atëherë, do të më mbajë gjallë dashuria për ty. Më duaj, sepse ndjesia jote më vjen në forma të ndryshme. Fluturat  e vizitojnë shpesh çadrën ku unë fle. Sa herë shoh një flutur, mendoj që ti po mendon për mua. Sa sinjale të bukura ka dashuria, gjithmonë nëse ne duam të hapim zemrën, të besojmë dhe t’i shohim.
Ditët janë të gjata dhe mbrëmjet janë të vështira Tatianë, gruaja ime… do të doja të të shkruaja pafundësisht por koha nuk më premton. Më beso, edhe pak ka mbetur…
Please follow and like us: