Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Shpirt, mendje dhe trup i lumtur!

“Njerëzit shkojnë dhe vijnë në jetën tonë. Por miku më besnik gjatë gjithë jetës na mbetet vetja jonë“,Dr. Vlora Obertinca.

Jeta bëhet me njerëz dhe kur ata njerëz janë të mirë, jeta bëhet edhe më e begatshme. E kaluara është udhërrëfyes se si duhet zgjedhur rrugën më të mirë dhe më lehtë, e mbi të gjitha për të mos përsëritur gabimet e njëjta.

Nëse, kthehemi në retrospektivë dhe analizojmë pjesën e jetës së kaluar deri tani kuptojmë që, secila periudhë e jetës ka pasur madhështinë dhe begatinë e vet qoftë me miq, familjarë apo edhe rreth më të gjerë shoqëror. Secili nga ta ka pasur një vend dhe një rol të caktuar në jetën tonë që, në një mënyrë apo tjetrën na kanë ndihmuar t’i tejkalojmë sfidat, e me to së bashku t’i mësojmë leksionet e jetës dhe formimin tonë si personalitete në vete.

Me rrëzime dhe ngritje, me vullnet dhe me dëshirë të fortë kemi mposhtur shtërngata të ndryshme gjithmonë duke pasur njerëz të dashur dhe të vlefshëm afër vetes, që në fakt, kanë qenë mësuesit tanë shpirtërorë. Këta mësues na kanë forcuar emocionalisht për t’u pavarësuar dhe të besojmë në veten tonë, sepse kur hija jonë na braktis hija e askujt nuk na ndjek mbrapa.

Mësues të tillë do të kemi afër gjatë gjithë jetës, por sigurisht me misione të ndara. Nganjëherë ndodh që edhe fëmijët tanë të jenë mësuesit tanë shpirtërorë, ndonëse me diferencë të madhe në moshë, por me një pjekuri mendore të jashtëzakonshme.

Kjo sepse shpirti tyre është i vjetër dhe ka kaluar përvojë të madhe në shumë jetëra të kaluara.

Kur është shpirti i shëndoshë, është edhe mendja dhe trupi i shëndoshë.

Të dashurit e mi, duajeni veten tuaj pa kushte dhe përkëdheleni shpirtin tuaj kohë pas kohe duke e pyetur në heshtje “o shpirt çka po don”? Dhe ai zëri i juaj i brendshëm që ju do më së shumti, e që është shpirti juaj, gjithmonë do t’iu tregojë se çka dëshiron dhe çka i mungon.

Kur shpirti juaj është i lumtur, është edhe mendja dhe trupi i lumtur. Gëzojeni jetën sepse është e bukur!

Please follow and like us: